Sigal

Shkrirja me paramendim e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, qëllimi kryesor i kryeministrit Rama, për të shpëtuar nga ndëshkimi ministrat dhe trafikantët e lidhur me zyrtarët

Qëllimi i kryeministrit Rama: Të mbajë peng Gjyqësorin, të mos dënohet korrupsioni

 Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama, që në 2013 premtoi reformim të plotë të Drejtësisë. E filloi me reformën në drejtësi. Mirëpo sot, pas 5 vitesh, produkti i vetëm i kësaj reforme në Drejtësi është që ka shkrirë Gjykata Kushtetuese, e cila ka mbetur me 2-3 anëtarë nga 9 që duhet të ketë, ndërsa Gjykata e Lartë ka vetëm 4 anëtarë nga 19 dhe emërimi i një kryeprokuroreje të Përkohshme vetëm me votat e mazhorancës, e cila në 8 muaj, nuk ka hetuar asnjë dosje korrupsioni dhe krimi, por vetëm ka bërë emërime dhe largime prokurorësh, sipas shijeve dhe interesave të kryeministrit Rama. Në fakt, ky është edhe qëllimi i kryeministrit Rama. Të marrë peng Gjyqësorin, që të kos ketë gjykata të hetojnë dhe gjykojë korrupsionin dhe koncesionet e qeverisë, as bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë me njerëzit e botës të krimit, sidomos në atë të kultivimit dhe trafikimit ndërkombëtar të hashashit, por edhe të kokainës. Të humbur nga kjo (pseudo) reformë në drejtësi janë qytetarët, të cilët nuk kanë më asnjë mundësi ku të gjejnë të drejtën e tyre të mohuar.

Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë është në favor i qeverisë

Kryeministri Rama, duke iu përgjigjur akuzave se vettingu bllokoi funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, tha: “Më mirë pa gjykata sesa me gjykata të korruptuara!”.  Duke u shprehur kështu, kryeministri Rama e pohon se ai nuk i do fare gjykatat, por do të ndërtojë ato gjykata dhe institucione të drejtësisë, ku të ketë mundësi që të emërojë vetëm ata gjyqtarë dhe prokurorë të bindur ndaj urdhrave të tij.  Në fakt, mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë favorizon vetëm qeverinë, ndërkohë u privon çdo të drejtë qytetarëve. Së pari, pa Gjykatë Kushtetuese qeveria dhe parlamenti mund të votojnë çdo ligj, çdo marrëveshje të rëndësishme ndërshtetërore, mund të marrin çdo VKM dhe asnjë institucion kushtetues nuk mund t’i monitorojë. Për shembull, askush nuk mund të ankimojë ligjin “Për Teatrin”, nesër, nëse qeveria nënshkruan marrëveshjen me Detin me Greqinë, askush nuk mund ta ankimojë, sepse nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Kur nuk ka Gjykatë të Lartë shumë dosje të rëndësishme nuk mund të shqyrtohen në shkallën e tretë gjyqësore, sikurse çështjet e pronësisë, të të drejtave themelore, etj, por, njëkohësisht, qytetarëve dhe personave juridikë u mohohet edhe animimi në Gjykatën e Strasburgut. Pa Gjykatë të Lartë, pa Gjykatën Speciale antikorrupsion, që nuk ndërtohet akoma, qeveritarët qeverisin pa kokëçarje e pa frikë edhe për korrupsionin që mund të bëjnë.

Bashkëfajtorët e  dështimit të reformës

Reforma në Drejtësi në Shqipëri, ajo që sot ka kapitulluar sistemin gjyqësor, është produkt i ekspertëve evropianë të sponsorizuar nga Johanes Hahn e Federika Mogerini, Soros me EURALIUS dhe OPDAP,  mekanizma të SOROS,  në bashkëpunim me mazhorancën e kryeministrit Rama dhe Fondacionin Shoqëria e Hapur e Soros. Reforma në Drejtësi, kështu siç po e e shohim sot, është një dizastër. Të njëjtin term “pezhorativ” përmendi edhe komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn, kur deklaroi në Tiranë para pak javësh se “do të jetë dizastër, nëse Shqipëria mbetet pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë për shkak të vetingut”. Por nuk është më shumë “dizastër” mungesa aktuale e Gjykatës Kushtetuese se sa fakti që nuk dihet se kur ajo do të ngrihet sërish. Zyrtarët evropianë, përfshirë “ministren” e Jashtme të BE, Federika Mogerini, (ish)ambasadoren e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckeinstein, sot kërkojnë me ngulm nga mazhoranca dhe opozita shqiptare, që të angazhohen për të mbushur boshllëqet në gjykatat supreme shqiptare. Sot, asnjë prej këtyre shefave të Bashkimit Evropian nuk merr përgjegjësi për “dizastrën” në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Topin ua kalojnë sërish palëve politike në Shqipëri. Më në fund, Hahn-Mogerini-Vlahutin e pranojnë se në vendin tonë paska “palë” politike, ndërkohë që gjatë dy viteve të fundit pranuan që të luanin vetëm me një lojtar, Edi Ramën, pa e përfillur opozitën.

