Ferit Hoxha emërohet ambasador në UNESKO

10
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me propozim të kryeministrit Edi Rama, ka dekretuar emërimin e Ferit Hoxhës si ambasador pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESKO), rezident. Dekretimi vjen pasi qeveria “Rama” ka propozuar ambasador të Shqipërisë në UNESKO, Ferit Hoxhën, të cilin, kjo qeveri e kishte paditur më parë për çështjen e marrëveshjes detare me Greqinë të vitit 2009, të shpallur si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Hoxha pak kohë më parë kishte marrë detyrën e drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme. Gjithashtu, Kreu i Shtetit ka dekretuar lirimin nga detyra të Venera Domit, ambasadore pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESKO). Nga Presidenti është dekretuar edhe emërimi i Ravesa Lleshit, ambasadore në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezidente. Gjithashtu, është dekretuar lirimi nga detyra i Filloreta Kodrës, ambasadore në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezidente.