Meta paralajmëron: 18 qershori, jo një hap drejt krizës zgjedhore

44
Kryetari i Kuvendit dhe LSI-së thekson rëndësinë e vendosjes së dialogut politik dhe forcimit të paqes sociale e stabilitetit
Kryetari i Kuvendit dhe LSI-së, Ilir Meta, paralajmëroi për rrezikun që zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit mund të thellojnë krizën politike dhe të prodhojnë një krizë zgjedhore. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në një trajnim informues me të rinjtë e Fierit mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Duke folur para të rinjve fierakë, Meta tha se integrimi evropian nuk do të thotë thjesht realizimi i disa ligjeve, por do të thotë realizimi i disa standarde në praktikë, të cilat preken çdo ditë nga qytetarët, që nga mjedisi, infrastruktura e deri te një vend pune më i mirë.

“Në radhë të parë integrim evropian do të thotë që të kemi një nivel evropian të komunikimit me njeri-tjetrin, në komunitet dhe kudo, e në mënyrë të veçantë në politikë, sepse kjo po na kthehet në një pengesë serioze për të gjithë ecurinë e integrimit evropian të vendit”, u shpreh kreu i LSI-së, duke theksuar rëndësinë e vendosjes së dialogut politik për të pasur zgjedhje me standarde evropiane dhe për të garantuar realizimin e reformave që na afrojnë me Bashkimin Evropian. 

“Dua të nënvizoj rëndësinë e vendosjes sa më shpejtë të dialogut politik për të garantuar zgjedhje të standardeve plotësisht evropiane më 18 qershor, në mënyrë që vendi çdo ditë e më shumë të hedhë një hap drejt këtyre zgjedhjeve, që duhet të jenë plotësisht të standardeve evropiane dhe jo të kthehet në një hap drejt thellimit të një krize politike apo të një krize zgjedhore, sepse kjo na largon nga Bashkimi Evropian dhe njëkohësisht cenon ecurinë e të gjithë reformave të tjera, që janë jetike, jo vetëm për integrimin evropian, por në radhë të parë për të forcuar paqen sociale dhe stabilitetin politik në vend, për të forcuar sundimin e ligjit, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe për të siguruar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e biznesit vendas e sidomos për tërheqjen e investimeve të huaja”, deklaroi ndër të tjera kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Nga ana e saj, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Erisa Xhixho, tha se procesi i integrimit do të thotë standarde më të mira në edukim dhe nivel më të mirë jetese. “Procesi i integrimit dhe përfshirja e të rinjve në procesin e integrimit është jetik për të ardhmen e vendit, por mbi të gjitha për të ardhmen evropiane të të rinjve dhe gjithë Shqipërisë. Padyshim kur flasim për procesin e integrimit, flasim gjithmonë për standardet më të mira në edukim, standarde më të mira në infrastrukturë, standarde më të mira jetese. Në mënyrë që ju të keni të njëjta kushte, të njëjta standarde si bashkëmoshatarët tuaj në Evropë”, deklaroi Xhixho. Ndërkohë, ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, u shpreh se të rinjtë duhet të përfitojnë nga programet e Bashkimit Evropian dhe se u takon institucioneve që t’u japin të rinjve mbështetjen e duhur. “Procesi i integrimit u përket të rinjve. Ju duhet të përfitoni nga programet e BE-së, të cilat janë të dedikuara për rininë dhe u takon të gjitha institucioneve t’ju japin informacionin dhe mbështetjen që ju duhet. Kërkojeni këtë informacion. Erasmus + ofron një mundësi të shkëlqyer të shkëmbimit njerëzor dhe integrimi i vërtetë është pikërisht ky”, tha Gjosha.

LSI ka bërë vazhdimisht thirrje për nisjen e një dialogu mes palëve politike, në mënyrë që të gjendjet një zgjidhje për situatën e rënduar politike, ndërsa opozita prej 18 shkurtit po zhvillon një protestë pa ndërprerje, duke kërkuar një qeveri teknike, si kusht për pjesmarrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.