Prof. Dr. Kristaq Kume: Jo marrëveshje bipartizane, po dialog gjithëpërfshirës

167

Jo marrëveshje bipartizane, po dialog gjithëpërfshirës

 

Prof.Dr. Kristaq Kume

Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve

 

Stina politike që filloi me nisjen e punimeve të Kuvendit në sesionin e ri, veç diskutimit, konsideratave dhe qëndrimeve që deklaruan palët politike për Raportin përfundimtar për zgjedhjet e 30 qershorit të publikuar prej Misionit të Vëzhguesve Ndërkombëtar të OSBE/ODIHR, ka bërë si pjesë të saj edhe trajtimin e problemit për rrugët dhe instrumentet që duhet të përdoren për të zgjidhur krizën me të cilën shoqëria dhe vendi i ynë është duke u ballafaquar qysh prej shkurtit të këtij viti. Në fakt për të qenë korrekt me këtë konsideratë, më shumë se partitë kryesore të vendit PS, e PD, artikulimi i nevojës për të zgjidhjen e këtij problemin, bëhet prej partive të tjera të vendit dhe aktorëve të ndryshme jo politik. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se një kërkesë e tillë, me theks përherë e më të shtuar, është duke u bërë edhe prej institucioneve dhe përfaqësuesve të ndryshëm të komunitetit ndërkombëtar. Thirrja për dialog, për bashkëpunim për të gjetur rrugët për zgjidhjen krizës, kërkesa për ta trajtuar këtë dialog si një ndër prioritetet kryesore të aksionit politik, është duke fituar përherë e më shumë terren. Kjo ka nxitur edhe artikulimin e skenarëve të ndryshëm, sipas të cilëve mund të punohet për realizimin e këtij prioriteti. Ndër to, si me joshës për mjedisin mediatik diskutohet mundësia e arritjes së një marrëveshje midis PS e PD, e ngjashme, me marrëveshjen e arritur midis Bashës dhe Ramës në natën e 17-18 majit, 2017. Në bazën e këtij skenari konsiderohet mundësia që këto dy forcave politike të bien dakord që, së bashku, të gjejnë zgjidhje për krizën aktuale, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë që zgjidhja të jetë sa më afër interesave të tyre politike, pa marrë në konsideratë çdo interes tjetër. Mundësia për një marrëveshje të tillë, prej atyre që e artikulojnë, mbështetet në faktin se, veprimi politik në vendin tonë deri sot ka qenë përherë i mbizotëruar nga kultura e sjelljes dhe vendimmarrjes bipartizane. Me gjithë këtë, duhet të theksohet se, të paktën në deklarimin publik, të dy partitë, PS e PD, nuk e kanë shprehur mundësinë për një marrëveshje të tillë. Për më shumë, PD është deklaruar se pa u plotësuar kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit dhe pa formimin e një qeverie teknike, dialogu për të është i pamundur. Natyrisht, një qëndrim i tillë është ekuivalent me pamundësinë për dialog. Ai i mban të mbyll të gjithë shtigjet. Si i tillë, është e vështirë që të jetë edhe jetë gjatë. Nevoja për dialog, për të gjetur zgjidhje për krizën aktuale dhe, me shumë se sa për të, për të rregulluar sistemin, për të bërë funksionale demokracinë dhe shtetin e të drejtës, aktualisht është detyrë parësore, e shtruar për t`u zgjidhur në shoqërinë tonë. Ndaj dhe dialogu është domosdoshmëri.

Me fillimin e sesionit parlamentar mazhoranca deklaroi si prioritet në punimet e Kuvendit realizimin e Reformës zgjedhore. Në deklaratën e saj ajo bëri kujdes të theksonte se objekt i kësaj reforme janë rregullimet që do të bëhen në Kodin zgjedhor, për të pasqyruar në të rekomandimet e dhëna ne raportet e misioneve të vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare, 2013 dhe deri në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Opozita parlamentare, megjithëse jo e njëzëshme, e kushtëzoi kryerjen e kësaj reforme me trajtimin, si pjesë të ndryshimit në legjislacioni zgjedhor edhe të sistemit te zgjedhjeve. Opozitës jashtë parlamentit, Partisë Demokratike dhe jo Lëvizjes Socialiste për Integrim, mazhoranca i kujtoi vendimin e saj për t`a bërë pjesë të komisionit për reformën zgjedhore, në cilësinë e vëzhguesit por me të drejtën e vetos. Ofertë që synon që reforma zgjedhore të realizohet si një proces me kontribute edhe të opozitës që është vetë-përjashtuar. Ofertë që në fakt bëhet, duke mos hequr dorë nga metodologjia bipartizane. Për mjedisin mediatik ky është nje argument më shumë në favor të pandehmës se, PS e PD, pavarësisht nga kundërshtitë e deklaruara, nuk e kanë të pamundur dhe prerazi të mbyllur, mundësinë e marrëveshjes bipartizane. Në favor të kësaj mundësie janë edhe deklarimet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për domosdoshmërinë e kryerjes se reformës zgjedhore.

