Komisioni i Venecias nuk ka kompetencë të vlerësojë zgjedhjet

490
Sigal

Analizë nga Eduard Halimi, ish-bashkëkryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi: “Venecia” në drafton e saj nuk duhet të bëjë vlerësime të situatës politike, pasi zgjedhjet e 30 qershorit janë atribut i OSBE. Kushtetuta jonë nuk e njeh termin ligjor “tejkalim të kompetencave”, ndaj dhe Opinioni i Komisionit të Venecias deklaroi se Presidenti Meta nuk ka kryer shkelje

Ish-ministri i Drejtësisë Eduart Halimi: Asnjë nen i Kushtetutës nuk është thyer nga Presidenti i Republikës

Vlerësimet për zgjedhjet nuk janë kompetencë e Komisionit të Venecias

 

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka sqaruar procedurën që ndiqet me opinionet e Komisionit të Venecias. Halimi pohon se dokumenti nuk është përfundimtar, por vetëm draft. Sipas tij, në të kaluarën ka ndodhur që një opinion i Venecias është ndryshuar, në detaje të veçanta, në miratimin përfundimtar që i bëhet në Komision. “Dokumenti u ka ardhur palëve për njohje, sipas rregullave të Komisionit të Venecias. Zakonisht nuk publikohet, siç ndodhi këtë herë. Më pas drafti diskutohet në Komisionin e Venecias, ku komisionerët e miratojnë si raport që vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për raste të tjera. Gjatë miratimit ka pasur raste kur pika të ndryshme të raporteve, detaje, apo kontekste të caktuara mund të ndryshohen”,- tha Halimi. Ish-ministri shtoi se pjesa ku jepen vlerësime për votimet e 30 qershorit është diçka që ka dalë jashtë kompetencave të misionit të vëzhguesve. “Për zgjedhjet janë institucione të tjera ndërkombëtarë që përgjigjen. Nuk besoj se në raportin përfundimtar Venecia do lërë frazat që lidhen me zgjedhjet, që edhe kur i fiton 1 parti vetëm në garë, quhen demokratike”,- tha Halimi.

Halimi: “Venecia nuk shkruan asgjëkund, kë nen të Kushtetutës ka shkelur Presidenti”

Eduard Halimi deklaron se drafti i opinionit të Komisionit të Venecias nuk ka asnjë pikë të tij kur të thotë se nga ana e kreut të shtetit është kryer shkelje e Kushtetutës. Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi thotë se asnjë nen i Kushtetutës nuk është thyer nga Presidenti me anulimin e 30 qershorit. “Nuk ka shkelje të kryera nga Presidenti i Republikës. Pra shkelje do të thotë të thyesh një nën të caktuat të Kushtetutës. Në atë draft nuk gjendet një nen i vetëm. Në draft ka termin tejkalim të Kompetencave, që nuk e njeh Kushtetuta. Presidenti është betuar se nuk do të shkelje kushtetutën, termi tejkalim nuk ekziston në Kushtetutën”,- tha Halimi.