Naço takim me Marco Leidekker: Reforma në drejtësi në përputhje me standardet e BE

67
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka pritur sot në një takim kortezie Kreun e Zyrës së KiE-së në Tiranë, Marco Leidekker, mandati i të cilit në këtë detyrë përfundon në fund të muajit shtator. Ministri Naço theksoi se bashkëpunimi midis institucionit që ai drejton me Zyrën e Këshillit të Europës në Tiranë gjatë periudhës që Leidekker drejtoi këtë zyrë, ka qenë cilësor dhe shprehu mirënjohjen për punën e bërë gjatë periudhës së ushtrimit të mandatit prej tij.

“Ministria e Drejtësisë do të vijojë me po të njëjtën frymë bashkëpunimi me Zyrën e KiE-së në Tiranë, edhe me pasardhësin tuaj”, theksoi Naço. Leidekker gjatë bashkëbisedimit evidentoi dhe vlerësoi mikëpritjen e treguar nga z. Naço gjatë ushtrimit të detyrës si ministër i Drejtësisë, për të diskutuar me drejtuesit dhe ekspertët e KiE-së, çdo detaj të lidhur me çështjet e fushës së veprimtarisë që mbulohet nga Ministria e Drejtësisë. Ndërkaq, ministri Naço theksoi se në këto momente kyçe të kristalizimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, asistenca e Zyrës së KiE-së në Tiranë është jo vetëm e mirëpritur, por dhe një mbështetje e madhe që kjo reformë të realizohet sipas kushteve dhe kërkesave për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Ministri Naço theksoi faktin se Shqipëria ka vuajtur nga zbatimi i sistemeve mikse, midis lindjes dhe perëndimit dhe kjo e ka dëmtuar sistemin tonë të drejtësisë. Për këtë i kam kërkuar dhe i kërkoj ekspertëve evidentimin e një modeli të përshtatshëm për t’u zbatuar në vendin tonë, i cili të jetë i përzgjedhur nga modelet e një prej vendeve të Bashkimit Europian.

“Bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë me Zyrën e KiE-së ka qenë i frytshëm dhe i një rëndësie të veçantë për sa i takon ndjekjes së parimeve themelore të Këshillit të Evropës si promovimi i demokracisë, forcimi i shtetit ligjor dhe të drejtat themelore të njeriut. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me KiE dhe ju shikojmë jo vetëm si partner, por dhe si garant për realizimin e procesit reformues të drejtësisë. Prania e Zyrës së KiE-së në Tiranë dhe ekspertëve tuaj është një mjet më shumë për ne, dhe kemi shumë për të përfituar nga përvoja juaj”, theksoi Naço Ndërkohë, Leidekker theksoi se reforma në sistemin e drejtësisë duhet të realizohet në mënyrën më të mirë dhe në përputhje me standardet për të cilat Shqipëria kërkon të integrohet. “Kjo reformë dhe cilësia e realizimit të saj mund ta çojë Shqipërinë 10-vjet përpara ose mbrapa, në varësi të përparimit të saj”, theksoi Leidekker.