Xheladin Çelmeta/ “Kudo na dëbojnë…se jemi romë”

515
Sigal

Reportazh, nga fusha e NSHRAK-ut, te “Rruga e Kavajës”, ku vazhdon dëbimi i 37 familjeve rome nga banesat

“O do fitojë betoni, o do fitojë ligji”. Kështu është shprehur dy ditë më parë kreu i ri i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Florian Raunig, lidhur me problemin e romëve që po dëbohen nga një firmë ndërtimi që do të ndërtojë pallat, tek ish-NSHRAK-u, aty ku dikur ishte studioja e Veprave të Artit. Më saktë, tek “rruga e Kavajës” afër shkollës Teknologjike. Jo më larg se 100 metra nga “Pallati me shigjeta”, pranë urës së Lanës, (pjesë e njësisë administrative Nr.7), rreth 37 familje rome, po dëbohen nga firma e ndërtimit, e cila “për mëshirë” u ka dhënë atyre vetëm nga 80 mijë lekë (të vjetra) për çdo kryefamiljar, në këmbim të lirimit të menjëhershëm të banesave-barraka, ku ata jetojnë që prej vitit 1997, por edhe vite më parë. Firma kështu “ka larë duart”, duke u dhënë qindarkat në fjalë dhe i ka paralajmëruar prerë: “Sa më parë të ikni”. Dhe jo vetëm kaq: Ajo u ka bllokuar edhe të gjitha rrugët atyre për hyrje e dalje. Deri tani sa “për mëshirë” ajo u ka lënë vetëm një “zorrë” uji, sa për të shuar etjen; edhe pse për atë ujë, nuk ka asnjë konfirmim mjekësor, nëse është, apo jo i pijshëm. Aty prej kohësh pinë ujë foshnjat rome ; nga 1-3,4,5,6 apo 7 e 8 muajshe. Fadroma ka shkatërruar deri tani 90 për qind të banesave. Dhe është “Ditë Bajrami”, ditë kur për ironi predikohet mëshira ndaj të dobëtit (reportazhi u  shkrua pikërisht në këtë ditë, direkt nga mjedisi ku ende vazhdon dëbimi i romëve). Disa romë e quajnë “bamirësi” dhënien e këtyre qindarkave nga firma ndërtuese, dhe nuk guxojnë dot të flasin keq për të; edhe pse ajo po i dëbon ata. Kurse pjesa më e madhe e tyre, janë tmerrësisht të revoltuar për këtë përzënie masive të pamëshirshme, me “Fadroma”. “ Po na dëbojnë, kudo, kudo…jo vetëm në Tiranë, por edhe në Korçë, edhe në Elbasan, kudo… Po na dëbojnë, se jemi racë tjetër, se jemi dorë e zezë”, thotë Hajdar Ashimi, një rom 60- vjeçar.

Fëmijët romë: “Kemi frikë nga fadroma”

Sheshi pranë mjediseve të studios së Veprave të Artit, është zbrazur në rreth 90% të sipërfaqes. Romët, të alarmuar e të frikësuar mbledhin plaçkat e mbetura, ndërkaq edhe ndonjë hekurishte për ta shitur aty për aty, sa për të blerë një bukë. Pamja është e llahtarshme. Fadroma ka vetëm 1 orë që sapo është fikur. Ajo do ndizet sërish dhe fëmijët romë, futen nëpër dërrasa, të frikësuar nga ajo. Janë edhe 4 “banesa” ende të paprishura. Ende nuk ka shkuar aty fadroma. “Erdhi fadroma”, tingëllon për këta fëmijë njëlloj si dikur thirrja gjatë luftës, kur bëheshin reprezalje naziskine, e kur njerëzia bërtiste: “Erdhën fashistët!”. Kaq e frikshme është bërë fadroma për ta. Fëmijët kanë frikë edhe nga njerëz “zyrtarë”, të veshur “shik”, apo me kollare, që vijnë aty “për t’u sqaruar”. Se nga ata presin vetëm gjëra të këqija. Më ngatërrojnë fillimisht edhe mua për “njeri zyre”, por shpejt keqkuptimi sqarohet dhe ata gjithë respekt nisin të më “zbrazen”.

