Prof. Rexhep Meidani: A është statuti një dokument për zbatim apo një “përrallë” rilindjeje?

603
Blushi, Majko, Hafizi, Dade, etj., kanë të drejtë. Ata e kanë kurajën që ta deklarojnë sot shkeljen e statutit. Por, këtë, me këmbënguljen e Benit, po e kuptojnë dhe të gjithë socialistët e ndershëm, të palidhur me interesa e përfitim të padrejtë me partinë dhe qeverisjen e vendit. “Përrallat” me praktika të llojit laburist, që u ekspozohen qytetarëve apo u vihen në gojë të huajve, nuk kanë të bëjnë fare me statutin në variantin aktual. Se ç’ vendimmarrje do të ketë në kongres, ajo është për të ardhmen, por jo për të sotmen! 

Gara, qoftë dhe formale është e domosdoshme
Ajo që ka ndodhur vitet e fundit dhe po ndodh ende sot në PS (më saktë në drejtimin e saj) është sa e çuditshme, po aq e pakuptimtë, madje, në njëfarë mënyre, reflekton një sjellje e shprehje kryeneçi dhe llastimi. Dhe, në vend të kapërcimit të menjëhershëm të këtij ngërçi të sajuar, që duhej të shmangej pothuajse 3 vjet më parë, hidhen tashmë në eter lloj-lloj çudish, diku për servilizëm të qartë, diku për interesa konkrete, diku tjetër dhe të veshura me petk “filozofik e doktrinar”! Por, në sytë e qytetarit të thjeshtë, e gjitha kjo lexohet jo vetëm si servilizëm e interes politik-material, por dhe si frikë gare, ndoshta dhe si “pordhë” fuqie!. . . Në të vërtetë, në çdo demokraci, ajo që shërben fuqishëm në shëndetin e saj është gara, gara elektorale, gara politike e partiake. Madje sa më e madhe konkurrenca, sa më intensive dhe e fuqishme gara kolektive e individuale, aq më i shëndetshëm është vetë sistemi demokratik, institucionet e tij përfaqësuese, strukturat partiake gjeneruese të tyre. Ndryshe është puna po të synohet apo të ecet me ngulm në kapjen e tyre antidemokratike, në ndërtimin e funksionimin e një sistem illiberal apo autokratik. 
Gara politike është themel i demokracisë 
Në fakt, në procesin e qeverisjes hallka bazë e gjenerimit të saj janë zgjedhjet demokratike, të lira dhe të ndershme. Madje, me këto zgjedhje, me këtë garë elektorale është lidhur ngushtë dhe pjesëmarrja qytetare, angazhimi konkret i qytetarit në hapësirë e kohë. Sa më të lira e demokratike janë këto zgjedhje aq më përfaqësuese është qeverisja, por po aq më i përgjegjshëm bëhet dhe aktivizimi qytetar. Por, ama, aq më me peshë është dhe përzgjedhja e kandidatëve partiakë në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme. Pra, kur partitë politike garojnë midis tyre në mënyrë të pastër, për ruajtjen e qeverisjes ose fitimin e saj, votuesit e ndjejnë më mirë peshën e votës së tyre në përzgjedhjen përkatëse. Prandaj, ky lloj angazhimi me votë është dhe lidhja e parë midis qytetarit e qeverisjes së tij. Është ajo që e rrit interesin në çështjet publike, por dhe vetë orientimin e duhur politik. Në këtë kuptim, cilësia e demokracisë në nivel qendror e vendor lidhet pikërisht me cilësinë e kësaj gare në përfaqësimin politik, është treguesi kryesor i tij, por ajo ushqen dhe besimin mbi qeverisjen e efektivitetin e saj. Ndërsa, tensione të ashpra e përplasje të egra, deformimi i votës, blerja dhe vjedhja e saj apo praktika të tjera të ngjashme e lodhin qytetarin apo e bëjnë atë krejt indiferent për procesin e votimit dhe të pjesëmarrjes qytetare. Në mjaft parti demokratike përzgjedhja e kandidatëve realizohet ose në forume, ose me parimin “një anëtar, një votë” në bashkësitë për të cilat planifikohet përfaqësimi. Në rastin e PS-së, po të ndiqej një rrugë e tillë nuk do të ndodhte ajo që ndodhi në përfaqësimin parlamentar dhe vendor të kësaj partie, ku elementë problematikë apo me rekorde kriminale (të përzgjedhur në nivelin e sipërm të drejtimit të partisë) kanë qenë një fyerje për qytetarin, qoftë ai votues socialist apo jo. Por, me sa duket, jo për kryetarin apo mbështetës të tij në ato përzgjedhje. Sidoqoftë, kjo përvojë tepër e hidhur apo, në përgjithësi, që të mos ndodhin më histori të tilla, tepër kardinale është vetë gara brenda partisë në përzgjedhjen e drejtuesve të saj. 
Gara partiake, kriteri bazë i një partie demokratike
Pra, tepër e domosdoshme është kjo përzgjedhje; ajo ka nevojë për garë e debat, votim e vendimmarrje. Madje sa më e gjerë struktura vendimmarrëse partiake aq më e mirë dhe e drejtë rezulton, në mesatare, dhe një përzgjedhje e tillë. Në të gjithë literaturën politike, por dhe në përvojën e historinë e partive të vërteta demokratike, pranohet gjerësisht se gara e vërtetë brenda kandidatëve partiakë është thelbësore për vetë demokracinë partiake. Ajo e rrit interesin e anëtarëve të partisë në politikën partiake dhe atë jashtë saj. Por, nga kjo garë dhe bërja publike e saj, rritet dhe interesi jo vetëm i anëtarësisë, por dhe i qytetarëve të tjerë. Bëhet, kështu, më e ndërgjegjshme vota në përzgjedhje, vetë gjykimi publik; rritet interesi për politikën dhe qeverisjen. Kjo duhet të kuptohet në thellësi, madje duhet të ushqehet plotësisht besimi që gara partiake ka rrjedhoja politike pozitive në zhvillimet demokratike, pra dhe në vetë angazhimin qytetar. Sa më të shpeshta dhe të suksesshme procese të tilla partiake, sa më të ndershme e parimore ato, aq më e shëndetshëm do të jetë funksionimi i partisë politike, jeta e saj e brendshme. Për më tepër, kur shtyhet ose bllokohet kjo garë për kryetarin apo poste të tjerë të rëndësishëm qendrorë e lokalë, në se mungon debati për të dhe kryerjen e saj në përputhje me statutin e partisë, atëherë partia (në të vërtetë, udhëheqja e lartë e saj) shndërrohet në një strukturë jo demokratike e autoritare. Në këtë mënyrë zbehet jo vetëm fuqia e drejtpërdrejtë e anëtarësisë së saj, por dhe e vetë forumeve partiake, dhe e gjithë vendimmarrja akumulohet në duart e kryetarit dhe të dy-tre vetave rreth tij. Mesa shihet, diçka e ngjashme po ndodh në PS. . . 
Mungesa e garës partiake e ul cilësinë e forumeve dhe të anëtarësisë 
Këtë dëshmuan dhe ngjarjet e vitit të fundit në përfaqësimin politik të PS-së. Aq sa dekriminalizimi i parlamentit u fut si kërkesë dhe kriter në avancimin e procesit të integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në BE. Po ashtu, një element bazë i jetës demokratike partiake është dhe kombinimi i binomit realist “devolucion – revolucion” dhe aspak binomi propagandistik kontradiktor “rilindje – pastrim”. Për më tepër, ekziston një lidhje e fuqishme midis intensitetit të garës, transparencës së saj në sytë e anëtarëve të partisë dhe vetë angazhimit politik qytetar. Sa më intensive, sa më e drejtë, e sinqertë dhe e ndershme kjo garë aq më i interesuar është anëtari i partisë, por dhe qytetari jo partiak në procesin politik. Për më tepër, akoma më i madh bëhet dhe besimi i anëtarit mbi drejtimin e strukturës ku militon, por dhe besimi qytetar mbi përfaqësimin politik-institucional. Pra, gara e ndershme, pa hile e kërraba, vetë “virtuti” i konkurrencës shoqërohet vetëm me efekte pozitive. Ajo ushqen në një mënyrë të veçantë në një angazhim më të mirë dhe reflektohet në një përgjegjshmëri më të lartë demokratike të anëtarësisë partiake; dhe, pa dyshim, pasqyrohet, në një mënyrë apo tjetrën, në besimin qytetar mbi qeverisjen. Kjo duhet kuptuar në thellësinë e vet, dhe jo të nxiten e shtyhen individë “besnikë” për pohime deri qesharake në lidhje me statutin e partisë – vetë kushtetutën e saj. Respektimi i këtij statuti është shumë më thelbësor dhe i dobishëm se sa transmetimet televizive për anëtarësime të reja me prani anëtarësh kabineti…! 
Sigal