INTERVISTA/ Kreshnik Çipi, deputet i PD-së: “Zgjedhjet e 2013-s, priten të ashpra, se opozita acaron konfliktet”
Deputeti i PD-së, Kreshnik Çipi, në intervistën për “Telegraf” shpreh qëndrimin e maxhorancës për humbjen e statusit për herë të tretë, por edhe mendimin se zgjedhjet e 2013-s do të jenë të acaruara, për shkak të vijimësisë së politikës të PS-së, për të justifikuar humbjen e saj.
– Zoti Çipi, duke parë reagimin, politikanët nuk ndihen edhe kaq të shqetësuar për mosdhënien edhe për herë të tretë të statusit kandidat. Cila është përshtypja juaj?
– Jo, unë nuk jam me mendimit që shprehët. Problemi sot është çfarë bëmë ne që erdhëm deri këtu. Mendoj që maxhoranca i kreu në mënyrë të përkryer detyrimet e saj për kushtet e 12 prioriteteve të integrimit. Bllokimi ka ardhë fare qartë nga një qëndrim absurd i politikanëve të opozitës.Po të ishin votuar tre ligjet, ne sot do të kishim statusin kandidat për në BE. Politikani duhet të dalë mbi ambiciet e veta partiake dhe personale.
– Kritika e BE-së ka të bëjë se reformat nuk janë bërë thellësisht në Gjyqësor, në ndërtimin e shtetit të së drejtës, nuk është luftuar korrupsioni. Këto kritika a nuk kapërcejnë pretekstin e mosvotimit të tre ligjeve?
– Absolutisht, po. Ligji për Gjykatën Administrative, që ka qenë para 2009-s është hequr zvarrë nga opozita. Të gjitha janë hallkat e një zinxhiri. Problemi i korrupsionit është fenomen që ka shoqëruar që nga krijimi i njerëzimit dhe qeveria po ndërmerr reforma për ta luftuar.
– Fakti që Shqipëria u zhyt edhe më poshtë, 15 vende, në klasifikimin e vendeve të korruptuara, a ka përgjegjësi maxhoranca?
– Maxhoranca në 7 vjetët e saj ka bërë ndryshime të paimagjinueshme. Këto që ka bërë kjo qeveri, nuk është bërë në këto 20 vite. Është bërë maksimumi. Situata e sotme është një situatë e përgjithshme, nuk është vetëm e shtetit shqiptar. Ka shtete që kanë tradita në demokraci dhe sot janë në një krizë më të thellë.
– Në politikën e maxhorancës, si perceptohet lufta kundër korrupsionit?
– Ligjet që kemi miratuar janë arma më e sigurt në luftën kundër korrupsionit. Mund të ketë individë të veçantë, të cilët mund të shfrytëzojnë pozitën e tyre që kanë në pushtet dhe mund ta përdorin për përfitime personale. Problemi është sa është e impenjuar qeveria shqiptare. Dhe ju e shikoni që përpjekjet janë të përditshme që transparenca të jetë në të gjithë veprimtarinë qeverisëse.
– Mungesa e bashkëpunimit politike midis pozitës e opozitës, ka arsye objektive, apo është shprehje e vënies të interesit partiak mbi interesat e integrimit?
– Unë them që PD-ja e ka afruar përherë mundësinë e bashkëpunimit politik, por PS-ja ka kundërshtuar për të bërë zhurmë opozitare. 2 vjet rresht, pas 2009-s, Edi Rama na bllokoi çdo mundësi mirëkuptimi e bashkëpunimi. Në momentet vendimtare, PS-ja ka zgjedhur rrugën e kundërshtive dhe të ngërçeve politike. Opozita u udhëhoq nga mentaliteti se mos maxhoranca do të merrte atributet e integrimit, ndaj nuk pranoi bashkëpunimin.
– Faleminderit!