Dr. Vangjel Kasapi: Islam Spahia – Strateg popullor

1561
Fëmija i dytë, ndër pesë djemtë e Tahirit, mbajti po atë mbiemër, “Spahi”, që iu dha si titull. Trungu Spahia mbart ndër breza tradita të gjata patriotizmi. Midis tyre në histori shkëlqeu edhe Islami (lindur në vitin 1833). Hyri shegert te zotëria e babës dhe ruante tufën, aq sa asnjë kokë s’ia hëngrën ujqit. Përmes punës së ndershme e të palodhur, besnikërisë, nikoqirllëkut, ai doli me tufën e vet, që e shtoi deri 1 000 krerë. Gjatë gjithë jetës Islam Spahia shquhej për dashurinë dhe bujarinë që shfaqte veçanërisht ndaj vegjëlisë, ishte njeri i thjeshtë e që e njihte mirë tolerancën. Për gjithë këto virtyte të çmuara, nuk e thërrisnin “agë” apo “bej”, sipas zakonit që respektohej nga paria e Lumës, por me emrin shumë domethënës “Baba Lami”. Islamin e donte mbarë krahina lumjane dhe ajo përqark saj, duke e cilësuar si “Plaku zëmadh” dhe “I dituri i krahinës”. Qysh në fillim ai u lidh me luftën e u qytetërua me rilindësit, dhe jo me feudo-bajraktarët turkoshakë.

Një figurë madhore në treshen Zaskoci–Spahia–Çiku
Luma (Kukësi) e vendos figurën e Islam Spahisë në epiqendër të ngjarjeve më me rëndësi të historisë së saj. Një figurë madhore në treshen Zaskoci–Spahia–Çiku. Nëpër flakët e historisë shqiptare ai e nisi rolin e prijësit me afro 300 luftëtarë lumjanë, në kryengritjen e shtatorit 1893, përballë Sinan Pashës, ndërsa në rrethimin e Prizrenit u shqua në kërkesat me ultimatum drejtuar valiut të Kosovës. Islam Spahia zgjidhet anëtar i Kryesisë së Mbledhjes së Përfaqësuesve të Lumës “Dheu” (1903). Që këndej e shohim në fushat e betejave. Shquhet qysh në organizimin dhe drejtimin e kryengritjes kundër osmane të Lumës (1903) dhe në qëndresën karshi tërbimit të fuqive të mareshalit Xhavit Pasha, veçanërisht në Qafën legjendare të Kolesianit (1909). Në tubimin e Ferizaj (1910), nga Luma merr pjesë edhe Islam Spahia. “Pavarësisht se si rrokulliseshin vitet dhe ngjarjet, Islami qëndroi besë e idealeve kombëtare. Ai u përket burrave më me largpamësi dhe, si një kralj i madh i frëngjive, parandjeu se pa arsimin dhe gjuhën e “nënëlokes”, pa dije, malësori i pushkës dhe i penës së Lumës kurrsesi s’mund ta përmbyste inferioritetin karshi të huajve.” Mbledhja e Fushë-Kosovës (1901) iu kushtua edhe shkollës shqipe. Luma u përfaqësua nga Islam Spahia. Ndaj, nën nxitjen dhe kujdesin e tij çelet në Lumë e para shkollë shqipe (Kolesian, 1911), me mësues të birin Riza. Për gjuhën shqipe, ai hyri në lidhje me dijetarë patriotë në Kosovë e gjer në jug të vendit. Kështu, në Lumë erdhi një delegat korçar me Mendu Zavalanin në krye. Kontakte Spahija i Lumës mbajti edhe me atdhetarin çam Rexhep Demi (nga Filati), i cili, edhe pse qindra kilometra larg, ushqente respekt për “të diturin” përhapës të shqipes, në këndin më të thellë të Veriut, siç ishte Luma e Kosovës. 
Hapi serinë e Kryengritjes së Tretë të Përgjithshme
Së bashku me Ramadan Zaskocin, Islam Spahia hapi serinë e Kryengritjes së Tretë të Përgjithshme (prill-maj 1912) në zonën e Lumës. Në vorbullën e kryengritjes, ai udhëton e drejton nga Kaçaniku e Shkupi për në Prishtinë. Këtu, me përfaqësuesit e Kosovës ai nënshkruan “14 kërkesat e Hasan Prishtinës”, si ultimatum Komisionit Qeveritar Turk (2.8.1912). Po ai Islam me Zaskocin u gjendën në komandë të lumjanëve edhe në Caralevë (tetor), përbri forcave të Kosovës, për ta ndalur hovin e ushtrisë serbe që ndiqte atë turke. Sërish në Qafën ngadhënjimtare të Kolesianit, mbi agresorin serb (nëntor). Beteja e Lumës kundër forcave serbe, dhjetë ditë para shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare në Vlorë, e analizuar nga përmasat dhe rezultatet prej qëndresës shqiptare, meriton pa asnjë mëdyshje të klasifikohet si “Kaçaniku i dytë shqiptar”, ndonëse rezulton më madhështore se Kaçaniku i parë. Atë e mendoi dhe e udhëhoqi një shtab me një strateg popullor të madh si Islam Spahia. Prej nga “Qafa e Kolesianit deri të Kulla e Lumës, në vitin 1912, populli i Lumës, i Hasit, i Reçit dhe i Dardhës, me një heroizëm të paparë, vranë brenda 36 orëve rreth 12 000 shovinistë serbë, që kishin okupuar këtë krahinë”. Famëmadhja Beteja e Lumës, më 1912-n, si më e fuqishmja antiserbe, përbën një prej krenarive më të mëdha të asaj treve kosovare, madje edhe të kombit. Ajo hyn në historinë kombëtare ndër betejat më të shkëlqyera, të rralla e të lavdishme për liri e pavarësi.

