Bilanc tragjik: 10 të vdekur, aksidente dhe plagosje në 48 orët e fundit

568
Sigal

Gjatë 48 orëve të fundit, me një ritëm të frikshëm, rëndohet edhe më shumë kronika e ngjarjeve të rënda me pasojë humbjen e jetës njerëzore

 Gjatë 48 orëve të fundit, me një ritëm të frikshëm, rëndohet edhe më shumë kronika e ngjarjeve të rënda me pasojë humbjen e jetës njerëzore. Tetë viktima të tjera iu shtuan bilancit tragjik të vdekjeve, kryesisht si pasojë e aksidenteve rrugore, por jo vetëm. Në Fier gjendet i vdekur një 31 vjeçar,  në Elbasan një nënë vret fëmijën e saj në gjumë, në Korçë zetori përplas për vdekje një grua, ndërsa i biri plagoset. Një fuoristradë rrëzohet në greminë…etj.. Shpesh në kronikat tona ne nuk jemi mjaftuar vetëm duke i pasqyruar këto ngjarje të rënda, por pas tyre kemi tërhequr vëmendjen, se është e nevojshme të ketë edhe reflektim, të dalë edhe përgjegjësia. Vërtet kemi të bëjmë me aksidente, por pas tyre ka nevojë të reflektohet, të shikohet sa dhe si është punuar për t’ i parandaluar këto aksidente. Po kështu mund të thuhet edhe për rastet e “viktimave nga depresioni”. Ky bilanc tragjik viktimash të përditshme, ka nevojë për një reflektim tërësor, të thellë, nga të gjitha institucionet, nga e gjithë shoqëria, nga të gjithë ne.

  Elbasan, nëna vret me thikë në gjumë djalin 4 vjeç

Krimi në familje nuk ndalet. Një ngjarje makabër ka ndodhur ditën e djeshme ku nëna ka arritur të vras më thikë fëmijën e saj në gjumë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Godolesh të Elbasanit. Pasi vrau djalin e saj, në kushte të tilla tronditëse ajo ka dashur t’i jap edhe fund jetës duke prerë fytin, por ka arritur të marrë vetëm plagë të lehta. Pas dhënies së ndihmës së menjëhershme, mjekët kanë vlerësuar që edhe për shkak të gjendjes së saj emocionale të dërgohet për ndihmë më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë në fshatin ku ka ndodhur krimi, banorët nuk kanë dashur të besojnë atë që realisht ka ndodhur, ku shprehen të terrorizuar dhe të shokuar. Autorja e këtij krimi është vetëm 26 vjeçe, Nexhmije Dushku. Sipas policisë, autorja vuante nga depresioni dhe se ky dyshohet të jetë shkaku kryesor i vrasjes së djalit të saj. Por një i afërmi i saj, një ndër personat që është lajmëruar me herët dhe ka qenë në shtëpinë e Dushkut rrëfen, sipas tij, disa nga arsyet që mund të kenë çuar drejt kësaj ngjarje. Ai thotë se prej më shumë se 2 vjetësh, Nexhmija ishte e ndarë nga bashkëshorti i saj, i cili është emigrant në Angli. I afërmi i familjes Dushku rrëfen gjithashtu, se burim konflikti pas divorcit ka qenë edhe fakti se babai i fëmijës nuk e ndihmonte të birin me të ardhura mujore duke e vështirësuar më tej gjendjen ekonomike të saj. Ndërkohë, policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po heton në lidhje me këtë krim makabër.

 Korçë, motori përplaset me një zetor, vdes një grua, plagoset rëndë i biri

 Përgjaket aksi rrugor Korçë Pogradec në fshatin Vloçisht, pasi një aksident automobilistik i mori jetën një gruaje dhe plagosi rëndë të birin. Shkak i rëndë i këtij aksidenti është përplasja e motorit me  të cilën udhëtonin u përplas me një zetor. Pas aksidentit, 48-vjeçarja Gjinovefa Kambo dhe djali i saj Gesti Kambo 23 vjeç, u transportuan menjëherë në spitalin e Korçës, por gruaja nuk mundi të përballonte plagët e rënda dhe humbi jetën. Ndërkohë, sipas mjekëve të spitalit, djali është në gjendje të rëndë për jetën. Forcat e policisë, të cilat mbërritën në vendngjarje, po punojnë për zbardhjen e aksidentit.

