Prof. Dr. Zamira Çavo: Atë që politika nuk e dëshiron ta japë, t’ia kërkojmë me forcë, Ne të gjithë. Drejtësia, qeverisja dhe negociatat

859
Sigal

Prof. Çavo ju a mendoni se ministri i Brendshëm Xhafaj ka përgjegjësi morale dhe politike për aktivitetin kriminal të vëllait të tij?

Është një pyetje që bëhet rëndom sot në tryeza kafesh, por dhe në debate më të gjera sociale apo politike. Unë jam në dijeni vetëm për faktin që vëllai i zotit Xhafaj është dënuar shumë vite më parë për trafik droge. Dhe me sa mbaj mënd aso kohe zoti Xhafaj, i cili ka qenë ministër i turizmit dhe territorit, ka dhënë dorëheqjen e cila nuk i është pranuar. Më vonë z Xhafaj ka qenë ministër drejtësie dhe së fundmi është ministër i Brendshëm. Pyetja ime është e thjeshtë: A ka ndonjë shtesë në veprimtarinë e të vëllait që nga ai vit deri më sot, që e bën të “cenueshëm” moralisht apo institucionalisht zotin Xhafaj? Nëse do ketë (pra nëse nuk janë blofe babalizmat) unë them se zoti Xhafaj ka përgjegjësinë morale të kërkojë dorëheqjen nga drejtimi i kësaj ministrie, e cila ka përgjegjësinë direkt për luftën kundër krimit. Por nëse nuk ka asgjë të re, unë sërish pyes: Ku ishin gjithë këto vite këta të “pasionuarit” pas drejtësisë që na u ngritën tani e na i bënë kalë beteje problemin e vëllait të z Xhafaj? Në mendimin tim këtu ka diçka që qëndron pas dukjes dhe që ka të bëjë me interesa të forta personale. Ndoshta është një frikë nga një e panjohur që mund të kërcënojë dikë apo disa.

A nuk është paradoks që Shqipëria të kërkojë nga BE hapjen e negociatave, ndërkohë që është paralizuar Gjykata Kushtetuese?

Shqipëria ka kërkuar qysh prej fillimit të viteve ’90 futjen ne Bashkimin Evropian, e sikur të mos kishte ndodhur ’97-ta, ndoshta sot mund të ishim anëtare. Pra, Shqipëria ka tentuar në kushte edhe me të vështira si ekonomike ashtu dhe politike. BE është aspirata jonë dhe një kërkesë konstante që u shkon për shtat interesave tona, duke shpresuar se futja në BE ( qoftë dhe çelja e negociatave) do ndikojë në reduktimin e korrupsionit politik në vend. Pra nuk besoj se problemet në Gjykatën Kushtetuese janë shkak për të mos kërkuar çeljen e negociatave. Unë mendoj se të gjithë ne, intelektualë dhe ju gazetarë duhet të bëhemi bashkë për të dëshmuar nevojën e madhe të çeljes së negociatave, sepse jam e bindur që klasa politike nuk e dëshiron këtë, dhe kur klasa politike mban këtë qëndrim, do të thotë se ne të gjithë duhet të bëhemi bashkë për ta “kërkuar me zë të lartë” dhe jo për ta ndihmuar mosçeljen e negociatave.

A mund të pretendohet për zbatim të Reformës në Drejtësi dhe a duhet të ushqejmë shpresë për Drejtësi nga Gjyqësori i reformuar, kur gjykata e Apelit lë të lirë ish-ministrin e Brendshëm, edhe pse hetohet nga Prokuroria për aktivitet kriminal dhe paralelisht qytetarët protestues kuksianë janë në burg?

Shiko, Reforma në drejtësi për mua është një blof i madh, sepse tek ne për 27 vjet Drejtësia ka qenë dhe është e varur nga politika. Dhe tani kështu është. Nuk kam asnjë iluzion për këtë. Dhe kur them nga politika kam bindjen e palëkundur, se pavarësisht sherreve që bën opozita me pozitën politike, të dy krahët nuk janë të interesuar për këtë REFORMË. Nga ana tjetër Vetingu duket se për të mos u zhvilluar (kujtoj këtu që ka shumë vende të Evropës që as ia kanë idenë dhe jo më ta kenë zhvilluar si reformë) po shkon në ekstremizimin e detajeve. Dhe çdo ekstremizim nuk bën gjë tjetër përveçse e bën të pamundur procesin.

A është llogaridhënie e qeverisë kjo fushatë që ka ndërmarrë kryeministri kur shikojmë e dëgjojmë që si sillet ndaj ankesave të qytetarëve dhe ende premton duke harruar që ka 5 vite qeveris?

Nuk kam qenë dhe nuk do jem asnjëherë partizane e këtyre modeleve demagogjike ku pretendohet dialogu dhe realizohet vetëm monolog demagogjik. Por nga ana tjetër nuk bëj pjesë në grupin e nihilistëve që nuk gjen askund asgjë të mirë të realizuar në këto 5 vite. Unë jam e bindur se ka gjëra të mira që qeveria Rama ka bërë ashtu sikundër jam e bindur që në këtë mandatin e dytë nuk ka filluar ende nga puna.

