Ben Blushi:“Zgjedhjet e 23 Qershorit do të përcaktojnë ata që fajësohen për dështimin e integritetit”

504
Sigal

INTERVISTA/Deputeti i PS-së, Ben Blushi, në intervistën në “hot seat” në Bugajski Hour  në AS

Bugajski: Si do e përshkruani vitin që vjen? Çfarë mund të presim nga 2013-ta? Duhet të jemi optimist, apo duhet të shqetësohemi?

B. Blushi: Viti që shkoi ishte tmerrësisht i zymtë, për shkak të rritjes së borxhit publik, niveli i konsumit ra, vitin që shkoi u shtua numri i familjeve të varfra, nga një nivel mesatar kaluan në varfëri. Siç thashë, qeveria mori borxhe të tjera që tregon se qeveria nuk po performon ashtu si duhet. Përsa i përket ekonomisë, vendi po përballet me ditët më të këqija dhe jo vetëm për shkak të krizës ekonomike në Greqi, Itali apo në eurozonë në përgjithësi, por ngaqë vendi nuk drejtohet në mënyrën e duhur dhe këtë nuk e them si opozitar. Ky është perceptimi i gjerë i popullit.

J.Bugajski: Duhet të presim konflikte të tilla politike, një paqëndrueshmëri të tillë para zgjedhjeve?

B.Blushi: Jo. Kemi arritur në fazën, ku qëllimi ynë është një proces më paqësor. Para zgjedhjeve do përpiqemi të qetësojmë ethet elektorale, të promovojmë një proces zgjedhor paqësor dhe sigurisht do përpiqemi të qetësojmë mbështetësit tanë, të cilët, për t’ju thënë të drejtën, gjithnjë kanë dyshime në këtë qeveri, kanë frikë mos ajo u manipulon votat.

J.Bugajski: Çfarë mund të bëhet më specifikisht për të garantuar se këto zgjedhje nuk do kundërshtohen, që legjitimiteti i tyre të mos vihet në dyshim.

B.Blushi: Ajo për të cilën kemi nevojë është që votat të numërohen me saktësi. Vullneti i njerëzve të mos ndryshohet nga numëruesit, se ajo që ka ndodhur gjatë 2-3 zgjedhjeve të fundit është fakti që votat nuk janë numëruar siç duhet dhe në zgjedhjet e fundit kishim prova që në disa zona, një ose dy nga mandatet tanë apo vende në Parlament i kaluan qeverisë.

J.Bugajski: Po përsa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve…?

 B.Blushi: Do doja që KQZ-ja, të gjithë ata që merren me zgjedhjet këto kohë, të heshtin dhe të lejojnë partitë të kandidojnë. Njerëzit duhet të na zgjedhin neve, duhet të zgjedhin mes partive, nuk do zgjedhin anëtarët e KQZ-së.

 J.Bugajski: Cili është ndryshimi mes jush dhe partive të tjera, sidomos me partinë në qeverisje?

 B.Blushi: Besoj se elektorati shqiptar e di ndryshimin mes socialistëve dhe demokratëve, por sigurisht, ne jemi parti e majtë, jemi parti e qendrës së majtë dhe duke qenë e tillë, kemi, jo vetëm ndryshime ideologjike, por edhe programesh me të djathtët…

  J.Bugajski: Si do e zvogëloni korrupsionin zyrtar? Çfarë do zbatonit më specifikisht?

 B.Blushi: Duhen bërë dy gjëra. E para, perceptimi i atyre që qeverisin. Nëse e shihni atë që po ndodh, kultura e mosndëshkimit, nuk po flas bazuar në bindjet e mia, apo në bindjet tona, por sipas BE-së, po rritet në vend. Askush nuk dënohet. Nëse je ministër, nëse ke lidhje me kryeministrin, nëse ke lidhje me familjen e tij, mund të bësh ç‘të duash në këtë vend dhe në fund, askush nuk merr dënime.

 J.Bugajski: Duke parë nga e ardhmja, si do e përshkruanit skemën politike në Shqipëri? Po evoluon në një drejtim shumëpartiak?

 B.Blushi: Si socialist do më pëlqente më shumë një Parlament shumëpartiak, por duke e parë nga pikëpamja sesi duhet të funksionojë demokracia, ka të ngjarë të na nevojiten më shumë parti. Ndonjëherë, partitë e vogla luajnë rol të mirë për sistemin. I ndalojnë partitë e mëdha të tregohen arrogante dhe…

 J.Bugajski: Dhe monopoliste.

