Policët, ja si do rrëfehen për takimet, telefonatat, drogën, alkoolin, bixhozin dhe pyetjet vlerësuese të komisionit

1062
Policët, si do të rrëfehen për takimet dhe komunikimet elektronike
Vetingu/ Zbulohet formulari për kontrollin e figurës. Çfarë do të deklarohet dhe vlerësimi i komisionit. Pyetje edhe për varësinë ndaj lëndëve narkotike, alkoolit dhe lojërave të fatit 
Punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme do t’i nënshtrohet kontrollit të figurës, si pjesë e procesit të vetingut. Miratimi javën e ardhshme i ligjit do t’i hapë rrugën edhe procesit të deklarimit dhe vlerësimit të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. Rreth 13 mijë uniformat blu do të plotësojnë një formular që mbart detyrimin për deklarim të të dhënave identifikuese, vendbanimit, arsimimit, kualifikimeve dhe punësimit. Ndërkohë një kapitull i veçantë do të jenë të dhënat për sigurinë, ku përfshihen pikat për hetime apo ndalime brenda dhe jashtë vendit. Dëbimi nga një shtet i huaj dhe përfshirja në veprimtari të lidhura me krimin e organizuar, si për punonjësin e policisë, ashtu edhe për familjarët, do të duhet të deklarohen. “A keni pasur kontakte të papërshtatshme në formën e një takimi, komunikimi elektronik, ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi i qëllimshëm, me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar, që nuk është në pajtim me ushtrimin e detyrës?”, është një nga pyetjet e formularit. Nuk mungon në formular edhe pyetja për varësinë ndaj lëndëve narkotike, alkoolit dhe lojërave të fatit. Në bazë të ligjit për vetingun, që pritet të miratohet, punonjësit e policisë janë të detyruar të deklarojnë edhe pasurinë për vete, bashkëshortin/en, bashkëjetuesin/en, fëmijët madhorë dhe çdo personi të përmendur në certifikatën familjare. Më pas, kjo deklaratë pasurie do të jetë një pikat e vlerësimit që do të bëhet për punonjësin e policisë, krahas kontrollit të figurës dhe aftësive profesionale. Faza e parë e rivlerësimit të policisë do të zgjasë 24 muaj dhe faza e dytë do të përsëritet në harkun kohor të 3 viteve. Komisioni që do të ngrihet për të bërë vlerësimin e figurës së punonjësit të policisë do të jetë i pavarur.


Sigal