Sigal

Është e domosdoshme që të ndryshojmë rrënjësisht konceptin tonë për shkollën. Problemi i arsimit është për mua, problemi madhor i së sotmes, por më shumë i së nesërmes.
Pse arsimi është problem parësor?
Sepse nga arsimimi i njerëzve varet e ardhmja ekonomike, politike, kulturore e kombëtare. Jetojmë në kohë ndryshimesh radikale, të cilat kërkojnë detyrimisht filozofi të re edukimi. Shkolla e Mesjetës nuk mund të jetë shkollë e epokës së TCH. As mësuesi nuk mund të jetë i tillë, as programet. Ndaj është e domosdoshme që të ndryshojmë rrënjësisht konceptin tonë për shkollën. Ndaj asnjë reformë që ndryshon mënyrat e menaxhimit, apo financimit nuk mund t’i shërbejë vërtetë arsimit. Fëmijët e sotëm janë fëmijët e teknologjisë “tash”. Çfarëdo të bëjmë ne për të hequr celularët nga shkolla apo për t’i detyruar të rrinë në klasa me orë të stërzgjatura nuk do fitojmë asgjë. Dhe e dini pse? Sepse forca e teknologjisë është disa herë më e madhe se forca e fjalës së një mësuesi që është shumë larg kësaj teknologjie dhe po kaq me e madhe se “forca” e rregullit shtrëngues. Asnjë forcë nuk do ta ndalojë dot fëmijën të mos e përdorë celularin. Madje, dhe kur e detyron ta bëjë këtë, sigurisht që më së shumti do bëhet agresiv ndaj mjedisit, apo dhe ndaj mësuesit. Teknologjia është e ardhmja e Botës, pra dhe e ardhmja e jonë. Të gjithë duhet ta kemi të qartë këtë.
Atëherë cili ekuilibër do duhej të vendosej në shkollat e sotme mes të nxënit klasik dhe teknologjisë magjepsëse?
– Përgjigjja e kësaj pyetjeje kërkon të mendojmë në mënyrë revolucionare. Radikalisht duhen ndryshuar konceptet tona për shkollën, për klasat, për nxënësit. Nxënësi nuk mund të rrijë pa lëvizur 2 orë e të dëgjojë leksionin e mësuesit që, në rastet më të shumta, riprodhon në mënyrë mekanike librin. Dhe unë të isha nuk do rezistoja dot. Pra, duhet ndryshuar metoda e orës së mësimit. Në mënyrë radikale. Asnjë dije nuk mësohet me dhunë e detyrim. Dija është dhe duhet të jetë kënaqësi. Pse kur fëmijës i ushqen dëshirat, hobin e tij ai shkëlqen? Atëherë metodat e mësimdhënies duhen ndryshuar, duke e “detyruar” nxënësin të kënaqet me kohën, kur janë bashkë në klasë. Por, që të arrijmë këtë, fillimisht duhen ndryshuar kurrikulat dhe planet mësimore të “fabrikave” që prodhojnë mësues. Universitetet janë të parët që duhet të fillojnë këtë Revolucion. Studimet e tyre duhet ta mbështesin këtë filozofi të re. Por, për studimet shkencore në universitet, askush nuk interesohet, sepse fondet për kërkim shkencor as që duken gjëkundi. Shikoni çfarë po ndodh: Të rinjtë nuk preferojnë më të ndjekin studimet në matematikë, kimi, fizikë etj., dhe sigurisht dhe interesi i tyre për lëndët e mësuesisë po vjen në rënie. Kjo dëshmon se roli i mësuesit nuk është më “prestigjioz” si dikur. As shoqëria nuk e vlerëson e as pushteti. Ndaj ka mësues që nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë profesion, ashtu sikundër ka pedagogë që mësojnë tre ditë më parë se studenti i tyre leksionin që japin. Kjo është një situatë që duhet parë në sy e pa pasione politike. Universiteti duhet të jetë laboratori, ku nxitet kërkimi, ashtu sikundër shkollat duhen shndërruar në vende, ku mësuesi nxit kureshtjen, forcon logjikën dhe aftëson debatin. Por, nëse mësuesin e ngarkojmë të mbushë formalisht dokument pas dokumenti, të mbushë një mal me letra që nuk i duhen askujt, sigurisht nuk mund të presim nga mësuesi të jetë i tillë, krijues dhe zotërues i kohës së tij. Nëse pedagogë emërohen sekretarët e ministrave, apo deputetëve, as që mund të flitet për kërkim shkencor dhe edukim me dije.
– Duhen ndryshuar radikalisht programet mësimore. Dhe kur them, radikalisht, gjykoj se duhen ndryshuar ato që nga kopshtet e deri në universitete. Por kjo kërkon më së pari, një strategji kombëtare: Çfarë i duhet vendit, çfarë i duhet njerëzve e çfarë i duhet vetë të riut! Këtë e bën një shtet që mendon seriozisht për të ardhmen. Ne shqiptarët kemi disa veçori që nuk na bëjnë as anglezë e as gjermanë. Ne jemi një komb që me shkrimin e shkruar jemi takuar shumë vonë. Jemi një komb që vdesim për të kapur të renë që na intereson, jemi një komb që i zgjidhim problemet pa kaluar në linjën logjike, por duke bërë lidhje të shkurtra. Ne jemi një komb që e duam klanin, por jo shoqërinë. Pra ne kërkojmë patjetër një qasje tjetër edukimi, i cili të synojë të ardhmen, duke mbajtur “vulën” shqiptare. Shqiptari nuk është shumë i dhënë pas dijes. “Zot me jep mend sa të lidh ushkurin, të tjerat m’i jep fat” është një shprehje jonë popullore, që flet për psikologjinë tonë. Por, ama shqiptari shkëlqen, nëse dija e tij i shkon për shtat me interesin e tij. Aty ai bëhet protagonist i shkëlqyer. Shikoni coll -centerat janë plot me të rinj shqiptarë. Të paktën iu kanë mësuar të rinjve gjuhët e huaja, më shumë se çka bërë shkolla, iu kanë mësuar të komunikojnë e të negociojnë. Pra sistemi ynë arsimor kërkon Revolucion. Kërkon nxitjen e kërkimit tonë në këtë fushë.