 B.Blushi: Dhe monopoliste. Për mendimin tim, Parlamenti i radhës do jetë më i pasur, do ketë më shumë se katër ose pesë parti, sepse tani kemi një sistem partiak tre nivelesh. Kemi dy parti të mëdha, kemi tre parti të vogla, por të mëdha dhe pjesa tjetër janë të vogla. Përsa u përket koalicioneve, është tepër herët për të folur. E di që do më pyesësh për koalicionet e ardhshme. E kemi thënë, e kemi bërë publike që do bëjmë koalicion me çdo forcë që do bashkohet me ne për të ndryshuar qeverinë, që të mund të kemi rotacion pas gjashtë muajve në vazhdim. Përsa i përket ideologjisë, do jetë më e lehtë këtë herë.

 J.Bugajski: Dua t’ju pyes pak për Aleancën Kuq e Zi. Më duket se ata kanë fituar rreth 15 për qind të votuesve të mundshëm. Kujt do ia atribuonit këtë fitore suksesi të Aleancës? Nacionalizmit, politikës kundërshtuese?

B.Blushi: Besoj se është politikë kundërshtuese. Ndihet një lloj lodhjeje në elektoratin shqiptar dhe kjo shpjegon ekzistencën e partive të politikës kundërshtuese si Aleanca Kuq e Zi, apo suksesin e tyre, nëse do ketë një të tillë, sepse ende s’e dimë.

J.Bugajski: Ka gjasa që socialistët të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim?

 B.Blushi: Varet. Varet nëse ata do dalin nga qeveria para zgjedhjeve. S’kam arsye të vë në dyshim interesat e tyre, por pikë së pari, nëse do të jesh në opozitë, duhet… Kjo është A-ja e politikës. S’mund të jesh në qeveri dhe opozitë.  LSI-ja duhet të dalë nga qeveria dhe të bashkohen me ne, nëse duan një koalicion parazgjedhor me ne.

 J.Bugajski: Por është tepër herët për të folur?

 B.Blushi: Është tepër herët.

 J.Bugajski: Si mendoni, po bën sa duhet qeveria dhe Parlamenti që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat?

 B.Blushi: Besoj se këto argumente do votohen në zgjedhjet e ardhshme dhe kjo është një arsye më shumë që shqiptarët shkojnë të votojnë dhe zgjedhin mes atyre që sipas nesh nuk kanë bërë reforma dhe nuk po përpiqen të arrijnë konsensusin me opozitën, ata e bllokojnë statusin. Nga ana tjetër, nëse votojnë për ne… Pas zgjedhjeve, kur ne të kemi marrë pushtetin, sigurisht që do përpiqemi të arrijmë konsensusin me opozitën me çdo kusht për marrjen e statusit. Ata s’e bënë diçka të tillë.

 J.Bugajski: S’mendoni se ligjet do miratohen para zgjedhjeve? Po thoni se do miratohen më pas?

 B.Blushi: Kështu mendoj. Mendoj se do miratohen pas zgjedhjeve, se koha është shumë e shkurtër dhe asgjë nuk po ndryshon për t’i ofruar konsensus opozitës. Do e luajmë ndryshe. Me konsensus do përpiqemi të negociojmë me opozitën, diçka që kjo qeveri nuk e bën. Dhe s’është e gatshme ta bëjë.

 J.Bugajski: Si mendoni, kanë edhe Socialistët një pjesë të fajit për këtë bllokim?

 B.Blushi: Këtë do e shohim gjatë zgjedhjeve. Jua thashë, zgjedhjet do na tregojnë diçka që ende s’e dimë: kush e ka fajin për këtë dështim, ne apo qeveria? Unë mendoj se e ka qeveria, por sigurisht, këtë duhet ta tregojnë shqiptarët.

 J.Bugajski: Publiku do vendosë.

 B.Blushi: Ashtu mendoj.

 J.Bugajski: Do ketë debat të këtyre çështjeve gjatë fushatës?

 B.Blushi: Sigurisht.

 J.Bugajski: Mos vallë po thoni se kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, atëherë mundësia e integrimit me Kosovën ka për t’u rritur?

 B.Blushi: Kjo është ajo që thonë të gjithë. Unë vetë nuk e di. Unë nuk e di se çfarë duhet të bëjmë më parë: të bashkohemi me Kosovën dhe mandej të hyjmë në BE, si një vend i madh, apo të hyjmë së pari në BE dhe të bashkohemi atje. Por në BE ne do të jemi të bashkuar në po të njëjtën mënyrë me maqedonasit, me serbët, me kroatët, me lituanezët, me sllovakët…