Zyfer CACO/ Kthema borxhin, zoti Kryeministër!

    388
    Sigal

    Letër e hapur

    Sigurisht, nuk e kam fjalën për ndonjë borxh tuajin personalisht, as për ndonjë borxh vetëm i qeverisë, që Ju kryesoni. As për ndonjë borxh që kërkon mjete financiare, kërkon pronë dhe aksione në kompanitë shtetërore, të cilat shtetit nuk i mungojnë.

    Problemi qëndron te një borxh që shteti u ka qytetarëve të vet, që nga koha e sistemit të kaluar. Në kohën që u ndryshua sistemi, u llogarit që nga prona shtetërore e vënë nga puna e gjithë shqiptarëve, duhej që çdo qytetari mbi moshën 18 vjeç t’i kthehej një pronë e vlerësuar në lekë, sipas kontributit moshor të tyre. Kështu llogaria u bë për qytetarët me moshë 18-40 vjet 50 000 lekë, nga mosha 40 vjet deri në daljen në pension 75 000 lekë dhe për pensionistët 100 000 lekë. Ndërsa për ish të përndjekurit politikë u vlerësua sipas ditëve të dënimit që kishin kryer. Dhe u llogarit që kjo pronë do të shpërndahej nëpërmjet emetimit dhe shpërndarjes së Letrave me Vlerë në formën e Bonove të Privatizimit për qytetarët dhe Lekëve të Privatizimit për ish të përndjekurit politikë me librezë e llogari bankare në ish Bankën e Kursimeve të cilat u trashëguan në Raiffeisen Bank, e cila e privatizoi atë.

    Dhe, për të sqaruar opinionin, por dhe qeveritarët aktualë, se një llogaritje e tillë do të thotë se me çmimet e asaj kohe, kjo pronë, nëse do i kthehej një pensionisti, ishte e barasvlershme me të paktën 4 apartamente 2+1 në mes të Tiranës. Ndërsa sot ajo është zhvleftësuar në masën më qesharake.

     Nuk po ndalem për të përmendur dekretet, ligjet, VKM-të dhe aktet e tjera nënligjore që këtë borxh të shtetit ndaj qytetarëve e bëjnë efektiv, aktual e të pashlyer nga qeveritë e deritanishme për 20 vjet rresht. Këto i dini mirë, Ju zoti Kryeministër, ministri i Financave, i Mirëqenies Sociale dhe ministrave të tjerë që lidhen me ekonominë dhe shërbimet për qytetarët. Por janë disa probleme që shqetësojnë gjithë poseduesit e këtyre Letrave me Vlerë.

    Që nga koha që erdhët ne krye të qeverisë, Ju zoti Rama me të drejtë kini ngritur me shqetësim çështjen e borxheve të mëdha që qeveria e kaluar ka lënë si trashëgim për sipërmarrjen dhe bizneset e ndryshme. Ne nuk e dimë nëse ju e keni llogaritur edhe këtë borxh që qeveria e kaluar ua ka lënë juve si trashëgim për ta shlyer ndaj shumë e shumë qytetarëve. Fakti që Ju nuk e keni përmendur asnjëherë, na çon në mendimin dyshues se edhe qeveria juaj që deklarohet se përbëhet nga forca politike të majta, nuk është e tillë. Gjithnjë është deklaruar se, si forca politike të majta, Ju duhet të përfaqësoni shtresat në nevojë. Po, a ka më në nevojë se tërë shtresa e pensionistëve, ish ushtarakët, ish mësuesit, ish punëtorët dhe të përndjekurit politikë që kanë derdhur djersën e tyre në krijimin e ish pronës socialiste, tani pronë publike?! E pra, kjo ju obligon që Ju si përfaqësues i kësaj maxhorance qeverisëse, jo vetëm se duhej të ishit prononcuar publikisht, por duhet të kishit programuar kohën e shlyerjes së këtij borxhi, duke i shndërruar këto Letra me Vlerë në aksione.

