Sejmen GJOKOLI/ Kryevepra jonë dhe shteti dorë jashtë

615
Po mbushen 10 vite nga dita kur UNESCO e shpalli iso-polifoninë shqiptare “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, duke u futur kështu në mënyrë të pakthyeshme në listën botërore të kryeveprave të njerëzimit. Juria ndërkombëtare e përbërë nga pesëmbëdhjetë personalitete të kulturës nga vende të ndryshme të botës, e mbledhur në Paris, duke shqyrtuar 60 kandidatura të propozuara në rrugë zyrtare nga shtete të ndryshme e nga çdo anë e rruzullit në datën 25 nëntor 2005, mori vendimin tanimë të njohur për këtë dukuri të rrallë e unikale të kulturës tonë shpirtërore. Kaloi jo pa entuziazëm ky moment vlerësues e certifikues i një prej vlerave të qenësishme të trashëgimisë tonë kulturore shpirtërore, aq sa shoqata kulturore atdhetare e patriotike “Labëria”, pak ditë pas vendimit, organizoi në qytetin e Vlorës një veprimtarinë kulturore me okelion “Faleminderit UNESCO”, si për të treguar një gjest mirënjohje dhe falënderimi për këtë vendim marrje e vlerësim të jashtëzakonshëm nga një institucion prestigjioz mbarë botëror. I rëndësishëm mbetej fakti që tani e mbrapa edhe ne si shqiptarë do të kishim “kryeveprën” tonë, as më pak e as më shumë, por pikërisht nga kultura jonë e trashëgimisë shpirtërore pjesë e rëndësishme e indit tonë kombëtar. Më kujtohet se aso kohe i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Kulturës, ku një udhëzim i posaçëm u hartua dhe u nis njëherësh në disa drejtime. Është fjala për udhëzimin që daton 12 dhjetorin 2005 dhe që i drejtohej jo vetëm institucionit përgjegjës e të vartësisë siç është Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, por edhe disa qarqeve e bashkive të vendit, kryesisht njësive vendore ku gjallon pasuria e shpallur “kryevepër”. Ky udhëzim me firmën e ministrit të kohës, për hir të së vërtetës, jo vetëm nga shpejtësia e veprimit, por mbi të gjitha nga thellësia e mendimit dhe përgjegjshmëria e trajtimit, më duhet të pohoj se,të paktën në dokumente zyrtare, duket i plotë dhe i mirë menduar. Por sot, nëse kuturisim të ballafaqohemi me zbatimin e këtij udhëzimi, sidomos në termat e hartimit të tij, ndjehemi të zhgënjyer e shumë larg nga e “thëna tek e bëra”. Edhe nëse gjejmë ndonjë pikë të zbatuar më tepër ngjan me formalizëm se sa me thelbin dhe rëndësinë e dimensioneve që kërkon të mbrojë e zhvillojë udhëzimi. Sepse në termat e parashtruara ky udhëzim merr parasysh gjithçka duhet bërë, në radhë të parë nga vet institucionet përkatëse të shtetit si ruajtjen, studimin, promovimin dhe popullarizimin mbarëkombëtar të iso-polifonisë si vlerë e pamohueshme e trashëgimisë shpirtërore shqiptare, që tashmë është pjesë e “kryeveprave të trashëgimisë orale të njerëzimit”, të mbrojtur nga UNESCO. Udhëzimi gjithashtu bën fjalë për ngritjen në një nivel më të lartë shkencor dhe artistik të punës në drejtim të njohjes e promovimit të iso-polifonisë dhe kjo në kuptimin e politikave kulturore nuk është pak, sidomos kur kemi parasysh vështirësitë që hasen në këtë fushë në sistemin e ekonomisë së tregut që ne si shoqëri jemi futur. Të vjen keq gjithashtu që ndërsa në udhëzim kërkesat dhe detyrat shtrohen thellësisht shkencore, asnjëherë për to nuk është folur e diskutuar si për një “koracë” në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të “kryeveprës” tonë shpirtërore e kombëtare . Dhe kur them që nuk është folur theksoj se nuk është folur asnjëherë, pavarësisht se cili krah i politikës ka qenë në qeverisje. 
