Kriza, sot misioni i fundit nga përtej Atlantikut

70
Zv/ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee, zbret në Tiranë, me synimin për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik që vijon prej 13 javësh

Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee, do të zbresë sot në Tiranë, me synimin për t’i dhënë zgjidhje një krize politike që vijon prej 13 javësh në Shqipëri dhe rrezikon të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Do të jetë kjo ndoshta përpjekja e fundit për të gjetur një pikë të përbashkët mes qeverisë dhe opozitës, ndonëse palët duket se janë mjaft larg njëra-tjetrës në qëndrime dhe kërkesa. Opozita kërkon ngritjen e një qeverie teknike, si dhe votim e numërim elektronik, si kusht për të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa është e gatshme të ofrojë vetëm një skemë mbikëqyrëse në disa ministri të lidhura me procesin zgjedhor. Disa negociata të mëparshme, me sponsorizim të rëndësishëm nga Parlamenti dhe Bashkimi Evropian kanë dështuar, ndonëse në tryezat politike ka mbetur e ashtuquajtura paketa “McAllister”. Një përpjekje nga diplomacia e përtej Atlantikut është parë shpeshherë si mundësia më reale për gjetjen e një zgjidhjeje.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, diplomati i Uashingtonit do të bisedojë me kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit, Meta dhe shefin e opozitës, Basha. Ndërkohë, burime diplomatike flasin edhe për një takim të Hoyt Brian Yee me deputetë të Partisë Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar qëndrimet e kryetarit Basha. Vizita e zyrtarit të SHBA-së vjen vetëm 33 ditë larg 18 qershorit, datës së dekretuar të zgjedhjeve parlamentare, çka e bën edhe më të vështirë misionin e tij për gjetjen e zgjidhjes. Sipas ekspertëve, edhe një konsensus politik i minutës së fundit, i nxitur nga misioni amerikan në Tiranë, do ta bënte të vështirë nga ana teknike përfshirjen e opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit. Për këtë arsye, janë shqyrtuar disa mundësi, mes të cilave edhe spostimi i zgjedhjeve për më 23 korrik. 

Mesazhi nga Budva
Zyrtari i lartë amerikan ndodhet prej ditësh në rajon, në kuadër të një turi që përfshin edhe Malin e Zi, ndërsa më parë ai ishte në Kosovë e Maqedoni. Para mbërritjes në Tiranë, diplomati i Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, bëri një apel, gjatë forumit 2BS të mbajtur në Budva, për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë. Hoyt Brian Yee u shpreh se qytetarët i japin besim politikanëve për t’u përballur në fushën e betejës që është Parlamenti. “Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt, se besimi i takon njeriut që është në të vërtetë në fushë betejë, jo njeriut që tregon se si të pengojë më të fortin”, tha Yee, sipas një artikulli të botuar në portalin “European Western Balkans”. Ai shtoi se qeveritë në rajon, duke përfshirë Malin e Zi, duhet të luftojnë korrupsionin.

Gjithashtu, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit deklaroi, se Amerika do të qëndrojë pranë çdo vendi të rajonit. “Partneriteti i Shteteve të Bashkuara dhe BE nuk do të ndryshojë. Amerika është e përkushtuar ndaj aleancës veri atlantike”, deklaroi Yee.

Kolegji
Një pikë e rëndësishme për ecurinë e zgjedhjeve parlamentare do të jetë edhe vendimi i Kolegjit Zgjedhor gjatë kësaj jave. Më 18 maj, pikërisht në ditën e nisjes zyrtare të fushatës elektorale, Kolegjit i është kërkuar të shprehet për dy padi të bëra nga agrarët e Agron Dukës dhe çamët e Artur Dojakës. Në thelb të njëjta, paditë kërkojnë shfuqizimin e listave të kandidatëve për deputetë, të paraqitur më 29 mars në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me pretendimin se janë dorëzuar jashtë afatit. Një kërkesë, që nëse pranohet nga Kolegji, do t’i linte 15 partitë e mbetura në garë pa kandidatë për deputetë, duke e futur procesin edhe në një paqartësi ligjore, krahas krizës politike.