     -Zoti Kryeministër, gjithë opinioni publik shqiptar, por edhe ai i institucioneve ndërkombëtare e ka të qartë se në vendin tonë, për ndërtimin dhe udhëheqjen e sistemit kapitalist duhej ndërtuar klasa e pasanikëve. Tashmë kjo klasë është formuar edhe në mënyrë të ndershme, por edhe nëpërmjet grabitjes së pronës publike me forma nga më të ndryshme, duke përvetësuar në rrugë abuzive pasuritë e nëntokës, armatimin galopant të destinuar për mbrojtjen e vendit, privatizimit abuzive të kompanive shtetërore, vjedhjet e hapura që nga thesari i floririt, vjedhjet në tatim-taksat dhe së fundi dhe megaskandali i vjedhjes së Bankës së Shtetit.

     Lind pyetja: Akoma nuk ka ardhur koha, që edhe publikut në nevojë t’i kthehet borxhi që vetë shteti shqiptar e ka marrë përsipër dhe këto Letra me Vlerë t’i shndërrojë në aksione te kompanitë shtetërore si KESH, Albtelekom, Armo, Albpetrol, etj?!

    Në një kohë kur vlera e tyre ka rënë në përmasa dramatike dhe kur pronës i është rritur vlera, krahasimisht me Letrat me Vlerë, në përmasa galopante, arsyeja e vetme që nuk kthehet ky borxh është mungesa e vullnetit politik të qeverive të deritanishme, vullnet politik, që qeverisë tuaj shpresojmë se nuk duhet t’i mungojë. E pra, Ju nuk duhet të mendoni vetëm për sipërmarrjen (klasën e pasur), por të mendoni që edhe shtresave në nevojë t’u ktheni thërrimet e borxhit shtetëror.

     -Ka zëra dhe thuhet se qeveria juaj nuk ka marrë zotim që të shndërrojë në pronë këto Letra me Vlerë dhe se nuk dihet se çfarë do të bëhet me ato. Kurrsesi nuk dua ta besoj një gjë të tillë! Kjo jo vetëm për faktin se nuk besoj që të ketë një qeveri krejt të papërgjegjshme, sa të mos njohë e të mos zbatojë ligjet kushtetuese të shtetit që drejton, edhe pse ato i kanë nxjerrë qeveritë dhe parlamentet e mëparshme të të njëjtit shtet. Nga ana tjetër, me Ligjin për Legalizimet vetë qeveria juaj u jep lehtësi qytetarëve t’i përdorin ato si mjet pagese për truallin që kanë zënë në mënyrë të paligjshme me ndërtimet e tyre pa leje.

     -Problemi qëndron që kjo e drejtë të mos jetë për një kategori të kufizuar të qytetarëve shkelës dhe uzurpues të pronës së tjetrit, por kjo e drejtë duhet t’u njihet edhe gjithë atyre qytetarëve të përgjegjshëm ndaj ligjeve të shtetit dhe që për 20 vjet presin të marrin pronën që u takon nga djersa e tyre.

     -Në këtë kuadër, na duken krejt të papërgjegjshme deklaratat mediatike të Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI –t i cili përdorimin e Bonove dhe Lekëve të Privatizimit në këtë proces, e quan si lehtësi dhe rekomandon qytetarët që t’i blejnë ato në tregun e zi me vlerën deri në 10 %. A thua se këto Letra me Vlerë i ka vetë në dorë dhe me të drejtën e tij t’ua shesë disa qytetarëve me vlera qesharake. Harron ky zotëri se çmimin e tyre e vendos tregu sipas kërkesë-ofertës.“Harron” ky apo “harron” qeveria juaj zoti Rama, që qytetarët, të cilët dikur kanë derdhur djersën e tyre në krijimin e pronës publike, sot duhet t’ua falin ato, atyre qytetarëve, që janë duke legalizuar truallin e zënë në mënyrë të paligjshme?!

     -Qëllimi i emetimit dhe i shpërndarjes së Bonove e Lekëve të Privatizimit ka patur e ka një qëllim të caktuar, ato kanë cilësimin e “PRIVATIZIMIT”. Pra, ato mund e duhet të përdoren kryesisht në privatizimin e pronës publike, duke i shndërruar në aksione.

    Ato mund të përdoren edhe si mjet pagese, jo vetëm në legalizimin e ndërtimeve informale, por edhe në pagesën e energjisë elektrike, sidomos atë të papaguar nga qytetarë në nevojë ose të pa përgjegjshëm, të cilën shteti, në vend që të përdorë këtë formë shlyerje, padrejtësisht e fal atë, duke rënduar pjesën e qytetarëve të përgjegjshëm, që e paguajnë rregullisht energjinë elektrike. KESH-i e ka normalitet nëse mbledh Letrat me Vlerë për energjinë e papaguar dhe ato mbeten aksione të pa privatizuara të cilat i shet me lekë. Një rrugë e dy punë. Pra, e ritheksojmë se vendi i tyre është në privatizimin e pronës publike.