Anxhela Ymeri: “Po na dëbojnë si qentë”

Një grua rome mban në dorë një fëmijë 4 -muajshe. Thotë e alarmuar: “Njëlloj si qentë po na dëbojnë. Po ne jemi edhe më keq se qentë se nuk na lenë të qetë të jetojmë në asnjë vend. Kudo na thonë “ikni”. Kurse Fatjona shprehet se kurrë nuk e priste një gjë të tillë. Thotë se, “nuk na kanë sjellë asnjë copë letër, ku të na paralajmëronin të paktën”. Ku nuk janë ankuar ata: tek Avokati i Popullit, tek Bashkia, tek minibashkia, te Shoqata e Romëve, kudo. Thonë se prisnin shumë nga Avokati i Popullit, por edhe ai s’bëri gjë. Janë bërë pallate sociale, por ata nuk arrijnë t’i marrin dot asnjëherë.

Ankesa që s’mbarojnë kurrë…

Ata ndjehen të braktisur totalisht. Të braktisur nga shteti dhe nga  shoqëria civile. Thonë se shoqëria civile nuk proteston ndonjëherë për ta; dhe bashkë me ta. “Jetojmë sot për sot”, thotë Sanije Duka. “Jam e sëmurë, më kapin shpesh krizat nervore dhe nuk kam me çfarë të blej ilaçet”… Kampi gjysmë i shkatërruar i romëve, të kall tmerrin. Një mjedis, si i bombarduar nga lufta. Dhe krijesat e mjera, që quhen “romë”, gëlojnë aty-këtu për të mbijetuar. “Të mos na çojnë; sa në një repart ushtarak në një tjetër, se edhe atje vijnë dhe na zbojnë neve”, thotë Samet Muharremi. Në duar mban një foshnje të vogël disa muajshe. Ajo qan pa pushim nga dielli i nxehtë i gushtit. Deri dje, foshnja mbulohej nga çatia e banesës që nuk është më. Fadromisti, ua prishi shtëpinë dhe pastaj u tall me ta: “Ngrohuni në diell, tani”. … Tamam, kështu janë trajtuar dikur ata që kapeshin dhe dërgoheshin nëpër kampet e përqendrimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. “As Berisha, as Basha, as Rama, s’na shpëtojnë dot ne romëve”, thotë Hajdar Ashimi, një 67 -vjeçar. “Ne na e kanë marrë erzin me kohë, jemi dorë e zezë dhe na trajtojnë kështu siç po na trajtojnë. Ja,… ka thënë drejtori i Policisë, Burgaj, se: “Policia do t’i mbrojë romët nga sot e tutje”. Hëm, ja, ta shohim… Po them se nuk do shkojë shumë dhe neve do na ngordhin, këtu butë-butë, duke na prerë ujin, dritat, duke na trembur natën kalamajtë, e me metoda të tjera. E, ç’na bëri Burgaj neve? Na shpëtoi dot? Jo ore jo. Me romët bëhen disqe, për  muzikën e bukur të tyre, por vetëm kaq ama. …Trëndafilit të bukur i merret era dhe pastaj flaket tutje”.  Më i tmerrshëm është rrëfimi tjetër i Fatjonës me foshnjën e vet dhe burrin. “Shkuam në një pallat me qira për disa ditë, thotë ajo. Pronari rregullisht na mori paratë e qirasë, por komshiu në një kat më sipër erdhi pas 20 minutash dhe na zboi: “Ikni, tha, se ju vrava…”. Ikëm, ç’të bënim?…”. Rrëfimet e tyre nuk kanë fund. Ashtu si tmerri që përjetojnë përditë. Fiqrie Demiri, është një rome e vetmuar, 82 vjeçe. Dje, ja prishën banesën. Ka një tufë me plaçka grumbull, që nuk di ku t’i çojë. Ka dy ditë pa ngrënë. Qan dhe vetëm qan. “Bir, më thotë, nuk kam njeri në këtë Botë. Kam dy ditë pa ngrënë. Kam pak qindarka me vete, por nuk ka kush të më blejë diçka. Më thonë “merr rrobat dhe dil tek xhadja. Po ç’të bëj te xhadja?. Të më shtypin makinat?”. Disa hapa më tutje një tjetër familje rome, mes dërrasave që fadroma ja prishi pa mëshirë para ca orësh. Aty janë dy kryefamiljarë të një vajze 6 vjeçe dhe Serxhoja; Serxho Halimi, një djalë 13 vjeç, i paralizuar. Nuk flet. Vetëm më vështron. Kushedi; kujton se unë mund të bëj diçka për të. Por unë as nuk mund të them kurrë atë që ndjej: Nuk i them dot Serxhios se, “ndjehem i kapitulluar”. Jo, kurrë… Vetëm vras mendjen më kot, se si do arrijë një ditë shteti ynë, që t’i mbrojë romët. Romët me ngjyrë të zezë, por me shpirt të bardhë. Nuk e di se kur do ta takoj ndonjëherë tjetër Serxhion, romin simpatik ulok, që në vend të shkopit-patericë që mban për të lëvizur sadopak, do dëshironte që të kishte një shkop xhazi. Ai e do shumë muzikën, por sot ka ikur edhe koha e saj. Për të dhe për të gjithë romët… Ata po mundohen t’u  përngjasojnë qenve të rrugës, që më së shumti mund t’i përzënë vërtetë diku, me një të bërtitur. Por që ata, si qen që janë, mund të kalojnë kohën, edhe diku, në një vend tjetër… Kurse romët….JO.

