Ambasadori Lu i dorëzon Berishës raportin e Komisionit të Venecias

460
Ambasadori i SHBA në vendin tonë, Donald Lu, ka shkuar ditën e sotme në zyrën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për t’i dorëzuar zyrtarisht, në emër të ambasadës së SHBA dhe të ambasadës së BE-së, draftin e vërejtjeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi.
Ndërsa, e falenderoi Berishën për angazhimin serioz dhe kontributin e tij në këtë proces themelor, Lu shprehu bindjen se vërejtjet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias pasqyrojnë gjerësisht qëndrimet dhe vërejtjet e formuluara nga opozita.
Më tej, ambasadori Lu vlerësoi rolin e Sali Berishës në procesin e diskutimit dhe miratimit të ligjit për Dekriminalizimin.
Nga ana e tij, Berisha e falenderoi ambasadorin Lu për mbështetjen e çmuar dhe përkushtimin e tij të madh në procesin e dekriminalizimit, si dhe për reformën në drejtësi.
“Pa këtë mbështetje dhe qëndrimet tuaja, ky ligj do ishte i pamundur”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri vlerësoi se ky ligj është një hap i madh përpara por nga ana tjetër shprehu keqardhjen më të madhe, se të nesërmen e miratimit të ligjit, Edi Rama emëroi në krye të socialistëve të Shkodrës një njëri të çertifikuar për vrasje nga drejtësia.
Berisha shprehu falenderimet për Komisionin e Venecias për punën e madhe që ka bërë dhe për komentet dhe rekomandimet e tij, të cilat janë në një valë me propozimet e opozitës.
“Ky dokument është një bazë shumë solide për t’i dhënë vendit reformën më të mirë të drejtësisë. Me vërejtjet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, provohet se sa qesharake janë pretendimet se opozita është kundër reformës në drejtësi. Komentet, vërejtjet, rekomandimet apo sugjerimet dëshmojnë qartë se opozita është jo për një reformë që kap drejtësinë nga politika apo partia, por për një reformë të standarteve më të mira europiane. Opozita, sikundër deri sot, duhet dhe do të qëndrojë e angazhuar me të gjithë potencialin e saj për këtë reformë, e cila duhet të bazohet në parimet themelorë të kushtetutshmërisë, që aq me kopetencë i ka zbërthyer Komisioni i Venecias në vërejtjet e tij. Në këtë kontekst mendoj se forcat politike duhet të mbështesin këshillën e urtë të kryetarit të Komisionit të Venecias, i cili rekomandoi politikën e ndjekur për miratimin e ligjit të dekriminalizimit”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri shprehu bindjen se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të punohet dhe procedohet për hartimin dhe miratimin e të gjitha amendamenteve kushtetuese dhe ligjeve të tjera që rrisin përgjegjësitë, transparencën dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe ndëshkojnë korrupsionin në këtë sistem.
Sigal