Presidenti Nishani, pritje në Pallatin e Brigadave: Jemi vendi dhe populli me dëshirën më të madhe për t’iu bashkuar Evropës

435
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dha mbrëmë një pritje në Pallatin e Brigadave me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Në pritje morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, kryetarët e partive politike, ministra, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatic të akredituar në Tiranë, përfaqësues të shtypit dhe të mediave, shkrimtarë, artistë dhe intelektualë të fushave të ndryshme. Presidenti i uroi të pranishmiot për festat e mëdha, duke i konsideruar ato si momente përcaktuese për historinë e Shqipërisë, e cila ka bërë hapa të mëdhenj përpara gjatë një shekulli. “Shteti ynë është 100 vjeç. Pra jo i vjetër. Por ne dhe historia jonë jemi shumë më të hershëm se këto 100 vjet. Ne jemi bashkëmoshatarë të njerëzimit. Jemi milenarë. E vërteta është se gjatë ekzistencës sonë nuk kemi zbuluar gjëra të mëdha  apo ndonjërën nga mrekullitë e botës, poooor…Kemi rrënjë pellazge. Histori Ilire, me Mbretër dhe Perandorë që ndikonin rrjedhat e Historisë antike. Kemi gjuhën tonë, Gjuhën e mrekullueshme Shqipe, që është nga më shprehëset, nga më të pasurat, nga më të zhdërvjelltat, dhe nga më të bukurat e të gjitha gjuhëve, dhe, si është tashmë e provuar shkencërisht, Gjuha Shqipe është ndër vendet e para të klasifikimit të vjetërsisë të mbi 6 mijë gjuhëve që sot planeti ynë shkruan dhe flet”, theksoi në fjalën e tij Presidenti. Më tej, ai nënvizoi se ne shqiptarët jemi jo pak të çuditshëm; konsumatorë tekanjozë, dashuronjës të dalldisur, mbretër të vetes, që pretendojmë të kemi; secili aeroportin e vet, secili autostradën e vet, secili spitalin e vet, secili prokurorinë dhe gjykatën e vet. Po, kështu jemi. Por dimë edhe të përshtatemi, dhe sigurisht që po përshtatemi e do përshtatemi për tu bërë banorë të denjë të shtëpisë së madhe europiane. Jemi vendi dhe kombi me dëshirën më të madhe për t’iu bashkuar Europës. Me këtë rast kryetari i shtetit bëri takime të veçanta me ambasadorë dhe politikanë shqiptarë, me të cilët trajtoi tema të aktualitetit politik shqiptar.