Sigal

Fusha të mbjella me hashash, nën hundën e policisë

Qeveria shqiptare propagandon se në vitin e fundit ka arritur të kufizojë mbjelljen dhe kultivimin e hashashit. Mirëpo, nga brigjet e Italisë, dhe në kufirin e Greqisë me Shqipërinë, vijnë përditë lajme për kapjen dhe sekuestrimin e tonelatave hashash të eskortuar nga Shqipëri. Drejtues të Policisë së Shtetit e kanë justifikuar këtë, me pretendimin se këto tonelata hashash janë të magazinuara nga vitet e shkuara.

Gjelbërojnë parcelat e hashashit, thua se është …misër

Nëse do t’i referohemi statistikave të ministrisë së Bujqësisë, çdo vit mbillen edhe më pak s’përfaqe me misër, për shkak se fshatari nuk ka dhe aq fitim, për shkak të shpenzimeve të mëdha. Ndërkohë, siç publikoi edhe deputeti demokrat Luçiano Boçi, parcela e madhe e mbjellë me hashash gjelbëron, pa rënë në sy nga policia e Shtetit. Pak e çuditshme, që të besohet, se askush nuk e pa, sepse parcela nuk është e mbjellë në ndonjë mal, apo mes pyllit, por në një fushë që është në ultërsira, aty ku edhe kalimi i njerëzve është i përditshëm. Ky fakt, të bën të bindesh, që këto parcela me hashash, që ende gjelbërojnë, janë nga ato parcela që, ndoshta janë edhe nën “patronazhin” e disa drejtuesve të policisë së Shtetit, të cilët, natyrisht, ndajnë fitimin me njerëzit e botës së krimit.

Integrimi, pengu i trafikimit të drogës

 Nuk ishte rastësi, që Toyota Yaris erdhi e ngarkuar me miliona euro, pikërisht tani, në këtë sezon të përkujdesjes dhe kultivimit të hashashit. Paratë e trafiqeve të drogës nëpër Evropë, rikthehen në Shqipëri, për të paguar shpenzimet e kultivimit të hashashit. Shqipëria nuk mori më 26 qershor 2018 dot dritën jeshile nga BE për hapjen e negociatave, pikërisht për shkak edhe të mosluftimit sa duhet të trafiqeve të drogës, pasi shtetet si Franca, Holanda, Gjermania, kanë problem të madh mafien shqiptare të drogës. Publikimi i sipërfaqeve të kultivimit të hashashit edhe në ditët tona, e vështirëson edhe më shumë integrimin e Shqipërisë në Evropë, duke rrëzuar propagandën e qeverisë, për sukseset (imagjinare) të luftës kundër hashashizmit të Shqipërisë.

Nga Petraq Bajrami