Meta në Lezhë: Respekt mesazheve të Besëlidhjes

588
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore të zhvilluara me rastin e 574-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në ceremonitë zyrtare ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë së Kosovës, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, drejtues të pushtetit vendor të Lezhës, deputetë si edhe personalitete të ndryshme shqiptare nga rajoni. Presidenti Meta, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, dhe nga të personalitete e tjera të ftuar, vendosi një kurorë me lule në Muzeun-Memorial të Vendvarrimit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Obeliskun e Besëlidhjes, Presidenti i Republikës mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u shpreh se “Lezha është një qytet me fat, e bekuar nga Zoti, e bekuar dhe nga Skënderbeu”. “2 Marsi është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, pa asnjë diskutim, në radhë të parë për vetë lezhjanët, të cilët janë gjithmonë edhe mikpritësit e këtyre ngjarjeve shembullore, të cilat na obligojnë, jo vetëm të kujtojmë veprën më të madhe që ka bërë Gjergj Kastriot Skënderbeu, bashkimin e shqiptarëve, duke e nisur me Besëlidhjen e Lezhës, por njëkohësisht përkujtojmë dhe të gjithë ngjarjet e tjera të mëpasshme, të cilat shpëtuan kombin tonë nga rreziku i asimilimit dhe i shpërbërjes, të cilat udhëhoqën të gjitha gjeneratat drejt besëlidhjeve të mëpasshme, që nga ajo Prizrenit, nga Kongresi i Manastirit, që nga Shpallja e Pavarësisë në Vlorë, e cila gjithashtu si bashkimi i mbarë kombit për të krijuar shtetin tonë, e deri tek ngjarjet madhore, të cilat sollën ekzistencën e shtetit të Kosovës që festoi pak ditë më parë 10-vjetorin e tij”, tha Meta. Duke theksuar rëndësinë e figurës së Skënderbeut dhe lidhjes së shqiptarëve kudo ku jetojnë me të, Presidenti i Republikës vuri në dukje se “mesazhin kryesor që jep kjo Besëlidhje dhe që ka lënë pas si trashëgimi dhe si amanet Skënderbeu për të gjithë gjeneratat dhe për të gjithë kombin tonë: Atë të bashkimit në interes të kombit; atë të sinergjisë pozitive të gjithë shqiptarëve për të bërë vepra të mira, të cilat i qëndrojnë kohës, të cilat e lartësojnë kombin tonë dhe unë besoj që në këtë Vit të Skënderbeut, ne të gjithë do bëjmë gjithçka që t’i qëndrojmë këtij mesazhi për të forcuar akoma më tej pozitën e Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve kudo në rajon dhe në botë, si një vend dhe si një komb i qytetëruar, sepse flasim për arritje të reja, për integrimin evropian”. “Nuk ka kontribut më të veçantë dhe më të shquar se sa ai i Skënderbeut përveç bashkimit të kombit dhe ai i përcaktimit të identitet evropian dhe si kontribues me merita madhore në këtë drejtim në mbrojtje të vlerave evropiane. Kjo është arsyeja që figura e Skënderbeut është i njohur në të gjithë Evropën. Kjo është arsyeja që për të janë bërë, jo vetëm vepra të jashtëzakonshme, artistike, vepra të cilat kanë tërhequr artistë, piktorë, shkrimtarë, poetë nga më të njohurit, por njëkohësisht është një figurë që sot na prezanton përsëri në mënyrë më të denjë kudo. Ndaj, jo rastësisht Fan Noli duke iu referuar kësaj figure madhore ka thënë që: ‘Skënderbeu gjithmonë do të jetë më i gjalli ndër shqiptarët e gjallë’, sepse vazhdon të na bashkojë si askush tjetër dhe vazhdon të jetë udhërrëfyesi ynë më i mirë me veprën e tij, me mesazhin e tij sidomos atë të Besëlidhjes së Lezhës për të ecur përpara si një komb dinjitoz, si një komb evropian”, u shpreh Presidenti Meta.
Sigal