Opozita bojkot parlamentit, mblidhet në Elbasan, në kryeqytetin e krimit. PS diskuton Reformën në Drejtësi

614
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Mazhoranca luan teatrin me projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”

Opozita sërish bojkoton sot Kuvendin dhe mblidhet në Elbasan, në “kryeqytetin” e krimit

Aksioni radikal i opozitës së Bashkuar vazhdon sot në Elbasan, në të quajturin “kryeqytet” i krimit, për shkak të përplasjes së vazhdueshme të bandave midis tyre, ku ende policia nuk ka mundur (ose nuk ka forcën përballë krimit) që t’i shpartallojë. Jo pa qëllim Opozita e Bashkuar do mblidhet sot në Elbasan, pasi e vlerësojnë këtë qytet si qytetin e dytë në vend, ku sipas tyre, fshihen lidhjet e forta krim-qeveri. Në qarkun e Elbasanit është edhe deputet Taulant Balla, ku kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Edmond Spaho kërkoi të hënën, në konferencën e kryetarëve të Grupeve Parlamentare, që Balla të përjashtohet nga parlamenti si deputeti që mban lidhje dhe bashkëpunim me kriminelët.

Basha replikon me kryeministrin Rama: Me ty në qeveri, krimi dhe oligarkët pasurohen

Kështu kryetari i PD-së Lulzim Basha ka sulmuar kryeministrin Edi Rama, ndërsa e akuzon atë për lidhje me krimin. Lideri i demokratëve tha se shumë biznese kanë falimentuar. “Me Edi Ramën në qeveri, krimi dhe oligarkët pasurohen, bizneset e ndershme falimentojnë”, – shkruan Basha, ndërsa ka publikuar edhe një video, të cilën e ka cilësuar si skemën e ‘pasurimit të krimit kundër bizneseve’ ku jep disa argumente kundër kësaj qeverie. Po ashtu, Basha përmes disa shifrave,- tha se për periudhën janar-gusht 2018 kanë falimentuar 9260 biznese, ndërsa shtoi se në 2017 ishin mbyllur 6140.

Loja e mazhorancës, sjell në parlament projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” i cili do 84 vota

Mazhoranca nuk shqetësohet aspak pse opozita nuk do të jetë në seancën plenare të parlamentit, edhe pse ka në rend të ditës projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i cili detyrimisht kërkon 84 vota. Mazhorancës, i intereson ta shtyjë projektligjin, të vazhdojë kolapsi i drejtësisë, të mos ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë, sikurse SPAK, që ka detyrë të hetojë dhe gjykojë korrupsionin e zyrtarëve, të mos ketë Gjykatë Kushtetuese. Ky projektligj u shty 3 herë në muajin korrik, pikërisht, sepse opozita nuk dha dakordësinë. Siç dihet, opozita i ka kushtëzuar mazhorancës 6 kushte, dhe ndër to shfuqizimin e 6 ligjeve të reformës në drejtësi që janë miratuar pa konsensusin e opozitës, emërimin e kryeprokurorit të Përgjithshëm, etj. Këto kërkesa mazhoranca i ka refuzuar dhe ka bërë propozimin që opozita të sjellë amendament për këtë projektligj dhe ta votojnë së bashku. Opozita e ka mohuar ta votojë këtë projektligj, pasi është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse rrëzon reformën në drejtësi, pasi u jep kompetenca kryeprokurores së Përkohshme dhe KLD-së, që të emërojnë gjyqtarë dhe prokurorë, ndërkohë, që reforma në Drejtësi, këto kompetenca ua ka dhënë KLGJ dhe KLP, që nga 2016-ta. Por mazhoranca i ka shtyrë të gjitha afatet kushtetuese të ndërtimit të këtyre institucioneve të reja të drejtësisë, prandaj, duke dashur të justifikohet me ngutjen kohore, me këtë projektligj, siç e cilëson opozita antikushtetues, u jep kompetenca ligjore KLD-së (që e dominon tërësish mazhoranca) dhe Kryeprokurores së Përkohshme (që e ka emëruar vetëm mazhoranca) të bëjnë emërimet dhe paskëtaj, edhe kandidatët për në institucionet e reja të drejtësisë. Kjo do të ishte kapja tërësore e sistemit të drejtësisë nga kryeministri Rama. Sot, në seancën plenare të Kuvendit do të diskutohet (dhe miratohet me votat e mazhorancës) edhe akti normativ të buxhetit 2018, i cili parashikon shkurtime të fondeve në bujqësi dhe infrastrukturë, për shkak të dështimeve të të ardhurave në 8-mujorin e 2018-s në vlerë prej 5 miliardë lekësh.

