Mosmiratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, rrezikon procesin zgjedhor të 21 qershorit

450
Komisioni parlamentar i Ligjeve nisi dje diskutimin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kreu i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj u shpreh se ndryshimet po bëhen për shkak të emergjencës së hartës së re dhe se nuk prekin asnjë amendament që ka të bëjë me zgjedhjet e përgjithshme. Opozita u paraqit në komision, por më pas u largua, duke iu bashkuar protestës së FRPD-së para kryesisë së Kuvendit për të kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës. Kështu që ky komision nuk mund ta miratonte projektligjin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke bërë që të kapërcehen të gjitha afatet e procesit zgjedhor, që parashikohen në Ligjin për Zgjedhjet dhe në Kodin Zgjedhor. 
Problematikat e procesit zgjedhor 
Më 8 mars 2015 ishte afati i fundit i parashikuar nga Kodi Zgjedhor për propozimin e anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) prej PS-së, PD-së, LSI-së dhe PR-së. Ky afat pasohet nga një tjetër afat në datën 23 Mars 2015, i cili është afati për miratimin dhe ngritjen e këtyre Komisioneve prej KQZ-së. Ngritja e KZAZ-ve e cila shënon në vetvete intensifikimin e proceseve që duhen përgatitur për realizimin e procesit zgjedhor të datës 21 qershor 2015, tashmë është e pamundur dhe ka ngecur për shkak të paplotësisë ligjore e konkretisht për shkak të mosndryshimit të Kodit Zgjedhor, të paktën përsa dikton ligji i ri ndarjes administrativo-territoriale. Ndarja aktuale e territorit në 89 ZAZ të miratuara në Zgjedhjet e kaluara Parlamentare, për zgjedhjet lokale të 21 qershorit rezulton e pambështetur në ligj pasi ajo është miratuar duke u bazuar mbi rrethin administrativ si juridiksion territorial, i cili nuk ekziston më si koncept në ligjin e ri administrativo-territorial të miratuar. Po ashtu, kjo ndarje nuk është as funksionale pasi në një pjesë të konsiderueshme të ZAZ-ve nuk sigurohet kriteri i pandashmërisë, në ndarjen e re me 61 bashki.
Petrit Vasili: Opozita bëhet pengesë për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e 21 qershorit
Zgjedhjet e ardhshme të 21 qershorit janë një sfidë madhore, pasi me to do të formësohet një pushtet i ri vendor, i cili ndryshon rrënjësisht cilësinë e qeverisjes për qytetarët dhe që përmbush pritshmëritë e tyre për një pushtet që zgjidhet nga ata dhe përmbush nevojat e tyre. Në Parlament janë paraqitur me kërkesë të KQZ-së ndryshimet përkatëse në kodin zgjedhor, ndryshime të domosdoshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 21 qershorit, ndryshime këto, sqarojmë të karakterit thellësisht teknik, të cilat ende nuk janë miratuar, duke krijuar një problem të madh në administrimin e këtyre zgjedhjeve, pasi pengesa e vetme deri në këtë moment me gjithë përpjekjet e mëdha dhe durimin pafund të maxhorancës ka qenë mungesa e plotë e vullnetit të opozitës për t’u përfshirë në këtë proces dhe pikërisht për këtë arsye unë jam këtu për t’i bërë thirrje opozitës që ta braktisë qëndrimin bojkotues dhe refraktar por të bashkëpunojë ashtu siç ka qenë edhe fryma e marrëveshjes së 24 dhjetorit. Në Kuvendin e Shqipërisë u paraqitën gjithashtu dhe u miratuan në komisionet përkatëse parlamentare dhe ndryshimet në ligjin për organizimin dhe funksionim e qeverisjes vendore. Ndryshime këto, siç mund ta kuptojë kushdo, tepër të domosdoshme për të filluar me shpejtësi, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të 21 qershorit, realizimin konkret të reformës themelore të paraprirë nga ligji për ndarjen territoriale administrative të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë dhe për këtë proces jetik nuk ka më asnjë minutë kohë për të humbur. Gjatë procesit të diskutimit e miratimit në komisione të ndryshimeve të ligjit për kompetencat e qeverisjes vendore, opozita bojkotoi e refuzoi tërësisht të merrte pjesë në diskutimin e tij, duke demonstruar një mungesë të plotë përgjegjshmërie e duke harruar tërësisht qytetarët dhe duke synuar të shpërdorojë interesat e tyre për qëllime të pastra politike të ditës e duke harruar se ky pushtet vendor nuk do të jetë pushtet i njërës apo tjetrës palë, por do të jetë një pushtet i ri, thellësisht cilësor dhe në interes vetëm e vetëm të qytetarëve të këtij vendi, pasi çdo i zgjedhur do të jetë në shërbim të komunitetit dhe jo të interesave të forcave politike, do të jetë atje për një pushtet i cili nuk do të riprodhojë sjelljet e papërgjegjshme të së shkuarës, të bllokimit të pushtetit lokal për interesa politike në dëm të komunitetit si dhe të bllokimit të vazhdueshëm të projekteve të rëndësishme për hir të interesave që dita politike të imponon. Duke vlerësuar, dhe këtu do të kërkoja vëmendjen e të gjithë opinionit publik, se shumë pak kohë na ka mbetur deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, pra