Bushati në Reuters: Na duhen edhe 10 vjet për në BE

452
Sigal

Në një intervistë për agjencinë prestigjioze Retuers, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, shprehu dëshirën e Shqipërisë që takimi i javës së ardhshme në Serbi mes dy kryeministrave mund të bëjë të harrohet sherri mes dy skuadrave kombëtare gjatë kualifikueses së Euro 2016 dhe të shërojë sadopak marrëdhëniet e brishta mes dy vendeve. “Ngjarjet që ndodhën para, gjatë dhe pas ndeshjes, ishin vërtet të pakëndshme dhe ne i kemi dënuar provokimet dhe dhunën”, tha Bushati që nga Londra. “Por besojmë se, është e rëndësishme që të shohim drejt së ardhmes dhe të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat, në mendimin tim, do të ishin thelbësore për qëndrueshmërinë demokratike të rajonit dhe përparimin e tij drejt Bashkimit Europian”. I pyetur për shanset e vendit tonë për antëarësimin në BE, Bushati u përgjigj se Shqipëria do të jetë gati brenda një dekadë. “Është shumë e rëndësishme që të sigurohemi që edhe Bashkimi Europian dëshiron të ketë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit në gjirin e saj”. Megjithatë, ambiciet europiane të vendeve ballkanike janë frenuar nga shefi i ri i Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, i cili ka deklaruar se për pesë vjet nuk do të ketë asnjë anëtarësim të ri. Për Bushatin, asnjë vend i gadishullit nuk do t’i plotësonte gjithsesi kriteret deri në atë vit dhe theksoi se mesazhi i Junkerit nuk ishte problem, por theksoi rëndësinë e mos dërgimit të sinjaleve negative. “Ky mesazh publik nuk është shumë i ngrohtë”, tha ai në lidhje me deklaratën e Junkerit. Një tjetër temë e prekur nga ministri i jashtëm në intervistën me Reuters ishte dhe rreziku nga radikalizmi i shtetasve. Por Bushati përforcoi edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë ndaj koalicionit që po sulmon nga ajri ekstremistët në Lindjen e Mesme.