Kuvendi përplaset me Presidencën me interpretime të kundërta për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese

 

Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ndan të njëjtin mendim me Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi në lidhje me gjendjen aktuale të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nga i cili varet edhe zgjidhja e ngërçit me Gjykatën Kushtetuese. Të martën kryeparlamentari Gramoz Ruçi u shpreh se KED tashmë nuk ka kuorumin e mjaftueshëm për t’u mbledhur e për të funksionuar, arsye për të cilën theksoi se pret nga Presidenti Meta nëse do ta hedhë shortin apo jo shortin për të plotësuar vakancat. “Presidenti ka detyrimin Kushtetues dhe ligjor për hedhjen e shortit. Por nëse ai nuk e ushtron këtë detyrë, do e ushtroj menjëherë unë si kryetar i Kuvendit”, u shpreh Ruçi. Burime pranë Presidentit Meta i thanë për gazetën “Telegraf” se Kreu i Shtetit vijon të mendojë se KED ka kuorum dhe të gjitha mundësitë që të funksionojë. Sipas të njëjtave burime, në kushtet kur kryetari i KED ra për shkak të vettingut, në gjykimin e Presidentit Meta, mbledhja e KED mund të drejtohet nga zv/kryetari. Këtë qëndrim Presidenti ia ka shprehur Kuvendit edhe në një letër-përgjigje korrikun e kaluar, ku duke cituar dispozitat ligjore, nënvizon se i takon anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, që të drejtojë mbledhjet e KED-së me cilësinë e zv/kryetare. Aktualisht në gjykimin e Presidentit, kjo është gjendja e anëtarëve funksionalë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi: Anëtarët e KED funksionale, sipas Presidencës:

  1. Vitore Tusha – zëvendësuese nga GJK (kaluar vetingun)
  2. Enton Dhimitri – gjyqtar nga gjykatat e Apelit (në proces rivlerësimi)
  3. Fatos Qato – gjyqtar nga gjykatat e Apelit (në proces rivlerësimi)
  4. Fatjona Memçaj – prokurore pranë gjykatave të Apelit (ka kaluar vetingun)
  5. Ahmet Jangulli, gjyqtar nga gjykatat administrative (në proces rivlerësimi)

Anëtarët zëvendësues funksional:

Sotiraq Lubonja nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (në proces rivlerësimi)

Sipas Kreut të Shtetit, këta pesë anëtarë e bëjnë legjitime KED-në. Në letrën drejtuar Kuvendit, Presidenti thekson se KED mund të mblidhet e të vendosë sipas tagrit të saj mbi kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, që gjithashtu është jashtë funksioni për shkak të mungesës së kuorumit. “Çdo vonesë dhe mosmbledhje është e pajustifikueshme”, – shprehet Presidenti Meta, ku thekson gjithashtu se ai e ka të pamundur të hedhë një tjetër short për anëtarë të KED-së jashtë hapësirës kohore 1-5 dhjetor, që i njeh ligji për këtë. Në këto interpretime, Presidenti ndahet edhe me socialistët. Juristët e PS-së anëtarë të Komisionit të Ligjeve i thanë se Meta ka të drejtë kur mendon se KED ka ende kuorum, por sipas partisë në pushtet pa kaluar vettingun anëtarët e këtij organizmi nuk mund të vendosin për fatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca do të presë të shikojë nëse pesëshja aktuale do t’i mbijetojë vettingut, gjë që do të thotë se edhe në ngërçi me Gjykatën Kushtetuese do të vijojë të qëndrojë.