“Opozita kërcënon investitorët”

556
Sigal

Nuk ka ndonjë vend tjetër që në një hark të shkurtër kohor të ketë firmosur me sektorin privat, kontrata për ndërtimin e 330 hidrocentraleve.  Kjo garë vjen me ‘lakmi’ në rritje. Edhe pse kjo kohë nuk është koha më optimale. Sigurisht, pasojat e krizës në Europë janë të ndjeshme dhe ajo nuk do të jetë afatshkurtër, por e vërteta është se nga viti 2010 e në vazhdim ka pasur interes të madh për ndërtimin e tyre. Shqipëria po i zhvillon kapacitet e saj ujore energjetike tërësisht të bazuar në iniciativën e lirë, duke mos shpenzuar asgjë nga buxheti i shtetit. Është absolutisht një nga rastet më të rralla, për faktin që ligji, mjedisi që kemi krijuar, One Stop Shop që po konsolidojmë janë shndërruar në një magnet të vërtetë, për investitorët në fushën e energjisë. Përballë kësaj gare të pashembullt në ndonjë vend, në intensitetin e saj të madh, qëndrojnë deklaratat ziliqare, deklarata keqdashëse, të cilat kërcënojnë investitorët se nuk do të njohim këtë apo atë marrëveshje, se po jepen ujërat me koncesione. Shpifje e trillime të pandershme! E vërteta është se absurditeti i tyre, fatmirësisht, nuk është përfillur aspak nga investitorët vendas e të huaj, të cilët janë të ndjeshëm, por janë të ndjeshëm ndaj çështjeve që qëndrojnë dhe jo ndaj marrëzive. Dalin e i kërcënojnë çdo tre ditë, se nuk do të njohin marrëveshjet. Sa më shpesh të dilni të nderuar zotërinj, ju garantoj se largoheni me shpejtësi të rrufeshme nga horizonti i pushtetit. Kush është ai që mund të votojë për ata që thonë se do të kthejmë kohën mbrapa, për ata që duan t’i privojnë shqiptarët nga pasuritë e tyre dhe vetë pushimet i kalojnë në kroçera. Tani janë bërë edhe virtualë. Rroftë ciu-ciu! Por Shqipërinë dixhitale, ne nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale. Shqipërinë dixhitale e nisëm që shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre, të kenë shërbimet më të shkëlqyera, të njohin shpejtësitë më të mëdha. Rrjetet sociale janë rrjete sociale dhe nuk duhet t’i deformojmë qëllimet e tyre. Ato janë për të shumuar plazmën e njerëzisë e komunikimit midis njerëzve.”