A mendoni se kryeministri Rama ndjen përgjegjësi kur i përgjigjet gazetares franceze, se nuk i vjen keq që shqiptarët emigrojnë në Evropë, ngaqë braktisin Shqipërinë për shkak të varfërisë?

Ne si popull jemi popull oral dhe vdesim të bëjmë komente për gjëra që i dëgjojmë dhe që i komentojmë sipas gjykimit personal apo pasionit politik.

Sërish ju them, se bëj pjesë në grupin e njerëzve që nuk i nxjerrin fjalët nga konteksti. Sot në botë emigracioni është problem global, sepse gjithkush kërkon të jetojë një jetë më të mirë aty ku mendon se e gjen. Dhe kjo është një mrekulli e demokracisë. E dini që vetëm nga Italia kanë emigruar në 2016 mbi 250 mijë njerëz? Po kështu dhe nga Bullgaria, Rumania, madje dhe Franca apo Gjermania kanë probleme me largimin sidomos të “trurit”. Pra, emigracioni është proces normal. Ajo që duhet të na shqetësojë janë pagat tepër të ulëta që vendi ynë aplikon për punë të njëjta me vendet e tjera fqinje. Këtu duhet ngritur zëri, sepse jam e bindur që, nëse do kishim politika më të qarta punësimi dhe sidomos politika sociale mbështetëse do të kishte qenë shumë më mirë për të gjithë. Ndërkohë duhet të theksoj, se shqiptari gjithnjë në histori ka emigruar. Vetëm sistemi “komunist” e mbylli me tel gjembash. Problemi është jo tek emigracioni por tek politikat tona financiare, sociale e politikat e punësimit. Sepse gjithnjë ka njerëz që dëshirojnë të qëndrojnë ashtu sikundër ka të tjetër që kërkojnë një jetë më të mirë.

A mendoni se kjo qeveri është e korruptuar dhe e inkriminuar?

Tek ne klasa politike është e korruptuar. Dhe kjo duket në pasuritë që kanë vënë. A gjemë dot mundësinë që të kërkojmë një Veting popullor për pasuritë e “elitës” sonë politike? Do ta shikoni dhe do më jepni të drejtë. Këtu nuk është vetëm qeveria e korruptuar por këtu është e korruptuar dhe opozita. Shikoni pasuritë që vetë deklarojnë dhe do habiteni. Do habiteni se si deputetët majtas apo djathtas që çdo ditë na qajnë hallet” janë milionerë në valutë me pasuri që shumica e njerëzve nuk arrijnë as t’i shohin në ëndërr! Sa për të inkriminuarit, gjykimi i takon Drejtësisë dhe kur flet ajo ne të tjerët duhet të heshtim.

A kërkon destabilizim të Shqipërisë opozita me akuzat e saj, në këto ditë, pak para vendimmarrjes nga Këshilli i Bashkimit Evropian për Hapjen e Negociatave?

T’ju them të drejtën më ka shqetësuar fakti i termit “Dhunë” dhe “forcë” i përdorur së fundmi nga disa krerë të opozitës. Janë thirrje të frikshme. Besoj se asnjë shqiptar i ndershëm nuk do të dëshironte sërish dhunë. Jemi lodhur prej saj. Por kam frikë se nën ndikimin e disa individëve të “dhunshëm” po kërkohet detyrimisht “gjak” dhe kjo më bën të mendoj se Ministria e Brendshme duhet të jetë në gjendje “alerti” por edhe në qetësi të brendshme për të mos rënë pre e provokimeve të kokave të “nxehta” që humbasin arsyen kur u rrezikohet pasuria.

Mendoni se kjo vendimmarrje e BE do të ndikohet nga protestat dhe akuzat që opozita bën ndaj qeverisë?

Mendoj se BE është shumë e zënë me problemet e veta. Më së pari, ajo ka nevojë të demokratizohet vetë së brendshmi dhe të krijojë një politikë të jashtme e të sigurisë që të paraprijë demokracinë, ta mbështesë e ta sigurojë atë. Ndaj gjykoj se BE “nuk e ka fort mendjen” tek Ne. Me fjalë të tjera megjithëse e dëshiroj maksimalisht çeljen e negociatave, dyshoj që BE e ka në agjendë Ballkanin perëndimor, të paktën tani për tani. Gjithsesi të presim për të gjykuar më drejt.

Prof. Çavo kë subjekt politik, cilët zyrtarë në Shqipëri fotografon Gjermania, Franca Holanda kur theksojnë se Shqipëria duhet të ndërmarrë veprime konkrete të luftojë korrupsionin dhe krimin? Apo është retorikë?

Këtë mund ta dinë vetëm ata, por mesa shikoj dhe “ata” vazhdojnë bëjnë politikë me popullin dhe jo për popullin! Peshqit e mëdhenj do na dalin në fund vetëm ndonjë Habil a ndonjë Balil, ashtu sikundër u “cilësua” peshk i madh Arbër Çekaj… Peshk i madh nuk janë kriminelët por janë zyrtarët që me pushtetin e tyre të dhuruar nga ne, kanë spekuluar duke e përdorur për pasurim personal. Këta kam frikë se nuk i zë dot rrjeta jonë dhe ndërkombëtarët e dinë këtë.