Mikesha

736
Sigal

Titulli: Mikesha

 Titulli në origjinal: L’invitée

Autori: Simone de Beauvoir

Përktheu: Diana Çuli

Zhanri: Roman

Data e botimit: Shkurt, 2015

Numri i faqeve: 442

Çmimi: 1000 lekë

Pjesë e koleksionit Lotus

Pjesë e rëndësishme e koleksionit Lotus, “Mikesha” është romani që prek në plagë falë evokimit të ndjenjave dhe mendimeve që mundohemi gjithmonë t’i varrosim thellë brenda vetes. Libri me një fjali

 Informacion i përgjithshëm rreth librit

“Mikesha” është një roman i autores franceze Simone de Beauvoir, i botuar për herë të parë në vitin 1943. Romani është një rrëfim autobiografik letrar i lidhjes që autorja dhe partneri i saj, Jean-Paul Sartre, kanë pasur me Olga Kosakiewicsz-in. Romani u konsiderua për fitimin e çmimit Goncourt.

Ngjarjet zhvillohen në Paris, në fillim dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lidhja e hapur e Fransuazës dhe Pierit tendoset kur ata krijojnë një trekëndësh dashuror me shoqen e tyre të re, Ksavierën.

Historia ndjek këtë grup intelektualësh të rinj përgjatë mbrëmjeve dhe festave të tyre që mbarojnë gjithmonë kur agon, mbi një copëz trotuar, në dhoma mbytëse hotelesh me një yll, nëpër rrugët e ngushta të Parisit. Ndjekim kështu thurjen e shqetësimeve, skandaleve, flirteve, variacioneve të pafundta të xhelozisë, predikimeve, sinqeriteteve të dyshimta, urrejtjeve, hatërmbetjeve, e të tjera e të tjera. Dy profesorë, Sartre-i dhe de Beauvoir-i, dashurohen që të dy pas Ksavierës, një mistrece e vogël tallëse që ka shijen e një karameleje të thartë.

I prezantuar shpesh si romani i shkruar në hakmarrje të gruas që pothuajse shkatërroi lidhjen e hapur të Beauvoir-it me Sartre-in, shpesh mendohet se ky libër përmban vetëm pasion dhe seks. Në të vërtetë, romani paraqet një personazh kryesor të mbytur nga pikëpyetjet ekzistencialiste, teksa ajo përpiqet të zbulojë kush është dhe ç’vend i përket në botë. Duke eksploruar koncepte ekzistencialiste si liria, ankthi dhe tjetri, Beauvoir-i shkruan në mënyrë kaq elokuente mbi natyrën njerëzore, sa i shtyn lexuesit të nisin një hulumtim të ndjenjave të tyre më të fshehta.

 Publiku i interesuar

Për të gjithë ata që kërkojnë një interpretim të ri të çiftit, dashurisë dhe xhelozisë.

Për të gjithë ata që e konsiderojnë veten si lexues të mirë dhe që janë në kërkim të perlave të panjohura në shqip.

Për të gjithë ata që janë apasionuar pas koleksionit Lotus.

Kritika

Një nga arritjet më therëse dhe më të pjekura të prozës franceze të mesit të shekullit XX.

New York Times

 I vendosur në Parisin e paraluftës dhe i mbushur me dashuri, egërsi dhe hakmarrje, “Mikesha” eksploron ndryshimet që lindin në shpirtin e një gruaje dhe një qyteti që do të kapitullojë së shpejti. Megjithëse Fransuaza e konsideron lidhjen e saj me Pierin si të hapur, ajo bie pre e xhelozisë kur çupëza Ksavierë tërheq vëmendjen e tij. Fshatarka e re nevrike fut hundët midis Fransuazës dhe Pierit, duke joshur secilin dhe duke i ndarë djallëzisht, derisa e vetmja mënyrë për të dalë nga trekëndëshi mbetet shkatërrimi.

Sunday London Times

 Zoti e di se çfarë ka menduar Olga kur lexoi librin, i cili i kushtohej asaj, me të gjithë historinë të paprekur. Kritikëve iu duk një libër i lehtë dhe dekadent, nëna e Beauvoir-it u tmerrua, dhe libri iu afrua çmimit Goncourt.

Cerise Press

 I nisur me një citim nga Hegeli mbi dëshirën për vetë-ndërgjegjshmërinë e kërkimit të vdekjes së tjetrit, libri është një studim psikologjik kompleks i betejeva të luftuara me vetveten. I vendosur në prag të Luftës së Dytë Botërore, ai paraqet kompleksitetin e luftës në raportet personale. Protagonistja, Fransuaza, është e detyruar të pranojë që ajo nuk është në qendër të botës dhe që lidhja e saj me të dashurin, Pierin, nuk është e garantuar, por si në gjithë lidhjet e tjera, duhet punuar dhe fituar vazhdimisht. […] Kjo vepër u konsiderua si një nga romanet ekzistencialiste udhëheqëse të Rezistencës dhe mbetet dëshmitare e kundërshtive shpesh tragjike midis përgjegjësisë që kemi ndaj vetvetes, atyre që duam, popullit tonë dhe njerëzimit në tërësinë e tij.

Internet Encyclopedia of Philosophy

Autorja

Simone de Beauvoir (1908 – 1986) ishte një shkrimtare, intelektuale, filozofe, aktiviste politike, teoriste sociale franceze. Megjithëse nuk e konsideronte veten si filozofe, ajo pati një ndikim të rëndësishëm mbi ekzistencializmin dhe teorinë feministe. Ka shkruar novela, romane, ese, biografi, një autobiografi dhe monografi mbi filozofinë, politikën dhe çështjet sociale. Mes të tjerash, ajo është shumë e njohur për romanet e saj, “Mikesha” dhe “Les Mandarins”, si edhe për veprën e saj eseistike “Seksi i dytë”.

Fragmente nga libri

 1)

Nuk mund të flitet për besnikëri ose për pabesi mes nesh, – tha Pieri; e tërhoqi Fransuazën pas vetes. – Ti dhe unë jemi një; është e vërtetë, ti e di, nuk mund të kemi kuptim pa njëri-tjetrin.

 2)

Nuk e njihte më rrezikun, as shpresën, as frikën; vetëm këtë lumturi mbi të cilën nuk kishte asnjë fuqi ndikuese; me Pierin asnjë keqkuptim nuk ishte i mundshëm, asnjë veprim nuk ishte kurrë i pariparueshëm. Po të përpiqej një ditë të vuante, ai dinte aq mirë ta kuptonte se brenda saj mbretëronte gjithnjë lumturia. Ndezi një cigare. Jo, nuk ndiente asgjë tjetër, veç kësaj keqardhjeje abstrakte se nuk kishte asgjë për të cilën t’i vinte keq. Në fyt i mblidhej lëmshi, zemra i rrihte pak më shpejt se zakonisht, por ajo nuk mundej as të besonte se ishte vërtet e lodhur nga lumturia; kjo ndjesi e pakëndshme nuk i sillte asnjë zbulim patetik; ishte një aksident mes të tjerëve, një ndryshim i vogël dhe thuajse i parashikueshëm që do të zgjidhej në paqe. Ajo nuk i hapte rrugë dhunës së çasteve, e dinte mirë se asnjë syresh nuk kishte vlera vendimtare. “E burgosur në lumturi” mërmëriti ajo; por brenda vetes bulëzonte ajo buzëqeshja e veçantë.

Në thelb, ti thjesht ke frikë; ndoshta jo nga familja; por, frikë të shkëputesh nga zakonet e tua, frikë nga liria.