Thoma Abrami, atdhetar i shquar, por krejt i harruar

    654
    Sigal

    Historia e rilindësit të flaktë, drejtorit të parë të Liceut Francez të Korçës

    Thoma Abrami u lind në Korçë më 1869 në një familje të vjetër qytetare. Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Korçë në shkollat helenishte të asaj kohe. Sikurse thotë vetë në autobiografinë e tij, kur ishte nxënës në vitin e fundit të gjimnazit grek u çel  Shkolla e parë shqipe në Korçë më 1886 dhe ai shkoi atje që ditën e parë. Drejtori i shkollës, Pandeli Sotiri, u habit se si ky djalë i ri dinte aq mirë të shkruante e të lexonte shqip  dhe e mbajti ndihmës të tij, ndihmës mësues. Thomai kishte mësuar të shkruante e të lexonte shqip me një pasion e këmbëngulje të madhe nga një abetare shqip e Vaso Pashës që ia kishin sjellë nga Stambolli. E ndiente veten të gëzuar që ishte në atë shkollë dhe punonte me pasion e përkushtim të veçantë. Punoi aty  4 – 5 vjet si mësues i asaj shkolle, që nuk ishte vetëm krenaria e qytetit të Korçës, po e gjithë vendit. Pas kësaj Thomanë e shohim në Treskë si mësues dhe pastaj në Ersekë ku bashkëpunoi me mësuesin tjetër patriot Petro Nini Luarasin për hapjen e shkollave shqipe. Pas disa vjetësh Thomai shkoi në Bukuresht ku, së bashku me atdhetarë të tjerë, punoi pareshtur për të mirën e mëmëdheut.  Në fillim u bënë disa përpjekje për të hapur një gazetë shqip. Si u ngrit Komiteti u hap edhe gazeta “Shqipëria”. Thomai ishte një ndër themeluesit e saj kryesorë. Ai punoi atje për një kohë e botoi mjaft shkrime që tërhoq vëmendjen e lexuesve. Thomai tani kishte fituar përvojë në fushën e shtypit dhe ishte bërë një firmë e njohur. Shahin Kolonja , me të nxjerrë numrin e parë të gazetës “Drita” në Sofje, i telegrafoi Thomait për të vajtur atje. Dhe ai nuk vonoi. Numrin 2 të “Dritës” e bënë së bashku, pastaj Thomai punoi atje 3  vjet rresht. Në këtë kohë nga Bukureshti erdhi përsëri telegraf. Thomanë e thërriste Shoqëria e Rinisë “Shpresa” për të nxjerrë fletoren “Përlindja shqiptare”, shqip dhe frëngjisht, gjuhë të cilën Thomai e dinte mirë. Po, për shkaqe politike, kjo fletore nuk e pati jetën të gjatë dhe ai u detyrua të shkojë në Misir, ku mori kontakt me Thanas Tashkon, Çajupin, Turtullin  etj., dhe ngritën një Komitet dhe çelën të  përkohshmen “Besa”, shqip, frëngjisht dhe nganjëherë edhe greqisht. Pas dy numrave të parë që i nxori së bashku me Milo Duçin, të tjerët Thomai i nxori vetë. Kur erdhi në Misir Bajo Topulli ai u bashkua me të dhe, së bashku shkuan në Rumani e Bullgari dhe prej andej dolën maleve. Me t’u shpallur Hyrrieti, ai u kthye përsëri në Korçë dhe me shumë përpjekje hapi përsëri shkollën shqipe që ishte mbyllur. Në të njëjtën kohë ishte edhe shkronjës i Klubit “Bashkimi”. Si njeri i njohur i letrave dhe mësues me përvojë, ai ishte delegate i Korçës në Kongresin e Manastirit ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe. Ai e mbajti hapur shkollën  shqipe deri më 1912 , kur erdhën grekët dhe atë e burgosën dhe shkollën e mbyllën. Pastaj në kushtet e Luftës së Parë Botërore, së bashku me shokë të tjerë, rrëmbeu armën dhe shkoi deri ne Vlorë ku e kërkonin interesat e vendit. Më vonë, me Themistokli Gërmenjin dhe vullnetarë të tjerë shkuan në Rumani, ku Thomai , në Kostancë, hapi një shkollë shqipe ku e mbajti  për 5 vjet. Kur u hap në Korçë Liceu francez, Thomai u caktua drejtor, detyrë të cilën e mbajti deri sa erdhi drejtori francez dhe ai vazhdoi të punojë drejtor në shkolla të tjera të Korçës deri sa doli  në pension. Është për të theksuar se puna e madhe, veprimtaria aktive e këtij rilindasi të shquar në shërbim të shkollës shqipe dhe zgjimit të ndjenjës kombëtare, ra  në sy të elementëve armiq e jo dashamirës të Shqipërisë. Si rezultat ata arritën që, me shpifje e thashetheme, Thoma Abramin ta pushojnë nga puna. Kjo ishte , veç të tjerash, edhe një fyerje e rëndë për këtë patriot të shquar e figurë të madhe të kulturës shqiptare. Me të drejtë, më 19 gusht 1922, patrioti tjetër korçar Mihal Grameno e merr në mbrojtje mësuesin patriot duke botuar në gazetën e tij “Koha”’një shkrim të gjatë kritik për autoritetet e kohës. Veç këtyre momenteve që theksuam më lart, Thoma Abrami la edhe një numër të madh shkrimesh të botuar në organe të ndryshme të kohës. Po megjithë këto, për këtë figurë të madhe, për këtë rilindës të shquar, mësues me përvojë dhe gazetar të guximshëm, me tërë këto merita, me tërë këtë veprimtari në shërbim të vendit, është heshtur, ai është harruar.