Përqendrimi i vëmendjes dhe këmbëngulja e mazhorancës për të trajtuar aktualisht si pjesë të reformave vetëm çështje që lidhen me reformën zgjedhore, duke përfshirë në të problemet që janë deklaruar si objekt të saj që në kohën kur Komisioni bashkëdrejtohej nga Z. Çuçi e Z. Bylykbashi është tregues i mungesë së vullnetit të saj për t`u përfshirë në një reformë të thellë legjislative. Ky qëndrim është rrjedhoje e mënyrën se si Partia Socialiste e lexon situatën aktuale politike dhe ngërçin në të cilin ndodhet shoqëria e jonë. Për të kriza aktuale është krizë e opozitës. Opozita është vetë përjashtuar nga sistemi, për pasojë ajo vet duhet të gjejë rrugë për të rihyrë në sistem. Ky është një qëndrim i ngurtë, qëndrim që nuk zgjidh gjë. Është qëndrim që gjeneron devijimi te vazhdueshme të qeverisjes së vendit nga parimet e një qeverisje demokratike. Ky qëndrim përjashton faktin se kriza aktuale është pasoje e problemeve që ka legjislacioni i ynë, probleme që kanë bërë që vendi të mos qeveriset sipas parimeve të demokracisë përfaqësuese dhe demokracisë së drejtpërdrejtë. Ky qëndrim, në fakt e përjashton ose, të paktën, nuk e konsideron, efektin negativë që ka gjeneruar në vite mënyra se si ka funksionuar shteti i ynë, se si dhe se sa janë zbatuar ligjet tek ne, se si dhe se sa qytetari ka arritur të jetë zot në vendin e vet. Indirekt në mbështetje të këtij qëndrimi është edhe kërkesa e përsëritur e ndërkombëtarëve për mazhorancën dhe opozitën, për kryerjen e reformës zgjedhore, si prioritet aktual.

Opozita, nga ana e saj deklarohet se problemi dhe e keqja e madhe këtij vendi janë zgjedhjet e vjedhura, zgjedhjet e blera dhe PS që i ka bërë të tilla ato. Ndaj edhe organizimi dhe zhvillimi i zgjedhjeve pa këto probleme, dekriminalizimi i tyre, është rruga dhe mundësia e vetme për të shëndetësuar demokracinë në vendin tonë. Por, se si mund të arrihet deri këtu, opozita akoma nuk e ka të deklaruar një rrugë të qartë, të mirë ndërtuar dhe të bashkëshoqëruar atë edhe me instrumentet që do të duhet të përdorë. Duke e theksuar këtë, opozita deri sot nuk ka arritur të deklarohet qartë dhe të tregohet këmbëngulëse për rëndësinë dhe domosdoshmërinë që ka kryerja një reforme të thellë legjislative dhe jo vetëm e reformës zgjedhore, pjesë e të cilës mund të jenë edhe ndryshimet në Kushtetutë. Duke e përqendruar vëmendjen tek çështjet e zgjedhjeve, me gjithë vlerën e madhe dhe të pakundërshtueshme që ato kanë në realizimin e një demokracie funksionale, opozita deri sot, akoma nuk ka arritur të formësojë qëndrime dhe të artikulojë kërkesa, zgjidhja e të cilave është e domosdoshme për të pasur një demokraci funksionale. Mazhoranca dhe opozita, secila sipas optikës dhe interesit të vetë, deklarohen për nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore, por akoma nuk kanë artikuluar deklarata dhe qëndrime konkrete për nevojën e një reforme të thellë legjislative, të ngjashme me atë që është bërë për sistemin gjyqësor. Një qëndrim i tillë shërben edhe si mbështetje për të gjitha ata që hamendësojnë mundësinë e një marrëveshje dypalëshe PS –PD, rezultat i të cilës mund të jetë edhe zhvillim i parakohshëm i zgjedhjeve, por jo zgjidhja e problemeve me të cilat është përballur dhe mund të përballet demokracia në shoqërinë tonë.

