Prof. Zyhdi Dervishi/ Një libër fokus dhe burim rrezatimesh të shumëvlerta

773
Sigal

Arti migjenian është një dukuri mjaft komplekse në letërsinë e shqiptarëve

Arti migjenian është një dukuri mjaft komplekse në letërsinë e shqiptarëve. Ndonëse u ngjiz në harkun kohor të fare pak viteve ky art ngjan me një diamant, në të cilin reflektohen në mënyrë të përqendruar  prirjet progresive, shoqërore e politike, estetike e letrare mbarëshqiptare e më gjerë dhe njëherazi funksionon si një burim i fuqishëm rrezatimi vlerash artistike e njerëzore. Duke qenë e tillë letërsia migjeniane ka tërhequr me forcë të veçantë interesimin e vazhdueshëm jo vetëm të artistëve të fjalës, por edhe të kritikëve, të studiuesve të historisë së letërsisë, të filozofisë së artit etj. Krijimtaria migjeniane ka tërhequr vëmendjen e studiuesve më në zë, pavarësisht nga atmosfera politike përgjithësisht e trazuar  ose mjaft e trazuar në shoqërinë shqiptare: në gjysmën e dytë të viteve ’30 të shekullit XX kur shoqëria shqiptare përjetonte ngërçet e prag-katastrofës së pushtimit prej shteteve fashisto-naziste dhe përgjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, në vitet e para pas mbarimit të kësaj lufte dhe përgjatë periudhës së regjimit socialist totalitar, në rrjedhën e zhvillimeve demokratike pastotalitare deri në aktet tona. Shumica e studimeve mbi artin letrar të Migjenit karakterizohen nga profesionalizmi dhe nga përgjegjësia qytetare. Por libri më voluminoz, më i kompletuar në gjithçka, me risi të shumanshme është  punimi monografik “Migjeni-fryma moderne në letërsinë shqipe”. (Estetika migjeniane), i botuar muajt e fundit nga Alfred Uçi (nuk po i përmend titujt shkencor sepse prej vitesh ai i ka tejkaluar ato, është shndërruar në një emër të përveçëm në fushë të studimeve filozofike e artistike, estetike e sociologjike). Kjo monografi e rilevon personalitetin krijues dhe sidomos artin letrar të Migjenit në disa rrafshe të ndërthurur, filozofik e sociologjik, estetik e artistik, historik e human etj. Këto përgjithësime teorike komplekse pasurohen e konkretizohen me një gamë mjaft të gjerë faktesh e detajesh artistike, estetike e jetësore. Në këtë libër, si dhe në shumë libra të tjerë të Alfred Uçit, parashtrohen të gërshetuara për përgjithësime teorike të niveleve më të epërme me interpretime të shumanëshme  të mesazheve që bartin e përcjellin edhe detajet më të imtësishme.

Për gati gjashtë dhjetëvjeçarë Alfred Uçi qëndron në ballë të avangardave më të përparuara të mendimit shqiptar në shkencat shoqërore. Studiuesi Mario Bruneti, i cili e ka njohur krijimtarinë mjaft të gjerë dhe mjaft cilësore të Alfred Uçit përgjatë 30 viteve të fundit, skicon portretin krijues të tij me këto penelata kryesore: “Intelektual….me vizion të qartë dhe të fortë kritik ndaj realitetit shoqëror… që ka mbetur si pikë referimi e lartë dhe e patrandshme e forcave rinore dhe intelektuale që aspirojnë të ndërtojnë “Shqipërinë e re”…. Veprat e tij shkencore, mbi të gjitha ato filozofike dhe estetike përbëjnë një kontribut të veçantë që lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën kombëtare dhe europiane (Gazeta Shqiptare, 24.02.2013:22). Sikurse në mjaft libra të tjerë, edhe në këtë punim monografik Uçi sjell një gamë të gjerë risish, konceptuale dhe interpretuese, të cilat i parashtron përmes diskutimeve dhe polemikave të mirë argumentuara dhe me frymë qytetarie. Në këtë linjë metodologjike Uçi selit edhe idenë e shkollës migjeniane në letrat shqipe. Këtë ide ai e konstrukton duke daravitur mjegullën e paragjykimeve mjaft të përhapura në fushë të studimeve mbi letërsinë shqipe, sipas të cilave “ në letërsinë shqipe nuk ka shkolla artistike, por individualitete krijuese mjaft të spikatur”, se “ duke qenë mjaft individualistë shkrimtarët dhe poetët shqiptarë nuk mund të vihen nën një kapele rryme artistike ose shkolle të përbashkët”, “ se mungesa e shkollave letrare e ka sfumuar frymën kolektiviste në letërsinë shqipe dhe ka përforcuar origjinalitetin e krijuesve të saj etj. Në të vërtetë shkolla letrare nuk nënkupton që më të rinjtë të imitojnë krijimtarinë e krijuesit më me ndikim ose të themeluesit të shkollës. Edhe brenda arkitekturës në një shkollë letrare, anëtarët e saj mund të krijojnë vlera origjinale mjaft të arrira. Për situata e raporte të tilla Bertold Breht, ndër të tjera, ka shkruar: “Në letërsi, po pate parasysh vetëm shumë të mëdhenjtë, nuk kupton asgjë. Një qiell që ka vetëm yje të mëdhenj nuk është qiell. Mund të mos gjesh te Lenci atë që gjen te Gëtja, por as te Gëtja nuk e gjen atë që gjen te Lenci. Dhe nuk është privuar aspak që një vepre të një gjeniu të dorës së dytë i mungon patjetër diçka. Në vetvete dhe nga çdo pikëpamje ata mund të jenë të përsosur” (Breht, B.Fokus, R; Fobelshtajn, 1982:83).

       Në këtë punim monografik Alfred Uçi e shtjellon konceptin shkollë letrare në kuptimet themelore dhe në dallimet dhe segmentet interferuese të tyre. “Ka shumë nuanca të ndryshme të kuptimit…. të termit shkollë letrare…, por ne duam të kujtojmë në dy vija themelore të tij: si karakterizim i krijimtarisë origjinale të një krijuesi të veçantë, mjaft të talentuar, ose të një bashkësie krijuesish që kanë prirje origjinale të afërta” (Gazeta “Shekulli”, 21.11.2013: 18). Përmes argumenteve të hollësishme filozofike dhe estetike, sociologjike dhe kritike Uçi argumenton se shkolla migjeniane rilevohet në këta dy rrafshe. Në vijim ai analizon, si të thuash, linjat kryesore të komunikimit, të drejtpërdrejtë dhe sidomos të tërthorta, të dukshme dhe të padukshme, por gjithsesi të qenësishme të krijimtarisë letrare migjeniane me krijimtarinë e disa brezave të poetëve dhe prozatorëve shqiptarë më potentë që nga vitet ‘50 të shekullit XX deri në ditët tona. Uçi ndër të tjera shkruan: “Migjenologjia e sotme e pranon tashmë se ka një estetikë migjeniane, të trupëzuar në vepra të shquara artistike, që vazhdon të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e begatimin e mëtejshëm të frymës moderne edhe të letërsisë bashkëkohore shqipe” (2013:288). Por, ai nuk kufizohet vetëm me ndikimet e shkollës migjeniane në krijimtarinë letrare. Shkollën migjeniane në tërësinë e parametrave të saj Uçi e analizon edhe si një mekanizëm kompleks, me fuqi veprimi të jashtëzakonshëm për t’u orientuar në zgjidhjen e problemeve të mprehta sociale që përjeton shoqëria shqiptare e viteve të fundit, për të sfumuar e tejkaluar plagët sociale të shumëllojshme, për të afruar shoqërinë shqiptare në mendësi e në shumëçka me standartet më të përparuara të shoqërive perëndimore.

   “Tani është e mundshme nga çdo pikëpamje – thekson Uçi –  që të përqendrohet vëmendja e studimeve migjeniane në trajtimin shkencor dhe në njohjen e aspekteve të padëshiruara akoma të vlerave të mirëfillta të krijimtarisë dhe të mendimit estetik të Migjenit, me qëllim që të mbështetet ndikimi i mbarë i tyre në brezat e rinj të krijuesve e të lexuesve, për ta kapërcyer sa më shpejt krizën dhe kaosin e ideve estetike të periudhës kalimtare në kushtet e pluralizmit, lirisë e demokracisë, për ta njohur si ndihmesë të madhe në zhvillimin e kulturës artistike shqiptare dhe në përshpejtimin e proceseve të integrimit të kombit tonë në Bashkimin Europian.”  Libri “Migjeni – fryma moderne në letërsinë shqipe” (Estetika migjeniane) përbën një nga modelet më të arrirë teorike e metodologjike të shqyrtimit të dukurive socialartistike në mënyrë të gjithanshme, një model udhërrëfyes për studentët e shkencave shoqërore, veçanërisht për ata në fushë të estetikës dhe të shkencave për letërsinë.