Ja kush do të punësohet në shtet

463
Sigal

Zbardhen vendimet e qeverisë për rekrutimet, për pozicionet e punës në administratë, listën e rimbursimit, shlyerjen e borxheve të energjisë, konviktin e gjuhëve të huaja, etj..

Qeveria miratoi të mërkurën procedurat e rekrutimit, të emërimit dhe periudhën e provës për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, si dhe procedurën e lëvizjes paralele e të ngritjes në detyrë. Vendimi, në mënyrë të detajuar, përcakton procedurat e pranimit në shërbimin civil, të organizuara nga Departamenti i Administratës Publike(DAP), për të gjitha pozicionet e kategorisë ekzekutive për administratën shtetërore. Ndërkohë, njësitë përgjegjëse në institucionet e pavarura ose njësitë e qeverisjes vendore organizojnë procedurën për institucionet respektive. Sipas vendimit të qeverisë, DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, krijon Komitetin e Përhershëm të Pranimit, për pranimin për çdo grup të administrimit të përgjithshëm/të posaçëm. Konkurrimi i kandidatëve parashikohet të zhvillohet në dy faza, ndërsa nëpunësi, që do të emërohet për herë të parë në shërbimin civil, do t’i  nënshtrohet një periudhe prove që zgjat një vit nga data e emërimit. Vendimi i qeverisë, parashikon ndër të tjera dhe procedurat për lëvizje paralele që bëhet për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese, në çdo institucion të shërbimit civil.

 PRANIMI NË SHËRBIMIN CIVIL NË KATEGORINË EKZEKUTIVE

 1. Procedura e pranimit në shërbimin civil organizohet vetëm për kategorinë ekzekutive. Kjo procedurë organizohet në mënyrë të ndarë për grupin e pozicioneve të administrimit të përgjithshëm dhe për çdo grup të pozicioneve të administrimit të posaçëm.

2. DAP-i organizon procedurën e pranimit për të gjitha pozicionet e kategorisë ekzekutive për administratën shtetërore, ndërsa njësitë përgjegjëse në institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore organizojnë procedurën për institucionet respektive.

3. Bazuar në planin vjetor të pranimit, njësia përgjegjëse njofton procedurën e pranimit për çdo grup, duke bërë të njohur edhe planin e zhvillimit të procedurës për secilin grup, jo më vonë se një muaj pas miratimit të këtij plani nga organet përgjegjëse, ose gjatë vitit kur shfaqet e nevojshme si rezultat i krijimit të vendeve vakante në mënyrë të paparashikuar.

4. Për institucionet e administratës shtetërore, shpallja e procedurës së pranimit për secilin grup publikohet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe faqen zyrtare të DAP-it dhe qëndron e publikuar deri në përfundimin e procedurës së pranimit.

5. Institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore bëjnë shpalljen e procedurës së pranimit për secilin grup në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në stendat e informimit të publikut.

6. Institucionet, përveç mënyrave detyruese të shpalljeve të përcaktuara në pikat 4 dhe 5, të këtij vendimi, mund të përdorin si mënyra alternative të shpalljes së konkurrimit faqen e internetit të institucionit, si dhe çdo mjet tjetër të konsideruar të përshtatshëm për shpalljen, të njohur nga legjislacioni në fuqi.

7. Shpallja e procedurës së pranimit botohet të paktën 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike para datës së parashikuar për zhvillimin e konkurrimit.

8. Shpallja në portal dhe në faqen zyrtare të DAP-it përmban këto të dhëna:

 a) Fushën kryesore mbi të cilën do të bazohet konkurrimi, si dhe aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në konkurrim;

b) Fazat në të cilën do të kalojë konkurrimi, me shkrim dhe me gojë;

c) Numrin e vendeve të planifikuara për të cilat do të bëhet pranimi;

ç) Kërkesat e përgjithshme, në përputhje me nenin 21, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”;

d) Përshkrimin e përgjithshëm të punës së grupit/grupeve të administrimit të përgjithshëm/të posaçëm, për të cilin do të zhvillohet konkurrimi;

dh)  Kërkesat e veçanta të grupit të administrimit të përgjithshëm/të

       posaçëm;

e)  Dokumentet që duhet të dorëzohen dhe mënyrën e dorëzimit të tyre;

ë)  Afatin e dorëzimit të përcaktuar me datë të saktë kalendarike;

f)  Datën e daljes së rezultateve për fazën e vlerësimit paraprak të kandidatëve;

g)  Datën, vendin dhe orën ku do të zhvillohet konkurrimi;

gj)  Mënyrën e vlerësimit të kandidatëve në fazën e verifikimit paraprak, si dhe në fazën e vlerësimit të kandidatëve;

h)  Datën e daljes së rezultateve të konkurrimit;

i)   Mënyrën e njoftimit dhe komunikimit me kandidatët.