Marrëveshja dypalëshe edhe në rastin kur si pjesë e saj do të jetë realizimi i reformës zgjedhore në formatin dhe për çështjet deri sot të deklaruara, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve pas saj, i ka shumë të limituara mundësitë për të zgjidhur problemet me të cilat është ballafaquar shoqëria e jonë. Zgjidhje të tilla, mbështetur në marrëveshje bipartizane, janë bërë edhe më parë por krizat nuk janë parandaluar. Nuk janë zgjedhjet, për të cilat mund të bien dakord dhe të marrin pjesë të gjithë palët, të vetmet që do të arrijnë të zgjidhin krizën dhe të parandalojnë riciklimin e krizave. Realizimi i zgjedhjeve në përputhje me parimet dhe standardet demokratike, realizimi i zgjedhjeve rezultatet e të cilave pranohen nga të gjithë garuesit, janë kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm. Që demokracia të jetë funksionale duhet që ajo të funksionojë si e tillë në të gjithë aspekte dhe problematikat me të cilat ndeshet zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit. Për ta arritur këtë është e domosdoshme që, në çdo rast, kur demokracia devijon nga shinat dhe humbet aftësitë funksionale të saj, të ndërhyhet dhe të bëhen rregullimet e nevojshme, në të gjithë ngrehinën legjislative në zbatim të të cilës ajo duhet të funksionojë dhe jo vetëm në legjislacionin zgjedhor. Ky është rasti me të cilën aktualisht është duke u përballur vendi i ynë. Këtë duhet ta kuptojnë dhe ta pranojnë të gjithë, përfshirë edhe komunitetin ndërkombëtar.

Partitë politike, si rregull janë të mirë interesuara për çdo rregullim ligjor që lidhet dhe kushtëzon punën e tyre për realizimin e objektives kryesore që ato kanë si subjekte elektoral. Ndaj edhe vëmendja e tyre për legjislacionin zgjedhor është përherë në alarm. Për sa kohë që interesi kryesor i partive është pushteti, është e natyrshme që edhe përqendrimi i aksionit politik të tyre të kushtëzohet nga vëmendja e shtuar për reformën zgjedhore. Ndërkohë që, çdo gjë tjetër që lidhet me mirëfunksionimin e demokracisë përfaqësues ose demokracisë së drejtpërdrejtë, për to ka peshë dhe vëmendje më të vogël. Për funksionimin normal të demokracisë, për realizimin konkret dhe efektiv të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe demokracisë përfaqësuese, më shumë se partitë politike është i interesuar qytetari.

Kryerja e reformës zgjedhore është e rëndësishëm por ajo nuk mjafton për të zgjidhur problemet me të cilat është përballuar sot shoqëria e jonë, ose që mund të përballet nesër. Reforma duhet të jetë e thellë. Në të duhet të përfshihen jo vetëm çështje që lidhen me zgjedhjet. Nevoja për një reformë të thelle legjislative aktualisht duhet të pranohet si një nga prioritetet kryesore për shoqërinë tonë. Këtë duhet ta pranojnë në radhë të parë partitë politike dhe në veçanti dy partitë kryesore, PS e PD. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se një reformë e tillë nuk mund të kryhet vetëm prej tyre. Marrëveshja bipartizane është e pafuqishme për një reformë të tille. Ajo mund t`ju shërbejë këtyre dy partive vetëm në terma afatshkurtër. Një marrëveshje e tillë e ka të pamundur të zgjidhë problemet komplekse që ka shkaktuar keq funksionimi i demokracisë në vendin tonë.

Reformë e thellë legjislative mund dhe duhet të bëhet vetëm nëpërmjet institucionalizimit të një dialogu gjithëpërfshirës, në të cilin, bashkë me të gjithë partitë politike, një vend të veçantë dhe shumë mirë të dallueshëm duhet të ketë pjesa jo politike e shoqërisë tonë, organizatat e shoqërisë civile, stafet akademike dhe specialistë e ekspertë të fushave përkatës. Institucione të kësaj shoqërie mund të jenë edhe iniciatorë dhe nxitës për fillimin e dialogut gjithëpërfshirës, Shumë kush mund ta vlerësojë këtë si një iniciativë të vështirë për t`u realizuar në mënyrë të suksesshme. Përvojat e derisotme jo vetëm që nuk kanë prodhuar argumentet për të kundërshtuar këtë vlerësim por, më keq se sa kaq, ato flasin vetëm në mbështetje të këtij vlerësimi jo optimist. Në këto kushte, për të bërë realisht të mundshme një iniciativë të tillë është e domosdoshme mbështetja e saj nga çdo aktor dhe institucion vendas, politik ose jo, që e pranon nevojën për të kryer një reformë të thellë legjislative, të nevojshme për funksionimin normal të demokracisë, dhe të ngjashme me atë që kryhet në sistemin gjyqësor. Po kaq e kërkuar dhe e nevojshme është edhe mbështetja që duhet t`i jepet kësaj iniciative prej institucionet dhe komuniteti ndërkombëtar.