     -Zoti Kryeministër, Ju keni detyrimin politik, moral, social, por mbi të gjitha detyrim ligjor ndaj qytetarëve që ju kanë sjellë në krye të qeverisë, që pronën ta riktheni, jo vetëm për ish pronarët që e kanë të trashëguar atë nga paraardhësit e tyre, por edhe për gjithë qytetarët e tjerë që pronën e kanë vënë me djersën, mundin, bile dhe gjakun e tyre. E kjo kategori janë gjithë qytetarët që kanë përfituar e posedojnë Bono e Lekë Privatizimi.

     -Zoti Edi Rama, në vitin 1997 shpresuam te qeveria “e majtë socialiste”, por më kot, se në këtë drejtim, ajo vetëm e tillë nuk u tregua, sepse, edhe ligjin Nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, që nxori, nuk e zbatoi asnjë herë, edhe pse është akoma në fuqi.

     -Ne vitin 2005, kur rierdhi në pushtet z. Berisha, premtoi se Letrat me Vlerë do i bënte eficente jo në përmjet privatizimeve, siç e kishte filluar me të drejtë para vitit 1997, por në bazë të një “skeme të re”, sepse sipas tij, skemën e parë e rrëmbeu “rebelimi komunist i vitit 1997”. Pritëm 8 vjet të qeverisjes së tij për ta parë këtë “skemë të re” dhe më në fund doli, se edhe pse në 2009 popullit i bëri thirrje në mitingun e Elbasanit “HIDHUNI NË TREGUN E LETRAVE ME VLERË”, u pa qartë se “skema e re” ishte vetëm mashtrim i popullit dhe hakmarrje ndaj tij për “rebelimin komunist” të vitit 1997. Dhe kulmi i këtij mashtrimi ishte kur 45 000 familjeve shqiptare, që i kishin investuar ato në Fondin e Investimeve Angloadriatica, nuk i futi në privatizim, por ua riktheu qytetarëve, duke deformuar krejt tregun e tyre.

     -Po Ju Z. RAMA që kini premtuar, se do të bëni shtet efektiv në shërbim të qytetarit, a do e ndryshoni rrugën e mashtrimit të paraardhësve tuaj, duke ecur në rrugën e shërbesave për qytetarët, duke na i kthyer këtë borxh, apo do vazhdoni në të njëjtën rrugë mashtrimi?

     -Zoti Rama, duke qenë në krye të qeverisë dhe duke marrë shkas nga megaskandali i vjedhjes bankare, Ju duhet të sqaroni opinionin publik, jo vetëm për këtë skandal, por edhe për megaskandalin që është bërë nga qeveritë paraardhëse të majta e të djathta edhe me Letrat me Vlerë në tërësi dhe me ato të Fondit të Investimeve Angloadriatica, në veçanti. Në Bonot e këtij Fondi janë përdorur për blerje pasurish e pronash, qëkur i administronte Banka e Kursimeve e më vonë Raiffeisen Bank e pastaj u rimblodhën me çmim qesharak dhe ju shpërndanë popullit që i kishte investuar, duke ua lënë në dorë ato.

    Gjithashtu, meqenëse nuk zbatohet rregulli i fillimit të investimit të Bonove të Privatizimit, duke i prerë në dy të tretat e gjerësisë së tyre nga sportelistet e bankave që bëjnë pranimin e tyre, është e nevojshme të sqarohet nëse janë rihedhur në qarkullim, duke mbajtur në treg çmimin minimal të tyre. Kjo duhet sqaruar edhe nga Prokuroria, sepse, me të drejtë, mund të lindë ky dyshim nga qytetarët. Por mendojmë se është edhe detyra Juaj zoti Kryeministër që të sqaroheni me strukturat qeverisëse, sidomos nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

     Rilindni edhe në këtë drejtim, zoti Kryeministër!

    ZOTI KRYEMINISTËR, NA I KTHE KËTË BORXH EDHE NE QYTETARËVE TË THJESHTË!