Mblidhet sot Këshilli i Rregullores për mandatin e Leskajt dhe Sulit

434
Këshilli i Rregullores Mandateve dhe Imuniteteve mblidhet sot paradite (ora 11:30) për të vendosur rreth mandateve të deputetëve socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, të akuzuar nga opozita se kanë përfituar fonde publike në kushtet e konfliktit të interesit. Pas shqyrtimit sot në Këshill, të enjten parlamenti do të votojë dhe projektvendimin përkatës, i cili do t’i hapë rrugën dërgimit për interpretim në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të dy deputetëve. Disa javë më parë Kuvendi dërgoi në Kushtetuese mandatin e deputetit Koço Kokëdhima, i cili po ashtu akuzohej nga opozita se ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, së bashku me miratimin e amendamenteve për ligjin e funksionimit te komisioneve hetimore dhe atyre në ligjin për dekriminalizimin, janë tre kushtet e vendosura nga Partia Demokratike për rivendosjen e normalitetit në marrëdhënien e saj me parlamentin.
Sigal