Roli gjatë Luftës së Parë Ballkanike
Prijësi i shquar i Lumës, që tashmë ishte në të 77-t e jetës së tij, i cili famën e kishte për atdhetarizëm e jo për pasuri, vihej në ballë të qëndresës së re. Islam Spahia kundërshtoi politikisht dhe drejtoi ushtarakisht kundër agresionit për përvetësim të trojeve dhe shfarosjen shqiptare gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Lufta në Lumë, posaçërisht Beteja e Drinit, mundësuan shpalljen e Pavarësisë dhe shtetin e parë shqiptar. Drejt Vlorës udhëton Isa Boletini, ndërsa më parë bën një qëndresë të përzemërt në konakun e mikut e shokut të afërt të luftës Islam Spahia. Isa iu lut Baba Lamit që të shkonin bashkë në Jug, por Islami, me dëshirën e përmallshme për t’ia kthyer vizitat Abdyl Frashërit etj., jugorëve, në një kohë e qytet tjetër shqiptar, siç ishte Vlora, në pamundësi nga mosha dhe udha e gjatë, e falënderoi Boletinin: “Eh, e pa mua puna që ka nisë do të bëhet, se atë e drejton Ismail Qemali, që është pejgamber. Unë do të rri këtu e do të luftoj serbin që don me zaptue vendin”. Islami s’u përthye kurrë dhe pesha e ndikimit të atij burri në Lumë e Kosovë rëndonte mbi vetëdijen kombëtare. 

Ndaj, Porta e Lartë (1910-’12) kërkoi ose ta bënte për vete, ose ta zhdukte fizikisht. Kështu, në një takim (në Pejë), imami Jakup Hodo, i besuari i Sulltanit, i ofron post të lartë me në krye 3 000 malësorë të armatosur: “I faleminderit Sulltanit për selamet e thirrjet. Mua mileti nuk më ka çue në mbledhje për mesnet (grada), por për punë të tjera”. Rasti nuk u shfrytëzua nga Jakup Hoda. Qeveria i çon një emisar për “ta blerë”. Propozimi i ra Jakupit si bombë. “Unë të korruptohem?!” Thirri nënën dhe, si u rrëfye, pas tri-katër ditësh briti: “Unë kam dash me vra Islam Spahinë. Nuk e kam njoft kush paska qenë ajo figurë. Ai qenka krenaria jonë. Unë nuk pranoj me ngritë dorë kundra tij. Pavarësisht se si më ka qortuar, pas sodit do të bëhem ushtar me të, se e kam për nder të veproj sipas urdhrave të tij”. Plani i vrasjes së Spahisë dështoi. Jakupi trokiti te dera e Spahive, i shpjegoi Islamit gjithçka dhe i kërkoi dorën: “Ku rrafshin këmbët e tua, rraftë koka ime”, duke iu hedhur në qafë Baba Lamit. Besën e trimërisë disavjeçare ndaj Islamit, Jakupi e lau me gjak. Kapedani i madh popullor, kurdoherë i një mendje dhe me të njëjtën strategji me personalitetet e Kosovës (Hasan Prishtina, H. Kadria, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi etj.,) u përfshi, bashkërendoi dhe udhëhoqi pjesëmarrjen e Lumës në kryengritjen e parë antiserbe (shtator 1913). 

