Antimafia italiane:S’na rezulton trafik me avion nga Shqipëria

442
Sigal

TIRANE – Prokurori i Antimafias italiane në provincën e Leçes, Cataldo Motta, deklaron nga Tirana se përvec rastit të Divjakës nuk rezulton asnjë rast i trafikut të drogës me avionë nga Shqipëria drejt Italisë. I pyetur nga gazetarët nësë ka dijeni për avionë të tjerë që vinë nga Shqipëria drejt shtetit fqinj, Motta tha se nuk rezulton një gjë e tillë. Ai vlerësoi se 44 miljet detare që ndajnë Vlorën me Leçen e bëjnë këtë krahinë portën hyrëse të marijuanës shqiptare për në Itali dhe vëndet e tjera të Bashkimit Europian. “Dihet që në Shqipëri ka kultivim të madh sasish lëndësh narkotike dhe që Shqipëria është një furnitor i madh i kësaj lënde. Dhe është një fakt i njohur që Vlora është nga Leçe 44 milje detare larg, dhe kështu që tregu i parë për shpërndarjen e marijuanës është Leçe”, tha Motta.

“ËSHTË RRITUR SASIA E DROGËS QË VJEN NGA SHQIPËRIA”
Motta vlerësoi bashkëpunimin me policinë shqiptare në sekuestrimet e kryera kohët e fundit të marijuanës në Itali, por gjithashtu ka pranuar se ka patur një rritje të sasisë që tentohet të trafikohet nga Shqipëria. Më shumë se sa sekuestrimi i lëndës narkotike është rritur sasia që ka hyrë në Itali. Një sasi e konsiderueshme bëhet npërmjet emigracionit të jashtëligjshëm, kështu që jo e gjithë sasia e lëndës narkotike është e destinuar të konsumohen aty, një sasi është e destinuar për vendet e Europës veriore”, tha Motta. Deklarata është bërë gjatë takimit rajonal të Prokurorisë së Përgjithshme me homologët e Ballkanit Perëndimorë. Motta vlerësoi deklaratën e ministrit të drejtësisë Nasip Naço për ndryshime për fuqizimin dhe një autonomi më të gjerë për zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

MOTTA: KRIMI I SHTRIRE KUDO, NDAJ DUHET SKUADER E PERBASHKET HETIMI
Gjatë zhvillimit të takimit rajonal të Prokurorëve të Përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor, Prokurori i Antimafias italiane në provincën e Leçes Cattaldo Motta, u shpreh në lidhje me masat për luftën ndaj krimit se është e nevojshme ngritja e një skuadre të përbashkët hetimore pasi sipas tij krimi është i shtrirë kudo. “Krimi i organizuar është shtrirë kudo. Për këtë nevojitet edhe përmirësim veprimtarisë së hetimeve. Në këtë kuadër duhet të implementohen sisteme efikase kundër veprimeve kriminale. Nevojitet bashkëpunim i hetimeve dhe jo vetëm mes policisë, pra një skuadër e përbashëket e hetimeve. Ne nuk jemi më të mirë se ju, thjesht fatkeqësisht jemi mësuar më shumë se ju, prej një kohe të gjatë në luftën kundër këtij fenomeni.” u shpreh Cattaldo Motta

Në këtë kuadër Motta theksoi se një sërë masash si përfshirja e hetimeve elektronike dhe konfiskimi i pasurisë do të shtojnë luftën ndaj krimit.“Përmirësimi i strukturave dhe infrastrukturës hetimore është një tjetër pikë e rëndësishme. Kjo ka të bëjë me përfshirjen e hetimeve elektronike në procesin e hetimeve. Po ashtu, konfiskimi i pasurisë së kriminelëve është një tjetër aspket, i rëndësishëm. Kjo metodë është përdorur për herë të parë në Gjermani, dhe nuk është aspak antikushtetuese, por përkundrazi është në kuadër të intensifikimit të luftës ndaj krimit.” tha Motta