Kosova: Ulje taksash e shtim të fondit të garancisë për vende të reja pune

17
Kandidati i djathtë për kryebashkiak në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorë të njësisë 2 në Tiranë, në zonën pranë Qytetit Studenti, ku ndau me ta disa prej prioriteteve të tij. Kosova tha se në këto zgjedhje, qytetarët do të vlerësojnë personin tek i cili besojnë.
“Për veten time, sondazhin më të mirë kam sytë e atyre që më rrethojnë. Në qoftë se sytë e atyre që me rrethojnë flasin kështu siç flisni ju, nuk ka sondazh që e zbeh përqindjen dhe sigurinë e fitores së 21 Qershorit. Kjo nuk ka diskutim. Qytetarët votojnë qeverinë ose votojnë në rastin tonë kryebashkiakun për t’i zgjidhur problemet e tyre. Nuk e votojnë as qeverinë, as kryebashkiakun për të krijuar më shumë probleme. Pra kur vjen momenti i votës, çdo kush do ta hedhë votën atje ku beson. Aty ku beson jo për atë që zgjidhet, por aty ku beson për veten e tij, për familjen e tij, për lagjen e tij, për qytetin e tij. Kështu që ky është rasti që në 21 Qershor, të gjithë të hidhni votën, aty ku ju besoni, aty ku keni njerëzit me provë dhe që me modesti po e them që ai jam unë. 
Gratë do të favorizohen në biznes, në mënyrë që fondi i garancisë që Bashkia e Tiranës ka ngurosur në Bankë, prej 5.2 Milion Dollarësh, në mënyrë që gratë biznesmene, por dhe të rinjtë e me rradhë, për një ide që kanë, për një projekt që kanë, të kenë mundësi të marrin financimin e duhur, në mënyrë që kjo ide mos të rrijë në mendje dhe në kokë, por të bëhet realitet. Eshtë bashkia e Tiranës garante, edhe për përqindjet, edhe për kolateralin, me një kusht që eksperti i bashkisë, ose të fushave ku ju mendoni të shtrini aktivitetin. Unë e konsideroj që qeveria duhe të bëjë politika dhe ka përgjegjësi për të gjithë vendin dhe çdo menaxher qyteti duhet të bëjë më të mirën për të gjithë qytetarët që ka nën juridiksionin e tij. Unë kështu e konsideroj dhe kurrë nuk e konsideroj që qytetari të hajë pasojat e një lufte politikë midis partive të ndryshme për interesa personale, për xhelozira apo kush të kapë një post drejtues. Qytetari për mua është një dhe në radhë të parë është hallexhiu, në rradhë të dytë është merita dhe asnjë lloj vendi pune nuk do të ketë mundësi të blihet, të shitet siç kemi dëgjuar të gjithë bashkërisht që ka ndodhur, por çdo njeri sipas hallit dhe meritës do të marrë atë që i takon”, tha Kosova. 
Më tej kandidati për kryebashkiak ka një mesazh për rëndësinë e votës me 21 qershor. “Unë dëgjoj lart e poshtë që kanë filluar të shiten dhe të blihen dhe i them që nuk dua të di gjë. E dinë vetë se çfarë bëjnë njerëzit, por në qoftë se hallexhiu do të mendoje të gjeje një zgjidhje për një ditë ose për dy ditë pavarësisht që është i stërmbytyr nga hallet, kjo nuk është zgjidhja që vendi kërkon në vazhdimësi. Le të mblidhemi të gjithë bashkë, gjykojeni vetë ku keni besim që të mendojmë se çfarë do të bëjmë për 4 vjet dhe jo për një ditë,2 ditë apo për një javë. Këtë e keni në dorë ju”, tha Halim Kosova.