Petrit Vasili: Të gjithë bashkë në 27 janar kundër derrave të kënaqur të qeverisë

462
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka përsëritur edhe një herë arsyet pse Shqipëria dhe shqiptarët duhet të çohen në protesta. Vasili është ndalur në përsëritjen e dështimeve të qeverisë Rama dhe gjithçka që ka rënë në kurriz të popullit. Petrit Vasili theksoi të gjitha arsyet se pse duhet të protestojmë: “Në 27 janar protestojmë kundër varfërisë. Kundër atyre, që u bëjnë presion të varfërve me bukën e gojës. Kundër atyre, që kanë zaptuar qeverinë e nuk bëjnë asgjë, por grabisin paratë e shqiptarëve me koncesione e tenderë. Ata, që lënë naftëtarët pa bukë dhe tallen me hallin e tyre, që lenë mijëra të rinj rrugëve pa punë e pa shpresë, që i detyrojnë mijëra gra e burra të Shqipërisë të braktisin këtë vend të bekuar dhe të enden në mëshirë të fatit në dhè të huaj”, ka theksuar Vasili në fjalën e tij. Kreu i grupit parlamentar të LSI është shprehur se ky vend u shkretua dhe i kaloi në dorë një grupi oligarkësh dhe shkatërruan vendin për të mbushur xhepat e një grupi të caktuar njerëzish. “Ata, që me arrogancën e derrave të kënaqur e të panginjur e shkretuan këtë vend dhe ua bënë dhuratë një dorë oligarkësh”, tha Vasili. 

Një nga arsyet themelore se përse duhet protestuar është edhe shëndetësia e dobët, duke përmendur këtu faktin e mungesës së ilaçeve në spitalet tona. “Protestojmë, që ilaçet dhe jeta që janë e drejtë e çdo qytetari të mos shndërrohen në sevap të një kryeministri mizor e të pashpirt”, u shpreh Vasili. 

“Protestojmë, që arsimi publik të mos jetë shfrytëzuesi pa mëshirë i studentëve dhe familjeve të varfra, duke u rrëmbyer edhe lekun e fundit për t’ia dhuruar privatëve. Protestojmë, që drejtësia të jetë njëlloj për të gjithë dhe jo një drejtësi që fal kryeministrin dhe burgos të varfrit derisa lenë dhe jetën burgjeve. Protestojmë që policia të luftojë kriminelët e trafikantët dhe jo protestuesit e thjeshtë. Protestojmë kundër atyre që mbushën shkollat e fëmijëve me drogë. Protestojmë kundër kryeministrit, që mbush me plehra Shqipërinë” ka qenë ky reagimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Sigal