Po ndalem në disa prej tyre
Në pikën 3 të udhëzimit thuhet: “Qarku dhe Bashkia e qytetit të Vlorës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike të organizojnë çdo vit në datat 25-28 nëntor, Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso-Polifonisë, në qytetin e Vlorës. Kjo veprimtari e rëndësishme kombëtare të realizohet enkas për ruajtjen, propagandimin dhe kultivimin e traditës muzikore të iso-polifonisë, dhe të organizohet si një veprimtari multikulturore, ku të përfshihen edhe ekspozita e botimeve kushtuar iso-polifonisë, e CD-ve, videove, etj. me këngë polifonike, tryezave shkencore, etj”. E vërteta është se për disa vite ky festival u zhvillua dhe nisi të bëhet një traditë në qytetin e Vlorës edhe pse në disa vite u anashkalua e në disa edicione u degradua fare. Megjithatë është vendi të themi, se edhe kur ky aktivitet mori udhë, në jo pak raste u vu në pikëpyetje zhvillimi i tij për shkak të mosplanifikimit të fondeve, por edhe se asnjëherë nuk u ndje si detyrim ligjor dypalësh, në përputhje më udhëzimin e MK. Ndonëse duhet thënë se falë bashkisë së Vlorës ky festival shënon mbajtjen e tij edhe kur nga institucionet në qendër ka munguar totalisht mbështetja financiare. Këtu po flas vetëm për mbajtjen qoftë edhe formale të aktivitetit pa folur për realizimin e botimeve, CD-ve, videove, tryezave shkencore etj. të cilat kanë munguar gjithherë. Dhe kjo në kohën që në pikën 6 të shkresës së MK thuhet: “Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, përveç organizimit të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso-Polifonisë, që zhvillohet çdo vit në qytetin e Vlorës, të parashikojë në buxhetin e saj edhe botime të veçanta për iso-polifoninë dhe dhënien e çmimeve për CD dhe librin më të mirë kushtuar asaj”.
Shumë larg kësaj kërkese e këtij parashikimi. 
E vërteta është se pas viteve ’90 për bartësit dhe interpretuesit e këtij stili muzikor problematikat lidhur me trajtimin e kësaj pasurie shpirtërore kanë qenë të vazhdueshme. Sepse problem ka qenë dhe mbetet sjellja apo trajtimi ndaj vet burimeve njerëzore; bartës, krijues dhe përcjellës të kësaj dukurie. Ka jo pak prej tyre, kjo edhe për shkak të formimit apo shkallës së arsimimit, që mendojnë se me shpalljen e polifonisë “kryevepër…” UNESCO do të niste drejt Shqipërisë edhe “thasët” me para , sikundër të tjerë që hamendësojnë apo dyshojnë se dikush përfiton apo “ha” paratë që evropa dërgon për ta. Kjo ndodh se, asnjëherë institucionet e specializuara të shtetit nuk e kanë konsideruar punën dhe përpjekjen e grupeve apo shoqatave të polifonisë dhe asnjëherë nuk ndajnë me to kapacitete formuese për thithje projektesh apo bërje pjesë të fondeve që nga jo pak programe ndërkombëtare shkojnë e vijnë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore. Por qe vetëm “krijuesit” e Kryeveprës nuk i kanë parë asnjëherë. Pa harruar se vitet e fundit disa ndër ne, që hiqen se janë të përvëluar e si zë as gjumi për polifoninë, në vend të ishim një zë i fortë se pse nuk mundësohet nga institucionet përgjegjëse qoftë edhe realizimi i kërkesave të këtij udhëzimi të dikasterit të kulturës hahemi e grihemi nëse termi “polifoni” do të jetë me “iso” apo pa “iso”. Pa u thelluar se, dua të besoj pa dashje, duke krijuar një pështjellim të tillë, në fakt ndezim një zjarr ku ata që duhet ta shuajnë e që paguhen për t’i bërë mirë këto punë, ngrohin duart. Harrojmë gjithashtu se pikërisht tryezat dhe diskutimet e parashikuara për çdo herë e në çdo vit të festivalit do ishin dhe një rast i mirë jo vetëm për të shkëmbyer mendime e trajtesa të ditës, por edhe referate me tema nga profesionistë e shkencëtarë të fushës. Qoftë edhe për debate të mirëfillta shkencore nga njerëz apo personalitete të fushës që në radhë të parë polifoninë shqiptare, përpara se ta kenë objekt të fushës së tyre krijuese ta kenë “Dashuri”. Edhe pak ditë na ndajnë nga 25 nëntori, dita e 10 vjetorit të “kryeveprës” tonë. Asnjë fjalë e asnjë letër s’kemi dëgjuar të ketë dërguar apo shkruar kush. E pakonceptueshme, por fare e pafalshme që ky 10 vjetor i parë i kësaj ngjarje të madhe, sa kulturore po aq dhe historike të kalojë kështu. Ndërkohë që viti, për institucionet e kulturës të territoreve që e zhvillojnë atë, mbase duhej të shpallej i “Iso-polifonisë”, i “kryeveprës” tonë të vetme. Personalisht i kam bërë me kohë disa përpjekje –kujtesa, por si duket për ata që duhet të dëgjonin “veshët” kanë qenë të zëna nga zhurma e tallavasë apo rrokut. Dhe sytë të verbuara nga dritat e kuqe të skenës së Kalasë së Gjirokastrës, nga ku u përcoll folku i shpirtit të kombit shqiptar 2015. Në u bëftë gjë në këto dy javë të mbetura emrin do ta ketë, jo formalizëm, as për “me la gojën”, por thjesht tallje dhe turp. 
Sigal