9. Dokumentacioni duhet të dorëzohet jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”.

10. Lista e dokumenteve që duhet të plotësojë kandidati është sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

KONKURRIMI

1. Konkurrimi zhvillohet në dy faza:

 a) Verifikimi paraprak, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim;

b) Vlerësimi i kandidatëve.

2. Njësia përgjegjëse, në bazë të dokumentacionit të paraqitur, jo më vonë se  5 (pesë) ditë pune nga data e mbylljes së pranimit të tyre, bën verifikimin paraprak të kandidatëve, që përmbushin kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta, të  përcaktuara në shpalljen për konkurrim.

3. Në përfundim të verifikimit sipas pikës 2, të kreut IV, të këtij vendimi, kandidatët, të cilët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta të pozicionit të punës, renditen në një listë sipas rendit alfabetik.

4. Lista e përmendur në pikën 3 më sipër administrohet nga njësia përgjegjëse dhe shpallet:

 a) në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në faqen zyrtare të DAP-it, për administratën shtetërore;

b) në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të internetit dhe në ambientet e brendshme, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.

5. Kandidatët, që nuk plotësojnë kërkesat e përcaktuara në shpalljen për konkurrim, renditen në një listë të veçantë, në të cilën tregohen edhe arsyet e mosplotësimit të këtyre kërkesave. Lista administrohet nga njësia përgjegjëse dhe nuk bëhet publike. Kandidatët që nuk janë kualifikuar njoftohen nga njësia përgjegjëse.

6. Brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e shpalljes së listës në përputhje me pikën 4, të kreut IV, të këtij vendimi, kandidati ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë njësisë përgjegjëse. Ankuesi merr përgjigje brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e depozitimit të saj.

7. Në vlerësimin e kandidatëve përfshihen:

a) vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve, që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të eksperiencës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore;

b) vlerësimi me shkrim;

c) intervista e strukturuar me gojë.

8. Totali i pikëve të vlerësimit të kandidatëve është 100, të cilat ndahen përkatësisht:

 a) Për vlerësimin e jetëshkrimit (cv) të kandidatëve, që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të eksperiencës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore, 15 pikë;

b)  Për intervistën e strukturuar me gojë, 15 pikë;

c)   Për vlerësimin me shkrim, 70 pikë.

9. KPP-ja, 24 (njëzet e katër) orë përpara zhvillimit të fazës së vlerësimit të kandidatëve, përgatit një grup pyetjesh për testimin e fushës së njohurive, të aftësive e të cilësive të shpallura sipas pikës 8, të kreut II, të këtij vendimi.

10. KPP-ja, ditën e testimit, përgatit një grup të njëjtë pyetjesh për të gjithë kandidatët për intervistën e strukturuar me gojë. Intervista e strukturuar me gojë ka për qëllim vlerësimin e jetëshkrimit, të njohurive dhe të aftësive të kandidatëve.

11. Nëse kandidati grumbullon të paktën 40 pikë nga vlerësimi me shkrim, ai i nënshtrohet intervistës së strukturuar me gojë.

12. KPP-ja, në përfundim të fazës së vlerësimit të kandidatëve, liston kandidatët fitues me mbi 70 pikë (mbi 70 % të pikëve), duke filluar nga kandidati me rezultatin më të lartë.

13. Kandidatët me pikë të barabarta renditen sipas këtyre kritereve:

 a) Në rast se njëri prej kandidatëve përfshihet në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, atëherë ai përzgjidhet i pari në raport me kandidatin tjetër;

b) Në rast se kandidatët janë të gjinive të ndryshme, atëherë renditja bëhet duke u renditur i pari kandidati që i përket gjinisë më pak të përfaqësuar në grupin për të cilin konkurrohet. Gjinia më pak e përfaqësuar përcaktohet nga njësia përgjegjëse;

c) Në rast se nuk mund të aplikohet asnjëra nga alternativat e mësipërme, atëherë renditja e kandidatëve me pikë të barabarta bëhet nëpërmjet shortit.

