“Kontributi, merita dhe rezultati do të jenë kriteret e ndërtimit të marrëveshjeve”

469
Sigal

INTERVISTA/ Petro Koçi, Kryetari i PSV’91: “Koalicioni është instrumenti elektoral që kompenson defektet e sistemit  zgjedhor për t’i fituar zgjedhjet”

– Zoti Koçi, ju dje u shprehët se Dule nuk ishte për arsye teknike, ndërsa ai u prononcua se ka probleme politike të aleatojë me PD-në ose PS-në, po qe se ato aleatojnë me AK-në dhe PDIU-në. Cili opsion është më real?

– PBDNJ-shi  nuk e ka refuzuar tryezën politike të opozitës. Ishte paralajmëruar prezenca e Dules. Si parti e minoritetit grek, PBDNJ natyrshëm ka diferenca me koalicionin tonë  në trajtimin e disa çështjeve, si marrëveshja e Berishës për përcaktimin e kufijve detarë me Greqinë, etj..

– Cilat janë objektivat që ka PS-ja për të arritur përmes koalicionit dhe cilat janë objektivat e aleatëve me PS-në?

– Koalicioni është instrumenti elektoral që kompenson defektet e sistemit e procesit zgjedhor për t’i fituar zgjedhjet. Objektivi është i përbashkët: të fitohen zgjedhjet për të realizuar rotacionin e bllokuar politik e qeverisës. Vetëm rotacioni sjell ndryshimin. Ndryshimi vjen nëpërmjet fitores së opozitës.

– Cilat janë kërkesat e aleatëve ndaj Ramës, sesi duhet të zhvillohet ky koalicion?

– Me PS-në do hartojmë marrëveshje dypalëshe. Kjo do të thotë se në përputhje me kontributet e deritanishme dhe ato elektorale në vijim do të mbërrihet tek formulimi i mënyrës së bashkëpunimit me çdo parti aleate. Kontributi, merita dhe rezultati do të jenë kriteret e ndërtimit të marrëveshjeve. Natyrshëm që gjatë negociatave do llogaritet edhe efekti përjashtues i Kodit.

 – A u shprehën rezerva nga palët në këtë takim?

– Në parim u ra dakord për bashkim të fuqishëm paraelektoral dhe për ndërtim marrëveshjesh dypalëshe me PS-në.

– Cilat do të jenë themelet e platformës elektorale të koalicionit të majtë?

– Do të ketë një program politik e qeverisës të përbashkët të bazuar mbi programin elektoral të PS-së. Themeli i këtij programi do të jenë ndërgjegjja shtetërore dhe kombëtare e qeverisjes së re.

– Ndarja e pushtetit, do të jetë marrëveshje sipas kontributit të secilës parti në bazë të votave të fituara?

– Ky është kriter demokratik dhe europian. Qeverisja e re e vendit duhet të përfaqësojë preferencat elektorale të qytetarëve. E rëndësishme është të kuptojmë që partitë ndajnë pushtetin dhe jo shtetin mes tyre.

Për partitë që kanë një numër më të madh votash, a është diskutuar që kryetarët e tyre të futen në listën e zgjedhjeve të PS-së?

 Marrëveshjet mes PS-së dhe secilës parti aleate kanë akoma kohë për tu hartuar. Lista e përbashkët në qarqe të caktuar mund të jetë një format bashkëpunimi. Por deri tani nuk ka filluar diskutimi i marrëveshjeve.

Një bashkëpunim i mundshëm  parazgjedhor PS-LSI, do të jetë në plotësimin e këtij kuadri të aleancës, apo jashtë kësaj aleance?

 -LSI-në nuk e merr Rama për dore, por Meta. Duhet pyeturLSI-ja për pozicionin që do mbajë në të ardhmen.LSI-ja është në bashkëqeverisje me PD-në dhe më duket e palogjikshme të flitet për mundësitë e bashkëpunimit PS-LSI, sikurLSI-ja të ishte në opozitë.

Kjo aleancë a është e hapur edhe për AK-në dhe FRD-në, apo ato janë në nivelin e marrëdhënieve që do të ndërtojë PS-ja veçmas me ato?

 – Nuk mendoj se ka ardhur koha që partitë e papërcaktuara  të thonë fjalën e fundit për koalicionet ku do integrohen.