Drejtori në drejtim te paditur?!…

601
Letër e Hyskë Borobojkës drejtuar drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, pasi ka mbetur pa ujë në banesën e tij, si peshku në zall
I shumënderuari drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë,

e mira e të mirave do të ishte që hallin që më ka zënë e s’më lëshon, t’ua rrëfeja goja gojës, fill e për pe. Kjo ishte dëshira ime, mbase edhe tuaja, por s’qe kësmet.. Një ditë, me siklet të madh, erdha në zyrat tuaja në rrugën “5 Maji”, por s’qe e thënë t’u takoja. Në mjedisin e zyrave më pritën disa punonjësit tuaj, që hynin e dilnin, sikur aty të bëhej pazar. Disa të tjerë kishin hapur nga një defter të madh e se çfarë shkruanin e vulosnin në të s’e mora vesh. Njëri i binte daulles, tjetri çiftelisë dhe bënin një humor të shpëlarë, pa shijë, pa ngjyrë, pa erë. -Erdhe, mirëserdhe! Përse je lodhur, ti xhaxha? – më pyeti njëri prej tyre, si më i shpejti e më i shkathte. – Kam ardhur nga halli e jo nga malli, prandaj dua të takoj zotin drejtor! – u thashë. -Nuk është këtu! – ma prenë shkurt, si borxh për të larë. Desha të dija ku ishit me shërbim, apo në ndonjë “drekë pune” e kur do të kthesh, që të prisja. U luta disa herë të më jepnin numrin e celularit që përdorni, që në mungesën tuaj fizikisht, t’ua qaja hallin me anë të telefonit. Por dhe numri hynte në “sekretet” e punonjësve tuaj. E di që do më qortosh e do të më thuash: “More i mirëndjeri, zoti Hyskë Borobojka, në faturën tatimore që u dërgojmë për çdo muaj, kemi vendosur dy numra telefoni. Njëri, që është falas për fakir fukarenjtë, ka numrin 08004488 dhe tjetrin 04 2222762 me pagesë për të kamurit. Prandaj ju, klient i nderuar dhe i “respektuar” s’ishte nevoja të lodheshe e të këputeshe në mes të diellit të vije deri në zyrat tona!”. Të drejtë ke, o i shumënderuari drejtor! Por të betohem për ç’dizen në dynia, të më besosh se i bëra gishtat me kallo duke u renë disa herë me radhë këtyre viran numrave të faturës tatimore. Por përgjigjet kanë qenë standarde apo sapun mbi gunë. “E mbajtëm shënim kërkesën tuaj. Do ta kemi në qendër të vëmendjes, do dërgojmë teknikun, apo interesohu te dega jonë te “Vasil Shantoja” se ata i kanë hidraulikët”. Se çfarë adresë ka kjo degë e hidraulikëve, eja e gjeje. Por si duket zonjat apo zonjushat kujtojnë shprehjen e vjetër: “Me të pyetur gjendet Stambolli” e jo dega juaj te “Vasil Shamtoja”. Ky avaz përsëritet sa herë tingëllon zilja e dy telefonave dhe… Ku ishe? Ç’u bë për ankesën time? Hiç asgjë! Fjalë të mirë e gur në trastë. Tani i shumënderuari zoti drejtor, me që s’pata mundësi t’u takoja në zyrë ose të mësoja adresën tënde ne “drejtim të paditur” po ua shkruaj ankesën dhe hallin tim në këtë letër dhe po ua dërgoj pa zarf me anë të faqeve të gazetës. Jam një qytetar i moshuar që banoj në “Bulevardin Bajram Curri”, Pallatet “Agimi”, shkalla 10, apartamenti 202. Ky pallat i madh me dhjetë shkallë e disa qindra banorë. Qytetarët e tetë shkallëve Ujësjellës Kanalizimi juaj i furnizon rregullisht tre herë në dite. Kurse ne të shkallëve 9 e 10, na veçoni e na i prisni ujin, me orar e pa orar, si t’u teket. Si duket na veçoni si dikur “kulakun e fshatit” apo “armikun e klasës”. Kjo që po të shkruaj është kaq e vërtetë, sa kur hyj të lahem në dushin e shtëpisë kam frikë, pasi e kam pësuar nja dy herë. Sapo kam hyrë në dush e jam shkumëzuar, më pritet ulet dhe mbetem i mbuluar me shkumë të bardhë, si plaku i vitit të ri. Në faturën tatimore, që ne qytetarëve s’harroni të na i dërgoni çdo muaj, na thoni se “Fatura është titull ekzekutiv, sipas ligjit 8975, datë 21. 11. 2004”. Shumë bukur i shumë respektuari zoti drejtor! Fatura qenka detyrim ligjor, por ndërprerja e ujit vetëm për dy shkallët e pallatit të madh me dhjetë shkallë e me dhjetëra apartamente në cilin “detyrim ligjor të faturës tatimore” bën pjesë? Në ligjin 8975 të Qeverisë apo në ligjin e Maliqit?! Veç këtyre, në faturën tuaj tatimore na kujtoni se “pagesa e ujit të pijshëm është titull ekzekutiv dhe se ajo “ paguhet pranë qendrave dhe sporteleve të UKT-së e tek një sërë bankash dhe, kush nuk i paguan, gjobitet e dënohet, se uji i pijshëm nuk është badihava, por me vlerë paraje. Por po të shikoni librezën time s’keni për të gjetur pa pagur, jo një vit, por asnjë muaj. Nuk e di i shumënderuari drejtor se çfarë moshe keni, se ne të moshuarit, kur ishim të rinj, e mbajmë mend, kur këndonim në vitin 1951: “Tiranës ujë dhe dritë,/ T’i japim për dhjetëvjetor” Por që atëherë ka rrjedhur shumë ujë në përruan e Lanës dhe ne qytetarët e Tiranës vazhdojmë, edhe pas 77 viteve, të jemi banorët e të vetmit kryeqytet në botë që ‘kungohemi’ me ujë tri herë në ditë. Sa për natën s’bëhet fjalë fare. Mbase do më thuash se Tirana e ka ujin me kursim. Një herë çahen tubat, tjetër herë lëndohet Bovilla apo rënkon Shën Mëria… Por në pallatin tonë nuk ka sahat matës për shpenzimin e tij dhe qytetarët paguajnë afrofe. Me anë të këtij “rregulli” apo “reforme” u vini në ndihmë lokaleve në katet e parë të pallatit, që me ujë të pijshëm lajnë badihava, jo vetëm lokalet, por edhe trotuaret e makinat. S’le Laroja të hajë Baloja?! Jam i bindur, i lavdëruari zoti drejtor, kur të kthehesh në zyrë nga “dreka e punës” apo nga “drejtimi i paditur” besoj se do vësh dorën në zëmër edhe për ne qytetarët e shkallës 9 e 10 të pallatit “Agimi” që të mos përdorim shprehjen e vjetër e të pyesim: “Ku i varrosin ata që vdesin për ujë?!”

Të uroj shëndet dhe punë të mbarë
Qytetari
Hyskë Borobojka d.v.
Sigal