Gjobvënia ndaj qytetarëve tiranas me tarifa më të larta parkingu, edhe nga SHBA, Italia dhe Greqia

474
Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi pardje vendimin e kryebashkiakut që të krijohet një agjenci “Tirana Parking”, me qëllim që të menaxhojë parkingjet në rrugët dhe rrugicat e Tiranës, me qëllim, që Bashkia të mbushë arkën e saj, dhe paskëtaj, të bëjë investime për qytetarët. Mirëpo, në fakt, ky vendim ishte absurd, sepse, së pari, nga zbardhja e tarifave që do të vendosen për parkingjet e rrugëve dhe rrugicave, e krahasuar edhe me vendet e tjera, jo vetëm të Rajonit, por edhe të Botës, del qartë, se tarifat në Tiranë janë më të larta, edhe në vlerë, por edhe gjithashtu, po të krahasosh të ardhurat e qytetarëve të Tiranës me ato të banorëve të vendeve të tjera, kjo barrë e rëndë ekonomike mbi xhepat e qytetarëve tiranas shumëfishohet disa herë, duke e bërë, realisht parkingun në Tiranë, më të shtrenjtë se në çdo vend të Botës. 

Zbardhen rrugët dhe tarifat e parkingut në Tiranë 
Do të jenë 71 rrugë në Tiranë, për të cilat qytetarët do të duhet të paguajnë për të parkuar automjetin e tyre. Tarifat variojnë nga 20 lekë deri në 100 lekë ora. Në rrugët kryesore për të parkuar makinën duhet të paguani 100 lekë ora. Parkimi me pagesë do të jetë nga ora 7:30 deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Sipas vendimit, Bashkia e Tiranës ka parashikuar që rreth 60% e parkimit të jetë me pagesë, ndërsa 40% do të jetë pa lekë, ku do të shfrytëzohet nga banorët autoktonë, invalidët dhe pjesa tjetër e qytetarëve. Por problemi është se qytetarët tiranas do të paguajnë, edhe pse quhen rezidencë dhe do të kenë këtë kartë, pasi kur të parkojnë në lagjen tjetër, do të jenë, si të gjithë të tjerët, të huaj në qytetin e tyre dhe do të detyrohen të paguajnë tarifat e kripura të Bashkisë për parkingjet. 

Debatet: Kryebashkiaku Veliaj fshehu të vërtetën, mbi tarifat
Në mbledhjen e pardjeshme të Këshillit Bashkiak, ku pas debateve shumë të forta, ku nuk munguan edhe zërat kundër, nga këshilltarët e LSI-së u miratuan edhe tarifat. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se: “ “Bëjmë një zbritje për regjimin aktual që ka Bashkia e Tiranës. Sot kemi një regjim ku mbi 3 mijë vende parkimi tarifohen me 100 lekë/ora. Ajo që po na mundëson ky lloj tarifimi është se jo të gjitha rrugët janë njësoj, por rrugët në zonat më të largëta do të kenë një kosto më të ulët. Na jep fleksibilitetin që të kemi disa paketa”, tha Veliaj. Ai sqaroi se kushdo që dëshiron të qëndrojë më shumë orë, mund të pajisjen me abone, ku çmimi do të jetë i reduktuar”. Sipas këshilltares së PD-së, Suzana Guxholli studimi për parkingjet me pagesë është bërë 10 vite më parë dhe se është i nevojshëm një studim i ri. Gjithashtu, ajo tha se çmimet e përcaktuara janë shumë të larta të krahasuara me qytetet evropiane. “Të mos trajtohet me populizëm por me përgjegjësi. Studimi është bërë 10 vjet më parë, ne të gjithë i dimi dinamikat e zhvillimit. Duhet bërë studim, duhet infrastrukturë dhe tarifimi të bëhet në bazë të kushteve konkrete. Për 4 mijë e ca vende parkimi propozohen 105 punonjës. Tarifimi është një barrë e madhe për qytetarin. Parkimi nuk është vetëm mbledhje të ardhurash. 

Tarifimi është shumë i rëndë për xhepat e shqiptarëve. Lion, 1 euro për një javë në qendër, 50 euro në vit. Në muaj në zonën më të shtrenjtë të Tiranës, shkonte 176 mijë në muaj kur rroga minimale është 220 mijë lekë në muaj. Bashkia nuk është kompani që të mendojë për fitimet, së pari duhet të mendojë për qytetarët”, u shpreh Guxholli. Ndërsa kreu i grupit të këshilltarëve të LSI, Shezai Rrokaj kërkoi që projektvendimi të pësojë ndryshime. Rrokaj kërkoi që t’i hiqet e drejta kryetarit të bashkisë për shtimin e zonave të tjera të parkimit me pagesë. “Zero kosto për qytetarin në zonën e vet, i cili do pajiset me kartën e rezidentit. Këtu nuk ka asnjë ekuivok. E dyta, sikundër ky këshill po voton njëkohësisht edhe dy elementët e tjera që kanë të bëjnë me hapësirat është në të drejtën e tij, që sa herë të ketë hapësira të reja, kjo kompetencë të mos i lihet kryetarit, por këshillit. E drejta jonë është që të marrim vendime për çdo lloj kryetari.”

Ja krahasimi: Tarifat në Tiranë më të shtrenjta se çdo vend tjetër i Botës
Tarifat e përcaktuara nga Bashkia më e madhe në vend janë disi më të larta se ato që zbatojnë të paktën vendet e rajonit. Kështu, kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi ka katër zona ( A,B,C,D) parkimi nga tre që janë miratuar për Tiranën. Parkimi në Shkup për një orë në zonën e parë ( atë më të populluar) kushton 45 dinarë ( 0.38 euro) ose rreth 50 lekë ( këmbimi me kursin e datës së sotme sipas BSH-së 138.5 lekë). Në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë parkimi për një orë kushton nga 0.5 cent në 1.2 euro dhe po kaq edhe në qytetin bregdetar Budva ose e shprehur në monedhën shqiptare nga rreth 70 lekë në rreth 166 lekë. Nëse i referohemi fqinjit jugor Greqisë, në Athinë parkimi i automjeteve për një kushton 1 euro ( 0.5 cent 30 minuta), ndërsa në Romë kjo tarifë llogaritet nga 1-5 euro, por koha është e pakufizuar. Në zonat e banuara tarifa është edhe më e ulët pasi për 12 orë parkim mund të paguhet vetëm 2 euro dhe 3 euro për 16 orë.
Sigal