Gramshi thërret në “tapet” Damian Gjiknurin: “Eja përgjigju për premtimet e pambajtura”

544
Sigal

Shkak i analizës, për gjendjen skandaloze në qytetin e Gramshit, u bë një telefonatë në emisionin e mëngjesit “Forum” të gazetares Eliana Hoxha. Telefonuesi në fjalë ngrinte shqetësimin, me një zë të vuajtur dhe të lodhur duke deklaruar se: “Jam invalid. Kam 3 muaj, dhe po afrohet i katërti, që nuk kam marrë lekët. Me se ti ble ilaçet? Me se të ushqehem? Votuam për mirëqenie dhe mesa duket në vend të vetullave nxorëm sytë me deputetin, të cilit i besuam përfaqësimin tonë”, përfundon telefonatën qytetari për emisionin televiziv. Votuesit e deputetit të PS-ë dhe Ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri, kërkojnë me insistim ardhjen e tij në Gramsh dhe përballjen me premtimet e pambajtura. Pensionistët, ata që jetojnë me përkrahje sociale dhe të papunët, tetraplegjikët, invalidët dhe ata që marrin prej vitesh bukën dhe ushqimet me listë, kërkojnë ardhjen e deputetit që votuan masivisht në 23 qershor, për t’i kërkuar atij llogari për premtimet e pambajtura, edhe pse kanë kaluar mbi 6 muaj që vendin e qeveris PS-ja. Ndryshe nga ata, që kanë votuar LSI-në në Gramsh, votuesit e PS-së ndjehen të braktisur, të lënduar, të mashtruar, dhe të rrënuar. Ata sërish janë të papunë, sërish janë të varfër, kurse pensionistët kanë 2 muaj që nuk marrin pensionet e tyre. Në vështirësi serioze ndodhen edhe 600 familjet që trajtohen me asistencë sociale dhe ndihmë ekonomike, pasi edhe ata për mungesë fondesh nuk kanë marrë paratë prej muajit janar 2014. Dhjetëra telefonata kanë mbërritur këto ditë në redaksinë e “Telegraf”, nga pensionistë dhe persona që trajtohen me ndihmë ekonomike nga qyteti i Gramshit, të cilët kanë kërkuar ndihmën e medias për të komunikuar me deputetin e tyre Damian Gjiknuri, pasi ai prej 6 muajsh nuk duket fare në  zonën e tij elektorale. Sipas tyre, “Gjiknuri pas drekës së shtruar pas fitores në Gramsh, dhe deklaratave të tij se “ashtu si sot, sofrat tuaja do të jenë plot edhe pasi të qeverisë PS”, nuk ka marrë  mundimin të shkojë e takojë ata njerëz, të flasë dhe të dëgjojë hallet e problemet e tyre, të cilat janë shtuar dhe jo pakësuar”. Gramshi është sot qyteti më i izoluar i vendit, pa rrugë e korridore lëvizëse për njerëzit e bizneset, qyteti që po lëngon nga papunësia, varfëria, rrënimi biznesit, mungesa e investimeve, shkollave të reja, qendrave shëndetësore, shërbimit cilësor mjekësor, mungesa e mjekëve specialistë, e qendrave të rehabilitimit për fëmijët me probleme dhe autikët etj. Gramshi, vendi me burime hidrike të pashtershme, shpesh nuk ka ujin e pijshëm në shtëpitë e qytetarëve për shkak të amortizimit të rrjetit ekzistues, dhe kanalizimeve, por edhe mungesa me 3 dhe 4 orë në ditë e energjisë elektrike mbetet një problem shqetësues për bizneset e pakta sidomos. Edhe rruga e vetme nacionale, Gramsh-Elbasan, prej afro 1 viti gjendet e amortizuar, dhe nuk ka shanse të rehabilitohet, pasi mungojnë investimet dhe vëmendja e deputetit. Votuesit socialistë të Damian Gjiknurit, kërkojnë deputetin e tyre në “tapetin e kuq” për t’i kërkuar atij llogari për të gjitha premtimet që nuk ka mbajtur ai dhe qeveria e partisë së tij. Llogari Gjiknurit i kërkojnë pensionistët, që pavarësisht parave të pakta që marrin, prej 2 muajsh atyre po u mungon ajo çfarë i takon pasi u thuhet se nuk ka lekë, llogari i kërkojnë të papunët që nuk kanë shanse të gjejnë një vend pune, llogari i kërkojnë familjet që ushqehen me lista, arsimtarët, mjekët e infermierët, policët e ushtarakët, gratë dhe vajzat që janë kthyer në shtëpiake, bashkia e qytetit që nuk ka marrë fonde investimesh për projektet e saj. Por duket se më shumë se braktisja, qytetarët e Gramshit, i fyen rrënimi dhe harresa që po u bën atyre njeriu që ata votuan masivisht në 23 qershor, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri. Asnjëherë, ashtu si në këto 6 muaj, qytetarët e Gramshit nuk janë gjendur përpara vështirësive serioze për jetën dhe familjen e tyre pa asnjë rrugëdalje, pa asnjë mbështetje nga qeveria tek e cila besonin se do t’u bënte “mrekullira”.