14. Nëse asnjë nga kandidatët nuk merr 70 pikë (70 % të pikëve), atëherë komiteti vendos përfundimin e fazës së vlerësimit të kandidatëve pa asnjë të përzgjedhur fitues.

15. Njësia përgjegjëse, në kushtet e rezultatit pa asnjë fitues ose me më pak fitues se planifikimi, rihap procedurën e pranimit në shërbimin civil, brenda    3 (tri) ditëve kalendarike nga marrja e vendimit të KPP-së. Në këtë rast, afati i dorëzimit të dokumenteve është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike.

16. Për institucionet e administratës shtetërore, lista e fituesve shpallet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në faqen zyrtare të DAP-it dhe, nëse është e mundur, në faqen e internetit të institucionit.

17. Për  institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, lista e fituesve shpallet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në stendat e informimit të publikut.

18. Kandidatët, që kanë marrë më pak se 70 pikë (70% të pikëve), renditen në një listë të posaçme, e cila nuk bëhet publike. Kandidatët, që nuk janë shpallur fitues, njoftohen nga njësia përgjegjëse.

19. Administrimi i listës së fituesve të nxjerrë nga KPP-ja bëhet nga njësia përgjegjëse.

20. Njësia përgjegjëse, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga data e shpalljes së listës fituese, fton kandidatët fitues, duke respektuar renditjen e tyre, të zgjedhin nga lista e pozicioneve ekzistuese të lira, për të cilat kanë konkurruar.

21. Në rast refuzimi të kandidatit fitues për vendet vakante të propozuara apo në rast të mosemërimit të tij në një pozicion vakant ekzistues, kandidati vazhdon të qëndrojë në listën e fituesve për një periudhë dyvjeçare. Këtyre kandidatëve iu propozohen vendet e lira që mund të krijohen gjatë kësaj periudhe.

22. Njësia përgjegjëse, pas marrjes së miratimit zyrtar nga kandidati fitues, nxjerr aktin e emërimit, drejtuar kandidatit dhe institucionit të përzgjedhur.

23. Kandidati, pavarësisht nga e drejta për t’u ankuar në gjykatën administrative, ka të drejtë të bëjë ankim edhe në KPP për rezultatin e pikëve dhe renditjen në listën fituese, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së rezultateve të vlerësimit. Ankuesi merr përgjigje brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e depozitimit të ankesës.

PERIUDHA E PROVËS

 1. Nëpunësi, që emërohet për herë të parë në shërbimin civil, i nënshtrohet një periudhe prove që zgjat një vit nga data e aktit të emërimit.

2. Gjatë periudhës së provës nëpunësi është i detyruar të ndjekë:

 a) programin e detyrueshëm të trajnimit për periudhën e provës pranë ASPA-s;

b) udhëzimet e nëpunësit më të vjetër civil, nën kujdesin e të cilit ai është vendosur.

3. Nëpunësi më i vjetër civil përzgjidhet nëpunësi, i cili ka vjetërsinë më të madhe në detyrë dhe që bën pjesë në të njëjtën njësi organizative ku është emëruar nëpunësi në periudhë prove.

4. Nëpunësi më i vjetër civil duhet të jetë i së njëjtës kategori ose i një kategorie më të lartë dhe caktohet nga eprori direkt i nëpunësit në periudhë prove.

5. Eprori direkt, në rast largimi apo pamundësie të ushtrimit të detyrës nga nëpunësi më i vjetër në detyrë, merr masa për zëvendësimin e tij me nëpunësin e dytë më të vjetër në detyrë brenda së njëjtës njësi organizative.

6. Vendimi në përfundim të periudhës së provës merret bazuar në:

 a) rezultatin e testimit në përfundim të ciklit të detyrueshëm të trajnimit në ASPA;

        b) vlerësimin e rezultateve individuale në punë i cili bëhet sipas procedurave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për vlerësimin e arritjeve vjetore.