Një prijësi me botë të pakufishme si Baba Lami i ra edhe një barrë tjetër e rëndë e luftës. 
Kundrejt zisë dhe rrafshimeve që shkaktoi ushtria barbare serbo-sllave, ai mbajti për dhjetë ditë mbi 100 luftëtarë krahinorë të Dibrës, duke i therur krejt bagëtitë e mbetura. Bujaria e plakut zemërmadh s’ka shembull. Pronën ia përkushtoi luftës së bashkëkrahinasve që e nderonin si një i dërguar i Zotit në Tokë. Gjatë Luftës së Parë Botërore Islamin e gjejmë përsëri në krye të lëvizjes patriotike të malësisë së vet e në lidhje me viset e tjera të Shqipërisë. Për autoritetin që ai gëzonte ftohet në audiencë (1914) nga qeveria e Princ Vidit. Duke udhëtuar për në Durrës, takohet me krerët e Dibrës. Atij i afrohet bashkëpunimi kundrejt një shume të madhe në flori, porse Baba Lami preket rëndë nga oferta e dytë dhe ua bën haram bukën që u kishte dhënë. Në Durrës, Islami bisedon me miq atdhetarë të dëgjuar si Dervish Hima, Isa Boletini, Aqif Pashë Elbasani etj. Mbreti gjerman çuditet kur në kërkesat e malësorit prijës shumë intuitiv, ndonëse analfabet, u shtrua edhe çështja e shkollave, si dhe problemet e luftës e të përkrahjes prej tij dhe prej krahinës. Baba Lami, duke u larguar nga ky mjedis i fëlliqur antikombëtar do të shfrente: “Aman Zot! Sa fort ishte ngatërrue fija e kallamit! Jo Princ Vidi, që s’e dinte psikologjinë e vendit, jo dhe Turhan Pasha (kryetar i Qeverisë – V. K.) që ishte plak i bitisur, por edhe dreqi vetë, s’mund ta ftillonte atë fije pa e qit lyç”. Tetëdhjetëvjeçari, përherë i gatshëm dhe i kthjellët në gjykime e veprime, edhe në vitin 1912-’21, kur mbretëria artificiale jugosllave iu sul radhazi me tri ndërhyrje ushtarake për ta ripushtuar Shqipërinë, ballësoi qëndresën në frontin verilindor të Lumës. 

Ai evidentohet i lavdëruar për domosdoshmërinë e konsolidimit të shtetit të rimëkëmbur. Më 1919-n ftohet për në Kongresin e Lushnjës si prijësi numër një i Lumës. Mirëpo, për shkak të situatës së nderë në krahinë, nderin që iu bë Islami e përmbushi kur qeveria erdhi në kryeqytetin e parë. Atij i lanë mbresa takimet, sidomos me një mik i sojit të rrallë, si Aqif Pashë Elbasani dhe Sulejman Delvina. Por përshtypje i bëri edhe afrimi i Ahmet Zogut për t’i paguar shpenzimet e udhëtimit, bashkë me 20 shoqëruesit e armatosur. Lumjani i zgjuar i tha: “Nuk kam harxhuar parà rrugës, se jam pritur nga miqtë. Për ndonjë prishje të vogël këtu, në Tiranë, ia bëj hallin vetë. Është shumë e rëndë të hamë në këtë Shqipëri pa e ba hala”. Ai Baba Lam priti krahëhapur, bashkë me popullin, Ushtrinë Kombëtare që vinte për herë të parë në histori edhe në zonën verilindore si Luma për ruajtjen e kufijve, pas largimit me luftë të ushtrive pushtuese serbe (1921). Gjatë viteve 1921-’24 Islam Spahia dha ç’kishte e sa mundej për demokratizimin e aparatit shtetëror shqiptar, veçmas për ngritjen dhe përparimin e forcave të armatosura shqiptare. Në zgjedhjet e dhjetorit 1923 për Asamblenë e Parë Kushtetuese, nisur nga interesat kombëtare, në vend të djalit të tij Riza ai pranoi kandidaturën për deputet të Lumës të një kandidati nga jugu, Avni Rustemin. 

Duke i vlerësuar të gjitha veprimtarinë në dobi të një shteti demokratik të tipit europian, Islam Spahia konsiderohet personaliteti më i madh i krahinës së Lumës me zonat përqark, i cili përkrahu dhe përhapi platformën politike dhe strategjinë ushtarake të Revolucionit Demokratik të Qershorit (1924). Mirëpo, nën ndikimin e faktorëve kryesisht të jashtëm, kjo lëvizje dështoi. Megjithatë, Baba Lami 90-vjeçar nuk hoqi dorë nga jeta politike atdhetare, ndonëse ajo mori drejtim jodemokratik. Rënduar nga pleqëria, i tej lodhur nga luftërat dhe përndjekjet e pareshtura dhe i pikëlluar nga humbjet e figurave të shquar të kombit, Islam Spahia mbylli sytë në Kolesian, në maj të 1928-s. Sipas traditës, njeriu i madh, strategu i dëgjuar, “nuk qahej me gra Reçi”. Por për Baba Lamin, si përjashtim erdhën edhe gra të Reçit (Dibrës), të famshmet vajtica. “Të del dielli e të del hëna/Kësoj burri nuk ban nana”. 
Sigal