Fyerjet e Ramës, reagon Unioni i Gazetarëve: Bojkotoni Kryeministrinë!

504
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas deklaratave të forta dhe fyese të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve, pas seancës së sotme plenare. UGSH iu bën thirrje gazetarëve të bojkotojnë veprimtarinë e kryeministrit ditën e premte.
Përmes një reagimi në Facebook, UGSH i cilëson deklaratat e kryeministrit arrogante, duke thënë se në mënyrë të përsëritur ai përdor publikisht etiketime fyese dhe injoruese ndaj mediave e gazetarëve.
Deklarata e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Gjuha dhe leksionet e zotit Kryeministër për gazetarët janë të papranueshme dhe një arsye e madhe refuzuese. Deklarimet e ditës së sotme të zotit Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, drejtuar reportereve të mediave të vendit, janë një arrogancë në komunikim dhe fyrje e një përfaqësuesi të lartë politik dhe shtetëror ndaj gazetarëve në përgjithësi.
Kryeministri i vendit në mënyrë të përsëritur përdor publikisht etiketime fyese dhe injoruese ndaj mediave të vendit dhe gazetarëve. Pohime të tilla dhe etiketimet në fjalë përbëjnë një precedent të rrezikshëm në marrëdhëniet mes dy pushteteve të njohura në jetën e sotme të shoqërisë, përkatësisht të ashtuquajturit pushtet Ekzekutiv dhe atij të medias.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon këtë gjuhë dhe këtë komunikim etiketues të Kryeministrit dhe apelon për një qëndrim refuzues të të gjithë anëtarëve tëe organizates sonë dhe komunitetit profesional në përgjithësi.
UGSH me indinjatë deklarohet se kjo sjellje dhe ky komunikim fyes i kryeministrit kanë një lidhje dhe mbartin edhe përgjegjësinë e madhe për gjendjen kritike në të cilën gjenden gazetarët e sotëm në vend, ndërkohë që vlerësojmë se është përgjegjësia e tij dhe e institucioneve të tjera ligjore që gjatë kësaj kohe informaliteti dhe shembja e vlerave profesionale po shndërrohen në plage të mëdha, çdo ditë e më tepër në jetën mediatike të vendit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptare propozon për gazetarët një bojkot të veprimtarisë së Kryeministrisë në ditën e premte. Ftojmë gjithë editorët e medias shqiptare të bëhen pjesë e këtij reagimi refuzues!
Sigal