Presidenti Meta: Të shtojmë urtësinë, viti tjetër të na gjejë me negociata me BE-në!

501
Sigal

Jakup B. GJOÇA

“Harrohen” konfliktet politike në Krishtlindje, por shqiptarët nuk kanë para të blejnë ushqime për të festuar

Ndonëse populli ynë ka një fjalë të urtë, për të uruar vitin e Ri: “Çdo vit edhe më mirë!”, realisht, me shqiptarët ndodh që çdo vit, gjendja ekonomike përkeqësohet. Shqiptarët humbasin përditë e më shumë shpresën se këtu mund të mbijetojnë, ndërkohë, që 1,6 milionë shqiptarë kërkojnë një mundësi si e si të “arratisen” nga Shqipëria dhe të emigrojnë në një vend tjetër të Botës, sado larg, vetëm e vetëm, të gjejnë një mundësi më të mirë për të mbijetuar. Klasa politike pak mendon për të përmirësuar jetesën e popullit, ndërkohë, që konfliktualiteti politik acarohet më shumë për “ mustaqe e Çelos”. Qeveritë dhe opozita në këto 27 vite të tranzicionit, po pengon Shqipërinë të integrohet në BE dhe pasojat i vuajnë vetëm shqiptarët, pasi humbasin të drejtën që të punojnë si shtetas të BE në vendet e saj.

Presidenti Meta: Të mos i lëmë vetëm njerëzit që janë në vështirësi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në vizitën në Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, përcolli urimet më të mira besimtarëve të krishterë për Festën e shenjtë të Krishtlindjeve: “në këtë ditë le të mendojmë më shumë për të gjithë ata që janë në vështirësi. Të mos i lëmë të vetëm dhe t’u japim dorën për një rrugë të gjatë të përbashkët në mënyrë që shoqëria jonë të jetë gjithnjë e më e plotë, të jetë gjithmonë edhe më shpresëdhënëse, sidomos për të rinjtë dhe për të gjithë fëmijët e Shqipërisë që meritojnë një të ardhme si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Kjo është një ditë që në fton të gjithëve të shtojmë urtësinë edhe mençurinë, që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë jo vetëm më të gëzuar e të bashkuar, por edhe të na gjejnë me negociata të çelura për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Rama përcjell mesazh emocionues për Krishtlindjen

Kryeministri Edi Rama ka uruar me video festën për të gjithë besimtarët me një dedikim të veçantë për fëmijët dhe konkretisht ato të Shtëpisë së Fëmijës, të cilët kanë më shumë se kurrë nevojë për ngrohtësi. Gjithashtu, kryeministri Rama u gjend në një familje në Vorë, të cilën e ndihmoi me shtëpi të re, pasi jetonte në gjendje të mjerueshme. “Nuk janë shumë familjet që ishin në gjendjen që ishit ju, në pikëpamjen e shtëpisë, por sidoqoftë janë dhe ne i kemi regjistruar dhe do i ndihmojmë të gjithë, pak nga pak,” u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama.

Imzot George Frendo: Mos i lini të largohen të rinjtë nga Shqipëria

Sonte Jezusi u bë shembull i atij dialogu që duhet të ekzistojë edhe mes nesh, të një dialogu që duhet të ekzistojë mes meje, meshtarëve dhe besimtarëve në këtë dioqezë që m’u besua mua. Sot e shohim Jezusin si një foshnje të brishtë, por do të rritet. Dhe si i rritur nuk do të harrojë kurrë se është nga fisi i Davidit, se është hebre. Me Jezusin e bërë njeri mësojmë edhe dashurinë për atdheun. Shpesh herë duke folur me të rinjtë u tregoj, e di se shumë prej jush kanë vetëm një ëndërr që të largoheni nga Shqipëria për një vend tjetër më të pasur. Por kërkoni më shumë të krijoni një Shqipëri më të mirë, vlerësoni më shumë gjërat e bukura në vendin tuaj që tani është bërë dhe vendi im, vlerësoni tiparet e bukura që keni trashëguar si popull.

Drekë për Krishtlindje në të gjitha mensat sociale

Të gjitha mensat sociale të Bashkisë së Tiranës, me rastin e Krishtlindjes, kanë ofruar gjatë ditës së djeshme vakte të ngrohta për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ata në pamundësi ekonomike, për t’u krijuar edhe atyre mundësinë që të festojnë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i pranishëm në mensën sociale “Gonxhe Bojaxhi” te Bregu i Lumit, ku shërbeu ushqimin të pranishmëve, duke u uruar edhe “Gëzuar Krishtlindjen”. “Festa e Krishtlindjes është një festë që jo vetëm festohet nga ata që janë besimtarë dhe kujtojnë lindjen e Krishtit, por është edhe një kujtesë për të gjithë ne të tjerët. Nuk ka rëndësi se çfarë besimi jemi për të dhuruar dashuri, për të dhënë të gjithë nga pak për Krishtlindje”, tha Veliaj.

Basha i kaloi Krishtlindjet me fshatarët e Lezhës

Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ka kaluar këto Krishtlindje mes familjeve të thjeshta të Lezhës, pranë familjes Ndoka në Hajmel dhe familjes Lorja në Stajkë. Mes të tjerash ai tha mesazhin e qartë se “Krishtlindja na bashkon të gjithëve rreth vlerave më të mira të familjes, të komunitetit dhe të Atdheut, e na mbush me optimizëm dhe besim për të nesërmen. Ndonëse në vështirësi të mëdha, mesazhi i tyre në këtë ditë të shenjtë është besimi dhe shpresa tek e nesërmja.

Kryemadhi: Dakordësia e politikës shqiptare do të sillte begati

Zoti dërgoi Krishtin te ne për të na thënë që na do shumë dhe ne duhet ta duam Zotin, të besojmë te Ai, t’i rikthehemi besimit, sepse vetëm besimi në Zot do të na drejtojë në një rrugë të mbarë, do të na drejtojë në rrugën e drejtë dhe do të na drejtojë drejt të vërtetave. A do të ketë diell edhe në politikën shqiptare, pasi në mesazhin e dhënë nga krerët fetarë ka qenë për më shumë dakortësi dhe për më shumë paqe në politikën shqiptare për të mirën e kombit!