     

    Preng Geg Marku (Kaçori), gjeneral-pashai i mbrojtjes së Lidhjes së Prizrenit                                                                     

     Leon MOLLA

    Preng Geg Marku (Kaçorri) u lind në vitin 1824 në Ndrërbungaj, Rrëshen të Mirditës. Në vitin 1838 mbaroi shkollën unike në Serbi. Në vitin 1847 mbaroi akademinë ushtarake në Stamboll të Turqisë dhe emërohet po aty pedagog. Në vitin 1853 emërohet komandant i  Akademisë Ushtarake në Stamboll të Turqisë. Në vitin 1860, Sulltani i komunikon gradën gjeneral, duke e emëruar njëkohësisht dhe komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë së Stambollit. Gjeneral Preng Geg Marku (Kacorri), ishte i lidhur ngushtë edhe me diplomatin Pashko Vasa, me të cilin ishte njohur që në Turqi, pasi ishin dhe të një krahine, të dy nga Mirdita. Pashko Vasa e ndërmjetësoi gjeneral Prengën  të njihej me dijetarin Abdyl Frashëri, me të cilin kishte lidhje të ngushtë dhe arritën deri aty që të bëhen vëllezër sipas zakonit tradicional shqiptar. Në fund të vitit 1874 dezerton, largohet nga Stambolli me një grup oficerësh të Zbulimit Britanik dhe kthehet në Atdhe. Më 17 qershor 1878 Kuvendi Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit e zgjedh anëtar dhe e emëron Komandant të Përgjithshëm të Armatës Ushtarake Shqiptare për mbrojtjen e Lidhjes së Prizrenit. Më 22 prill 1881 vritet në fushë betejën e Ceralevës, Osmanët i presin kokën dhe ia dërgojnë në  Stamboll, trupi pa kokë varroset në Kishën e Deçanit në Kosovë.

    Arratisja nga Stambolli

    Në muajin korrik-gusht të vitit 1873 gjeneral Preng Geg Marku (Kaçorri) bënte pushimet në rezidencën  qeveritare në një ishull të Anadollit të Turqisë. Aty ai gjeti momentin dhe i kërkon takim të menjëhershëm ambasadorit britanik i atashuar në Turqi. Në këtë takim vuri në dijeni ambasadorin se do të linte Portën e Lartë dhe Sulltanin, të cilëve u kishte shërbyer për 30 vjet me radhë, po ashtu i parashtroi dhe planin e dezertimit. Ambasadori britanik i garantoi strehim politik në Britaninë e Madhe. Në fund të vitit 1874, gjeneralin e shoqëruan një grup oficerësh të zbulimit Britanik dhe e dërgojnë në Itali për çështje sigurie, pasi agjenturat turke e kishin më të vështirë për të depërtuar në shtetin italian. Në vitin 1875 vendosi të kthehet përfundimisht në Atdhe, i shoqëruar nga shërbimi sekret italian me një anije ushtarake. Vendoset në vendlindje, në Mirditë.

    Në kryengritjen e përgjithshme

    Gjenerali Preng Geg Marku (Kaçorri) bie menjëherë në kontakt me shumë rilindës të veri-lindjes së Shqipërisë si me Isa Buletinin, Dom Nikoll Kaçorrin, Bajram Currin, Ded Gjo Lulin, Elez Isufin, etj., të cilët po organizonin në të gjitha trevat e veriut mbledhjen e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit. Por kjo nuk mund të arrihej pa një kryengritje të përgjithshme, e cila u arrit. Me punën e tyre të përkushtuar ngritën peshë trevat e veri-lindjes së Shqipërisë si Mirdita, