Meta takim me homologun e Gjeorgjisë, David Usupashvili

44
Në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare mbi transparencën parlamentare që po zhvillohet këto ditë në Tbilisi, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta u prit nga Kryetari i Parlamentit të Gjeorgjisë, z. David Usupashvili. Kryetari i Parlamentit të Gjeorgjisë z. Usupashvili pasi i uroi mirëseardhjen z. Ilir Meta dhe delegacionit shqiptar në Tbilisi e vlerësoi këtë vizitë të parë të një Kryeparlamentari shqiptar në Gjeorgji si një hap shumë të rëndësishëm që hidhet në dinamizimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë. Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta pasi shprehu kënaqësinë e kësaj vizite në Gjeorgji, u shpreh se marrëdhëniet miqësore dhe simpatia reciproke që ekziston mes dy popujve kërkon një bashkëpunim dypalësh më aktiv e më konkret, ku dy parlamentet mund të luajnë një rol parësor.

Në këtë drejtim, z. Meta u shpreh se Shqipëria i mbështet plotësisht aspiratat euro-atlantike të Gjeorgjisë si një orientim i qartë në interes të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Kaukazit. Në këtë kuadër, z. Meta konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe shprehu vullnetin për forcimin e bashkëpunimit dypalësh si në planin ndërparlamentar, ashtu edhe në drejtim të plotësimit të kuadrit ligjor të nevojshëm. Z. Usupashvili shprehu mirënjohjen e Gjeorgjisë dhe popullit të saj për mbështetjen e qartë të Shqipërisë dhe ndau bindjen e përbashkët se dy parlamentet duhet të punojnë më ngushtë së bashku për hapjen e mundësive të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve.
Në përfundim, z. Meta e ftoi z. Usupashvili për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.