7. Bazuar në vlerësimet sipas pikës 6, të kreut V, të këtij vendimi, dhe pas marrjes së mendimit me shkrim nga nëpunësi civil më i vjetër, i përcaktuar sipas pikave 4 dhe 5, të kreut V, të këtij vendimi, eprori direkt është i detyruar të vendosë:

 a) konfirmimin e nëpunësit civil, nëse ka përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm në ASPA dhe është vlerësuar të paktën “kënaqshëm”;

b) zgjatjen një herë të vetme deri në 6 (gjashtë) muaj të periudhës së provës, në rast të mospërfundimit me sukses të trajnimit të detyrueshëm në ASPA, pamundësisë së vlerësimit të plotë të nëpunësit, në rastet e mungesës në detyrë të nëpunësit për shkak të trajnimit afatgjatë, raportit mjekësor afatgjatë dhe në raste të tjera, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, të cilat rregullojnë mungesën në detyrë të nëpunësit;

c)   moskonfirmimin e nëpunësit civil.

8. Mosrealizimi i procedurës së përcaktuar në pikën 7 më sipër konsiderohet  “mospërmbushje detyre” nga eprori direkt.

9. Në rast se gjatë periudhës së provës eprori direkt apo nëpunësi më i vjetër largohet nga ai pozicion pune apo ndodhet në pamundësi të vazhdimit të mëtejshëm të detyrës, ai është i detyruar të bëjë një vlerësim paraprak për nëpunësin në periudhë prove.

10.Vlerësimi paraprak merret si bazë nga nëpunësi zëvendësues në vlerësimin e tij përfundimtar.

11.Në rast se marrja e vlerësimit paraprak është e pamundur, nëpunësi zëvendësues bazohet në vlerësimet e herëpashershme.

   12.Vendimi i eprorit direkt sipas pikës 7, të kreut V, të këtij vendimi duhet të jetë i arsyetuar dhe i njoftohet nëpunësit brenda 3 (tri) ditëve pune nga data e marrjes së vendimit.

   13.Nëpunësi civil, pavarësisht nga e drejta për t’u ankuar në gjykatën administrative, brenda 5 (pesë) ditëve pune ushtron të drejtën e ankimit administrativ ndaj vendimit të eprorit direkt te nëpunësi më i lartë civil i institucionit, i cili merr vendim të arsyetuar për pranimin apo rrëzimin e ankesës brenda 5 (pesë) ditëve pune

 Vendimi për klasifikimin e pozicioneve të punës në administratë

Dje qeveria mori vendimin për përshkrimin  dhe klasifikimin e pozicioneve të punës në institucionet e administratës publike dhe institucionet e pavarura. Ky vendim përcakton

klasat e zbatueshme për secilën nga kategoritë, përshkrimin e përgjithshëm të punës dhe kërkesat e përgjithshme për çdo kategori, klasë dhe grup; pozicionet që bëjnë pjesë në çdo kategori, klasë dhe grup etj.

KLASIFIKIMI

Klasat e zbatueshme për secilën kategori, si dhe emërtesat e pozicioneve të punës që i përkasin secilës klasë të jenë, si më poshtë vijon:

Kategoria I – Nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues

1) Sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave,  Presidencë, Kuvend dhe institucione të pavarura kushtetuese.

2) Sekretar i Përgjithshëm në ministritë e linjës, institucionet e pavarura të krijuara me ligj/drejtor departamenti/ titullarë të institucioneve në varësi të Kryeministrit apo ministrave të linjës.

3) Sekretar i Përgjithshëm në qarqe, bashki, komuna, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme në Kryeministri, ministritë e linjës, institucionet e pavarura të krijuara me ligj/titullarë të institucioneve në varësi të Kryeministrit apo ministrave të linjës.

 Kategoria II  – Nëpunës civilë të nivelit të mesëm drejtues

 Klasa   Emërtimi i pozicionit

1 Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme në qarqe, bashki, komuna, drejtor drejtorie në Kryeministri, ministritë e linjës, institucione të pavarura të krijuara me ligj, titullarë të institucioneve në varësi të ministrave të linjës, drejtor drejtorie në institucionet në varësi të Kryeministrit apo ministrave të linjës;

2 Drejtor drejtorie në institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave, ministrave të linjës, qarqe, bashki, komuna.

