Kryeministria refuzon të dorëzojë dokumentet sekrete për komisionin hetimor “Tahiri”

528
Hetimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ishte ngërçi i lobimit që bëri kryeministri Rama në Gjermani. Kancelarja Merkel, por edhe deputetë gjermanë i kërkuan kryeministrit Rama që çështja “Tahiri” të gjykohet sa më parë, duke i bërë të qartë, se ata presin të arrestohet, si provë e vullnetit të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit. Mirëpo, Kryeministria, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk kanë dërguar dokumentet sekrete që kërkoi Komisioni Hetimor Parlamentar për çështjen “Tahiri”. Dje në këtë komision parlamentar, deputetët e opozitës thanë se refuzimi është i qëllimshëm, pasi një pjesë e deputetëve si nga PD, ashtu edhe nga PS janë të pajisur me certifikatat e sigurisë. “Duke filluar nga Kryeministria, Ministria e Drejtësisë, përgjigjet në forma të ndryshme dhe absurde. Gjysma apo më shumë se anëtarë të Komisionit janë të pajisur me certifikata sigurie, por mesa duket Edi Rama paska pritur që të pajisesha edhe unë që të dërgonte dokumentet. Ministri Xhafaj na pyet, nëse e kemi miratuar ligjin, ai kërkonte shtyrje afati, të planifikojë plani i hetimit. Ministria e Mbrojtjes kërkon shtyrje afati pasi dokumentet kërkojnë një afat më të gjatë, pasi duhet punë e gjatë dhe voluminoze. Asnjë institucion që është nën pushtetin Edi Ramës nuk ka sjellë asnjë informacion, edhe pse afati i shumë prej tyre ka kaluar” u shpreh Edi Paloka në mbledhjen e komisionit. Shërbimi Informativ Shtetëror, ndryshe nga qeveria, ka pranuar të sjellë dokumentet që kërkon komisioni, – tha gjatë mbledhjes Enkelejd Alibeaj, që propozoi kallëzim penal për drejtuesit e këtyre institucioneve. Objekti i punës të Komisionit Parlamentar Hetimor për çështjen “Tahiri” do të jetë verifikimi i pasojave të vendimit të parlamentit për të mos lejuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm të akuzuar për përfshirjen në trafikun e drogës. Një tjetër objekt do të jetë dhe verifikimi i rolit të Ministrisë së Drejtësisë në ekstradimin në Itali të Nazer Seitit, i akuzuar dhe si financier i grupit ‘Habilaj’ të arrestuar në Itali. Opozita akuzon se me këto veprime, si Kuvendi ashtu edhe Ministria kanë ndikuar në procesin hetimor.
Sigal