thënë thjesht koha nuk pret, kërkojmë që ndryshimet në kodin zgjedhor si dhe ndryshimet për ligjin e organizimit dhe funksionimit të qeverisjes vendore të paraqiten sa më parë për miratim në seancë plenare dhe opozita të lërë përfundimisht mënjanë destruktivitetin dhe obstruksionizmin politik për interesat politike të ditës, por të marrë pjesë aktivisht e të paraqesë amendamentet e saj të cilat do t’i nënshtrohen debatit parlamentar me qëllimin e përbashkët për të realizuar një pushtet lokal funksional dhe që gëzon besimin dhe votat e qytetarëve. Është fare e qartë pra që çdo shmangie nga ky detyrim prej opozitës do të thoshte kundërvënie e drejtpërdrejtë ndaj interesave të qytetarëve që presin shërbime më të mira dhe jo politikë fjalësh. Në mënyrë të veçantë për kodin zgjedhor, këto ndryshime, është pezulluar miratimi i tyre duke e pritur opozitën ta jap kontributin e saj. Sigurisht ne nuk do t’i bëjmë shërbim pafundësisht këtij obstruktiviteti, i cili ka qëllim taktik politik për të penguar ecjen përpara të kësaj reforme të rëndësishme dhe nuk ka interesa aspak ndaj qytetarëve. Megjithatë, ne pa asnjë paragjykim e kemi pritur dhe do të vazhdim ta presim me këtë frymë, por sigurisht dhe brenda atyre limiteve që dhe Kushtetuta ne na imponon.
Igli Totozani: Ja rekomandimet tona për ndryshime në Kodin Zgjedhor
Institucioni i Avokatit të Popullit në kuadrin e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të grave në vendin tonë, vlerëson se nisur nga vlerat dhe aftësitë e tyre duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes në të gjitha nivelet. Vitet e fundit, problemet me të cilat hasen gratë shqiptare kanë qenë në vëmendjen e opinionit publik. Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë përshkohet nga parimi se “Çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod”. Shteti duhet të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar pjesëmarrjen efikase të grave në jetën politike, publike si dhe në sektorë të tjerë të shtetit. E drejta e votës përbën një instrument që të qeverisin vetë shtetasit. Duke ushtruar të drejtën e votës zgjedhësve iu krijohet mundësia të ndikojnë në mënyrën dhe cilësinë e funksionimit të rendit juridik duke rritur përgjegjshmërinë e tyre për rolin që kanë në drejtimin e jetës së vendit. Ky është në fakt edhe thelbi i demokracisë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 45 të saj, parashikon të drejtën e çdo individi mbi 18 vjeç të zgjedhë e të zgjidhet. Megjithëkëtë ende jemi larg kuotës gjinore minimum 30 % të synuar dhe premtuar nga partitë politike. Respektimi i të drejtave të grave është mënyra më e mirë për të dëshmuar seriozitetin e premtimeve politike të partive fituese në zgjedhje dhe një tregues i zhvillimit të demokracisë në vend. Kodi Zgjedhor ende nuk përmbush një ndër parimet bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, atë të barazisë së shtetasve. Kjo është e vetmja mënyrë dhe mekanizmi i duhur sesi partitë politike në Shqipëri të garantojnë përfaqësim të denjë të burrave dhe grave në politikë. Të gjithë së bashku duhet të krijojmë mundësitë që gratë të jenë pjesë e politikës, sepse barazia gjinore, përfaqësimi dhe pjesëmarrja e tyre në politikë janë çështje thelbësore e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut. Avokati i Popullit përkrah iniciativën e Aleancës së Grave Deputete (AGD) të Parlamentit të Shqipërisë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor me qëllim përmirësimin e përfaqësimit të gruas në politikë. Sa më sipër, nisur nga fakti se:
– Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor parashikuan sanksione për partitë politike që nuk e përmbushnin kushtin që 30 % e listës shumëemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumëemërore t’i përkasë secilës gjini, sanksionet e parashikuara kanë rezultuar të buta dhe gratë ende janë të nënpërfaqësuara. 
– Për rritjen e demokratizimit të qeverisjes dhe vendimmarrjes në vendin tonë dhe për garantimin e barazisë së shtetasve duke krijuar mundësi të barabarta përfaqësimi e pjesëmarrjeje e balancë gjinore,
Dhe bazuar në nenin 24 të Ligjit nr. 8454 dt. 4.02.1999 “Për Avokatin e Popullit” i ndryshuar
REKOMANDOJMË
-Ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë me synimin e:
1-garantimit të barazisë gjinore (pra 50%) në mënyrë të plotë në përbërjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me synimin që në zgjedhjet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë të ketë një numër jo më pak se 70 gra deputete.
2-që në këshillat e ardhshëm bashkiakë 50% të jenë gra, duke krijuar kështu akses të barabartë të grave dhe burrave për përfaqësimin në organet e qeverisjes vendore.
3-shtimin në përmbajtjen e tij “të refuzimit të listës së partive politike në rastet kur nuk plotësojnë barazinë e plotë të përfaqësimit të gjinive”.
Sigal