Kategoria III – Nëpunës civilë të nivelit të ulët drejtues

Klasa   Emërtimi i pozicionit

1 Shef sektori i nivelit A;

2 Shef sektori i nivelit B.

Kategoria IV – Nëpunës civilë të kategorisë ekzekutive

Klasa   Emërtimi i pozicionit

1 Specialist i nivelit A;

2 Specialist i nivelit B;

3 Specialist i nivelit C;

4 Specialist i nivelit D.

    

Administrata publike, qeveria rialokon numrin e punonjësve

 Qeveria vendosi të mërkurën të rialokojë numrin e punonjësve dhe të fondeve buxhetore në njësitë e qeverisjes qendrore për vitin 2014. Sipas këtij vendimi, numri i punonjësve të Departamentit të Administratës Publike(DAP) shtohet me  21 veta dhe bëhet gjithsej, 43 veta; ndërsa numri i punonjësve të Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit shtohet me 10 veta dhe bëhet, gjithsej, 45 veta. Po ashtu, numri i punonjësve të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor pakësohet me 6 veta dhe bëhet, 15 vetë; ndërkohë që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pakësohet me 7 veta dhe bëhet, gjithsej, 30 vetë. Numri i punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivës së Shtetit reduktohet me 16 veta dhe bëhet, gjithsej, 139 veta. Numri i punonjësve të Agjencisë Telegrafike Shqiptare pakësohet me 42 veta dhe bëhet, gjithsej, 40 veta.

Vendime të tjera të qeverisë

 Qeveria miraton listën e re të barnave të rimbursueshme

Qeveria shqiptare miratoi dje listën e re të barnave të rimbursueshme, në të cilën përfshihen për herë të parë edhe 56 barna të reja, duke e çuar në 477 numrin e barnave në listën e rimbursimit”. Masa e mbulimit të çmimeve të barnave të listës së barnave që rimbursohen, sipas klasifikimit ATC, të jetë 50 për qind deri në 100 për qind, sipas grupeve terapeutike dhe barnave. Ndërsa masa e mbulimit të çmimit të barnave për alternativën e parë në listën e barnave të rimbursueshme për kategorinë e pensionistëve të jetë 100 për qind. Marzhet e diferencuara të tregtimit, do të jenë përkatësisht në masën 8 për qind, për tregtimin me shumicë, dhe 24 për qind, për tregtimin me pakicë, për barnat e listës së barnave të rimbursueshme.

  Konvikti i gjuhëve të huaja, i hiqet Bashës, i kalon ministrisë së Veliajt

 Konvikti i shkollës së gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, Tiranë” i ka kaluar në përgjegjësi Ministrisë së Mirëqenies Sociale, duke iu hequr Bashkisë së Tiranës që e kishte deri më tani. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë.

 Shqipëria në Panairin Ndërkombëtar “EXPO Milano 2015”

Shqipëria do të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar “EXPO Milano 2015″>2015”. Vetëm për qiranë e përdorimit të pavijonit shqiptar në këtë panair do të përdoren 246.500 Euro.

 Vetëm Ministria e Turizmit do t’i menaxhojë vetë procedurat e prokurimit

 Ndërsa një tjetër vendim i Këshillit të Ministrave ishte vetëmenaxhimi i të gjitha procedurave të prokurimit gjatë vitit 2014, nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, e vetmja e përjashtuar nga qeveria.

 Miratohet strategjia për shlyerjen e borxheve në energji

 Qeveria miraton strategjinë për shlyerjen e detyrimeve të institucioneve buxhetore në sektorin e energjisë. Kjo strategji përcakton rrugën që do të ndiqet nga Qeveria Shqiptare për të shlyer detyrimet e prapambetura të institucioneve buxhetore dhe jo-buxhetore të faturave ndaj kompanive të sektorit publik të energjisë.

 “Ndihma shoqërore”, Qeveria miraton ndryshimet në ligj

 Këshilli i Ministrave miratoi të martën disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për  ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Ndryshimet në ligj, të propozuara nga ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, konsistojnë në nenet që lidhen me të ardhurat e familjes, tek trajtimi i viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare; te trajtimi i personave me aftësi të  kufizuar, si dhe procedurat për përfituesit e shërbimeve shoqërore.