Lëmshi procedural i Reformës në Drejtësi për të ndërtuar institucionet e Gjyqësorit

Për të kuptuar “dizastrën” e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, është shumë e rëndësishme të shpjegohet, me ligjet e reja të Reformës në Drejtësi, se sa shumë kohë nevojitet për ta ringritur këtë gjykatë supreme. Është një skemë e ndërlikuar procedurash, afatesh, mish-mash institucionesh, të cilat të çojnë të gjitha në një përfundim-vonesë pa afat në krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese u përfshi në procesin e Vettingut, kur kishte 8 nga 9 anëtarë (një vend ishte vakant prej dy vitesh). Së bashku me këtë mungesë, sot, Gjykata Kushtetuese ka zyrtarisht 4 vende vakant. Gjykata Kushtetuese do të ketë vakanca, numri i të cilave do të mësohet në përfundim të shqyrtimit të ankimeve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Këto vakanca duhet të plotësohen nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendit, në bazë të një liste kandidatësh që duhet të përgatisë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED). Ky Këshill përbëhet nga 9 anëtarë, me një mandat 1-vjeçar, nga janari 2018 deri në janar 2019. Aktualisht, KED është jashtë funksionit, pasi 4 nga 9 anëtarët e tij, përfshirë edhe kryetarin, janë rrëzuar nga shkalla e parë e Vetingut. Anëtarët e shkarkuar të KED kanë ankimuar, ose janë në proces ankimi të vendimit të Komisionit të Vetingut. Fati i tyre përfundimtar do të vendoset nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili, me shumë mundësi, nuk do të arrijë në konkluzione brenda këtij viti. Pra, vendimi i Kolegjit më shumë do të ndikojë në karrierën e tyre si gjyqtar e prokurorë se sa si anëtar të KED-së. Kur të përfundojë Kolegji shqyrtimin e ankimeve të tyre, ata do të kenë përfunduar mandatin 1-vjeçar si anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pra, ky Këshill, përfundimisht nuk mund të listojë kandidatët për Gjykatë Kushtetuese. Do të duhet krijimi i KED-së së re.

Mirupafshim në fundvitin e 2019-s…

Me shumë mundësi, për shkak po të problematikave ligjore, ai sërish nuk do ta zhvillojë këtë short, i cili pritet të hidhet nga Kuvendi i Shqipërisë. Shorti do të përzgjedhë 9 anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Këta të fundit do të përfshihen në procesin e Vetingut, i cili do të dojë rreth 7-8 muaj kohë, aq sa i është nevojitur Komisionit të Vetingut që të zhvillojë procedurat për çdo subjekt deri më tani. Nëse, në rastin më të mirë, anëtarët e rinj të KED-së kalojnë Vettingun, diku nga vera e vitit të ardhshëm, atëherë ata do të duhet të listojnë kandidatët për vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese. Këta të fundit, do të duhet të kalojnë procesin e Vettingut, para se të marrin zyrtarisht termin “kandidat” për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Pra, do të duhet të kalojnë edhe rreth 7-8 muaj të tjerë, pra, diku nga fillimi i vitit 2020 që të zgjidhen gjyqtarët Kushtetues. Deri në atë kohë, shefat e BE-së, Hahn-Mogherini-Vlahutin, me shumë mundësi nuk do të jenë në funksionet e tyre.

Edhe pa Gjykatë të Lartë. Kush do ta shqyrtojë rekursin e Prokurorisë për çështjen “Tahiri”?

Gjykata e Lartë, e copëtuar siç ka mbetur, pritet që shumë shpejt të shqyrtojë rekursin e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit. Ish-ministri i Brendshëm, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe korrupsion, i shpëtoi masës së sigurisë “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ndërkohë që Prokuroria këmbëngul për arrestimin e tij. Në 18 korrik, Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda dorëzoi rekurs në Gjykatën e Lartë, në të cilën kërkon që ndaj Saimir Tahirit të caktohet masa “arrest në burg”, për shkak se veprat mbi të cilat po hetohet janë të rënda dhe ai ka mundësi për prishjen e provave. Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, rekurset për masë sigurimi shqyrtohen në Gjykatën e Lartë brenda 30 ditëve. Por, ajo që ka ndodhur me anëtarët e Gjykatës së Lartë prej momentit të dorëzimit të rekursit deri më sot është “shkrirja” e saj, pothuajse plotësisht. Procesi i Vettingut shkarkoi në dy javët e fundit të Korrikut 5 nga 9 anëtarët e Gjykatës së Lartë. Aktualisht, gjykata supreme funksionon me staf minimal gjyqtarësh, vetëm 4, nga të cilët, dy prej tyre nuk i kanë mbyllur përfundimisht çështjet e Vettingut. Në këtë situatë, kur gjithnjë e më shumë po bëhet e dukshme se institucionet e Vettingut po veprojnë në bazë të vullnetit qeveritar, gjyqtarët e Lartë do të duhet të maten shumë mirë para se të vendosin për fatin e Saimir Tahirit. Në situatë normale, Gjykata e Lartë i merr vendimet e saj në Dhomë Këshillimi, ku rastet shqyrtohen nga 3 anëtarë ose në seancë publike, ku trupa gjykuese përbëhet nga 5 anëtarë. Në situatën aktuale, ku në funksion janë vetëm 4 anëtarë, me shumë mundësi, rekursi kundër Saimir Tahirit do të shqyrtohet në Dhomë Këshillimi, pasi aq e lejon edhe “aritmetika”.