Flet Xheladin Taço, Kryetar i Federatës së Romëve të Shqipërisë

 “Jemi taksapagues të këtij shteti, duam zgjidhje nga ky shtet”

 “Ne e vlerësojmë shumë atë që po bëhet mediatikisht, atë që po bën OSBE, atë që po bën Avokati i Popullit”, thotë Xheladin Taço, Kryetar i Federatës së Romëve të Shqipërisë. “ Po në terren po ndodh tjetër gjë. Këtu po ndodh llahtaria. Romët janë futur “në rrethim” nga firma e ndërtimit. Të gjitha rrugët, ku ky komunitet deri dje kalonte për të blerë, për të hyrë e dalë nëpër banesa, tani po bllokohen të gjitha. Edhe një tub i vogël uji, mund të ndërpritet me sot e me nesër. Dhe njerëzit të thahen për pikën e ujit në këtë vapë të tmerrshme. Mëshirë për këta foshnja 1, 2, 3, 4, 5 apo 6- muajshe që po thahen në këtë pisk vape. “Cila është rrugëzgjidhja?”, do thuash. Nuk bëhet më fjalë për rrugëzgjidhje. Ja banesat u prishën, dhe të sëmurë, pleq, fëmijë janë në rrugë të madhe. Jemi taksapagues të këtij shteti dhe shteti duhet të na japë rrugëzgjidhjen”.

Istref  Pëllumbi, përfaqësues i Komisionit të Strehimit për romët në Bashkinë e Tiranës:

 “Kriteret e strehimit, enkas për të mos përfituar romët”

 “Nuk besoj se do të zgjidhet ndonjëherë problemi i romëve”, thotë Istref Pëllumbi, përfaqësues i komisionit të strehimit për romët në Bashkinë e Tiranës. “Pse e them këtë, vazhdon ai. E them se në Bashkinë e Tiranës, flitet se janë vetëm 300 banesa sociale, që gjoja janë në dispozicion të familjeve rome . Por deri tani asnjë familje nuk ka përfituar. Janë mbi 2000 aplikime familjesh rome për strehim, kurse janë vetëm 300 banesa sociale. Dhe bashkia për të mos nisur sherrin, preferon të mos u japë fare banesë romëve. Le që edhe kriteret janë bërë enkas për të mos përfituar romët. Kërkohen të ardhura të larta nga familja rome , kërkohet punësimi i detyrueshëm, rrogë e lartë, etj., etj.. Asnjë bankë nuk u jep kredi romëve. Kurrë nuk arrihen këto kërkesa nga ndonjë familje rome . Kështu bashkia luan me ne”.