Konflikti i Pallatit të Kulturës në Përmet, drejt zgjidhjes paqësore

454
Sigal

Konsulli grek në Gjirokastër ulet në bisedime me Kryebashkiakun e Përmetit

 Më në fund, palët ulen në tavolinën e bisedimeve, për të zgjidhur larg dhunës e protestave çështjen e pronësisë të Pallatit të Kulturës në Përmet. Kështu, konsulli grek në Gjirokastër, Nikolas Kotrokoi dje zhvilloi një takim me Kryebashkiakun e Përmetit Gilberto Jaçe për çështjen e Pallatit të Kulturës, godina e së cilës ka nxitur konfliktin mes kishës dhe Bashkisë së këtij qyteti. “Kisha është një institucion i pavarur dhe si e tillë vendimet i merr vetë”. Kështu deklaroi sot konsulli grek në Gjirokastër, Nikolas Kotrokoi, pas këtij takimi që zhvilloi me Kryebashkiakun e Përmetit. Takimi u zhvillua dje  paradite pa praninë e mediave, ndërsa mësohet se, ka qenë diplomati grek që ka kërkuar këtë takim. Pas takimit me konsullin grek, Kryebashkiaku i Përmetit Gilberto Jaçe bëri të ditur detaje nga biseda me konsullin. Jaçe theksoi se, i bëri të ditur konsullit grek në Gjirokastër se dhuna e klerikëve ndaj përmbaruesve ka qenë e papranueshme. Sipas Kryetarit të Bashkisë, çështja zgjidhet vetëm me dialog mes palëve.  “Takimi ishte informues dhe larg tensioneve të ditëve të fundit”, -tha Kryebashkiaku Jaçe. “Diplomati grek u njoh me çështjen e Pallatit të Kulturës, godinë e cila ka nxitur konfliktin mes Kishës Ortodokse dhe Bashkisë”, vijoi Jaçe. Sipas tij, konsulli grek Kotrokois kërkoi që palët në konflikt të ulin tensionet, si dhe mirëkuptim midis Kishës Ortodokse dhe pushtetit vendor. “Pallati i kulturës “Naim Frashëri” është pronë e qytetarëve. Ky objekt ruan historinë, traditat dhe vlerat më të mira të këtij qytetit dhe do t’ua trashëgojmë pasardhësve”, theksoi Jaçe. Gjatë takimit Konsulli grek është shprehur se, kisha është institucion i pavarur dhe si i tillë vendimet i merr vetë. Sipas konsullit grek nuk është koha dhe vendi të merren vendime të shpejtuara.