  Vlorë, 31 vjeçarja humb jetën, makina përplaset me bordurën e rrugës

 Një tjetër aksident me pasojë vdekje ka ndodhur në aksin nacional Vlorë-Levan. Një vajzë humbi jetën dhe 2 të tjera janë plagosur, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut të vdekjes. Sipas burimeve nga policia e Vlorës, vajzat që udhëtonin me një makinë “Lancia” me targa AA826EO, janë aksidentuar duke u përplasur me bordunën anësore të rrugës, afër fshatit Panaja. Të rejat po ktheheshin nga një dasmë në shtëpinë e tyre 12 km larg qytetit të Vlorës. Kjo përplasje ka qenë fatale për Alma Lamaj 31 vjeç ndërsa të plagosura kanë mbetur dy të afërmet e saj na 20 vjeç. Të treja vajzat janë banuese të fshatit Tre Vëllazer të Vlorës. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes nisi hetimet për shkaqet e këtij aksidenti, por paraprakisht dyshohet se shpejtësia e lartë t’i ketë marrë jetën A.L, duke lënë të plagosura dy vajza të tjera.

  Fier, gjendet i vdekur 40 vjeçari, udhëtonte me biçikletë

 Fier- Një 40 -vjeçar ka gjetur vdekjen mëngjesin e djeshëm gjatë një aksidenti në unazën e qytetit të Fierit. 40- vjeçari ka qenë duke udhëtuar me biçikletë dhe është gjetur i shtrirë nga kalimtarët e rastit në rrugën “Shën Leonardo Muriald”. Kanë qenë këta të fundit të cilët kanë bërë shoqërimin e tij drejt spitalit të Fierit, por me gjithë ndihmën e bluzave të bardha, ai ka gjetur vdekjen. Uniformat blu nuk kanë bërë të mundur identifikimin e tij, pasi gjatë kohës së aksidentit, 40 -vjeçari nuk kishte asnjë dokument identifikimi me vete.

Trupi i pajetë i tij ndodhet në morgun e qytetit të Fierit, në pritje të identifikimit dhe marrjes nga ana e familjarëve.

 

Vritet një shqiptar nga përleshjet me 3 turq

 GJERMANI– Një shtetas shqiptar ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur pas përleshjeve me 3 shtetas turq. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Hamburg të Gjermanisë dhe sipas mediave gjermane nga përleshja mbeti i vrarë me thikë 32- vjeçari shqiptar identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik, ndërsa një tjetër 36- vjeçar u plagos rëndë, por u shpëtua nga mjekët. Sipas policisë gjermane, shkak i kësaj përleshjeje mes dy grupeve dyshohet se janë konfliktet që ata kanë pasur mes njëri-tjetrit për drogën.  Policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ka arrestuar në rrugën Vvilstorfer, 3 persona. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, thanë se, kishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Policia arrestoi fillimisht një 35- vjeçar, më pas edhe 2 personat e tjerë 38 dhe 29 vjeç. Këta dy të fundit kanë mbetur edhe të plagosur. Në vendin e ngjarjes rreth 20 makina policie ishin në patrullim, ndërkohë që janë sekuestruar një sëpatë, thikë, ndërsa është duke u kërkuar edhe arma.

 

Vlorë, vritet me armë zjarri një 26-vjeçar

 Një 26-vjeçar humbi jetën mbrëmjen e djeshme në Vlorë, pasi është qëlluar me armë zjarri. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se, viktima është identifikuar si Endri Yzeiri, ndërsa nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes dhe autorët e krimit. I riu është transportuar në spital rreth orës 19:30, por fatkeqësisht ka humbur jetën gjatë rrugës. Mjekët konstatuan se Endri Yzeiri 26 vjeç, mësohet se kishte një plumb në kokë, çfarë e ka bërë të pamundur luftën e tij me vdekjen. Nga të dhënat e para mësohet se i riu dyshohet se është qëlluar nga një person tjetër, ndërsa ndodhej në një lokal në lagjen “Lef Sallata”, te ish-shkolla e naftës. Policia e Vlorës ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes dhe identifikimin e autorit.

 

Rrëmbente fëmijë, arrestohet në Tiranë shqiptari i kërkuar në Itali

 Gjatë ditës së djeshme forcat blu kanë bërë të mundur kapjen e një shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai u a arrestua dje nga komisariati nr.2 në kryeqytet. Policia bën të ditur se Elidon Bendaj ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma. Shteti italian ka lëshuar urdhër arresti për shqiptarin pasi akuzohet se rrëmbente fëmijë dhe i përdorte ata për të lypur.

  

Shkodër, plagoset me armë zjarri një 40-vjeçar

 Një 40-vjeçar është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Shkodër. Burime nga policia bëjnë të ditur se persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri nga kalaja në drejtim të banesës së 40-vjeçarit Sabedin Lohja, duke e plagosur rëndë. Sipas hetimeve paraprake dyshohet se 40-vjeçari Lohja është qëlluar me snajper. Ai është dërguar menjëherë në spitalin e Shkodrës, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, forca të shumta policore ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të identifikuar autorët e krimi.