HEC-et shkatërrojnë Librazhdin!

607
Nga Arlis ALIKAJ
Parku Kombëtar Shebenik–Jabllanicë, “molla” e korrupsionit të qeverisë në dhënien e lejeve për hidrocentralet 
Në cilin vend të botës mund të jepet leje për HEC-e, ndonëse zona është e mbrojtur si një park kombëtar? Vetëm në Librazhd. Me sa duket, qeveria ka një “qëllim”: Ta shkatërrojë plotësisht parkun e Librazhdit, florën dhe faunën e tij, deri në burimin më të fundit turistik të zonës dhe derisa të thahet edhe pika më e fundit e ujit në lumin Shkumbin. Dhe, ajo nuk ka ndërmend të ndalet derisa ta arrijë këtë. 

Dritë-hije të dyshimta dhe afera korrupsioni të pafundme në dhënien e lejeve për hidrocentrale në Parkun Shebenik-Jabllanicë, që është një zonë e mbrojtur, me potenciale të panumërta natyrore dhe kulturore. Jo një, por plot 45 leje për ndërtime hidrocentralesh janë dhënë në këtë zonë, ndërkohë që shumë të tjera janë në diskutim. Dokumentet kanë ardhur “të kopsitura” nga Ministria e Energjetikës, duke mos bërë as konsultime me komunitetin, si edhe pa e marrë aspak parasysh faktin që kjo është një zonë e mbrojtur. 

Shuhet edhe drita e fundit jeshile për Librazhdin

Parku Shebenik-Jabllanicë shtrihet në gjashtë ish-komuna të rrethit të Librazhdit dhe dëmtimet mjedisore që po ndodhin si pasojë e devijimit të rrjedhës së lumenjve janë alarmante. Specialistë, ekologjistë dhe aktivistë, ashtu si edhe banorë të zonës, që ndihen çdo ditë e më të rrezikuar, kanë vënë alarmin prej kohësh, por deri më sot, përveç premtimeve se kjo çështje do të zgjidhet, ka ndodhur vetëm një ndryshim: Janë dhënë edhe më shumë leje të tjera për HEC-e!

Ndërtimi i veprave të tilla energjetike po dëmton në të gjitha aspektet edhe jetën e mijëra familjeve të kësaj zone që mbahen me bujqësinë e blegtorinë, ashtu si edhe turizmin malor të zhvilluar së fundmi dhe që dukej si një dritë jeshile për përmirësimin dhe rritjen ekonomike të kësaj zone që prej kohësh vuan nga mungesa e burimeve jetike.

Ku janë dëmshpërblimet?
Skandali mjedisor është i pallogaritshëm. Tashmë, lumi Shkumbin është tharë. Gjithë ai lumë i bukur që furnizon tokat bujqësore të fshatrave Kuturman e Togëz, tashmë është futur në tuba hekuri të rëndomtë, duke lënë pas pamjen e një shkretëtire, sikur je në Sahara të Afrikës. Por, ka ende për të thënë… Aktualisht, janë dhënë leje të reja për ndërtime hidrocentralesh, duke e çuar numrin e tyre në më shumë se 85. Këto hidrocentrale nuk luajnë asnjë rol pozitiv për zonën dhe, përveçse nuk sjellin rritje ekonomike për të dhe përveç dëmit mjedisor, kanë sjellë me vete edhe probleme të tjera, gjatë ndërtimit të tyre. Rreth 30 shtëpi në fshatin Togëz, Bashkia Librazhd, pësuan dëmtime të konsiderueshme gjatë ndërtimit të HEC-it të Rrapunit. Tunelet ku kalojnë tubacionet janë fare pranë banesave dhe gjatë shpërthimeve për ndërtimin e tyre shtëpitë kanë pësuar të çara dhe disa prej tyre janë bërë të pabanueshme. Edhe pse u bënë verifikimet e dëmeve dhe banorëve iu premtua dëmshpërblim, tashmë pas 3 vitesh, askush nuk kujtohet për këtë gjë.

Brezat e ardhshëm do të na mallkojnë!
Ndërtimi i HEC-it mbi përroin e Rrapunit ka shkaktuar gjithashtu dëme të konsiderueshme mjedisore. Rrjedha e këtij përroi nuk përballon nevojat e hidrocentralit, çka bën që kompania herë pas here të bllokojë krejt rrjedhën e tij duke shkaktuar ngordhjen e gjallesave dhe dëmtimin e bujqësisë, pasi disa fshatra vadisin me ujin e këtij përroi. Duket se bashkia e Librazhdit është e pafuqishme në këtë pikë. Edhe aktivistët e shoqërisë janë të pafuqishëm… edhe banorët e këtij vendi që humbën edhe shpresën më të fundit për përmirësimin e jetës së tyre, por… edhe më e pafuqishme është Shqipëria, burimet natyrore të së cilës po shkatërrohen dita-ditës nga duar makute që për para, shkatërrojnë gjithçka. 

Brezat e ardhshëm do të na mallkojnë për çfarë i bëmë këtij vendi. 
Sigal