Ministri Ahmetaj, “Arsimi dhe formimi profesional, garanci për të ardhmen e të rinjëve, kontribut për ekonominë e vendit”

523
Dita e Rinisë, të rinjtë e kurseve profesionale në shërbim të komunitetit. 
Me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, të rinjtë e shkollave dhe kurseve të formimit profesional në Tiranë, kanë zgjedhur një mënyrë të vecantë për t’i dhënë kësaj dite një dimension më të njerëzishëm dhe modest, në shërbim të komunitetit.
Ata kanë lancuar projektin “Të rinjtë në shërbim të komunitetit”, duke inauguruar shtëpinë e parë të realizuar nga vetë ata, që nga projektimi, ndërtimi me materiale të riciklueshme, punimet hidraulike dhe teknike, e deri tek paneli diellor për ngrohje, që sërish është zhvilluar nga ata vetë duke prezantuar një inovacion të ri.
Në këtë projekt u angazhuan të rinjtë e Ecovolis dhe Drejtorisë së Formimit Profesional nr.4, me studentët e kurseve Profesionale Hidraulike, Paneleve Diellore, Saldimeve, Elektrike , Sistemeve të Thata dhe të Përpunimit të Drurit, drejtuar nga instruktorët. Promovimit të kësaj nisme, iu bashkua sot edhe Ministri Arben Ahmetaj.
“Ka dy elementë që ia vlen të përmenden në këtë nismë të kursantëve të kurseve profesionale. E para, me shumë dashuri ata arritën duke vënë në punë të gjitha ato që mësojnë në kurset profesionale, të bëjnë një strehë modeste për familjen e Zanës dhe mbi të gjitha japin një sinjal shumë interesant që të gjitha ato kapacitete që krijojnë në këto kurse, mund t’i vënë në jetë nesër në favor të familjeve, në favor të jetëve të tyre dhe sigurisht pastaj duke kontribuar dhe në ekonomi.
Folëm këtu për kurse për saldimin, për kurse për zdruktharinë, për rrobaqepësinë, janë profesione të cilat në tingëllimen e parë janë modeste, por në jetët e njerëzve kanë mundësi të ndryshojnë jashtëzakonisht shumë, duke iu afruar mundësinë e një pune dhe më tej pastaj, sigurisht edhe të një ecurie profesionale.
Ne si Ministri dhe mbi të gjitha si Qeveri, kemi në fokus reformimin e Shkollave Profesionale në qendra multiprofesionale, në mënyrë që të ndihmojmë të rinj dhe të reja si këta këtu, të marrin profesione dhe të kenë mundësi të rrinë larg atyre profesioneve “virtuale” që janë prodhuar në masë në këto vite, e të kenë profesione konkrete që në përditshmërinë ekonomike dhe të sipërmarrjes, kanë mundësi që të garantojnë, të sigurojnë jetën e tyre dhe vazhdimësinë e tyre në profesion.
Një falenderim për të gjithë kursantët që kanë pasur mundësi të ndihmojnë familjet në nevojë. Është shumë interesante të theksoj një element nga kjo strehëz modeste, është ai inovacion jashtëzakonisht shumë interesant i panelit të energjisë i bërë me materiale të riciklueshme, edhe të gjithë ata, që nga inxhinierja dhe deri tek kursantët që e prodhuan atë panel, duhet patjetër që ta patentojnë sepse është në inovacion, sado modest, më besoni që është shumë, shumë interesant dhe besoj që ju do ta përsërisni dhe në shtëpizat e tjera dhe në strehëzat e tjera për njerëz në nevojë” – tha Ministri.
Kjo është shtëpia e pare e projektit, në të cilën do të gjejë strehë një nënë me vajzën e saj të vogël. Qëllimi është të shtrihet më tej për të ndërtuar fshatin e parë social në zonën e Tufinës, duke vënë në praktikë dijen dhe aftësitë e fituara përmes kurseve të trajnimit profesional
Sigal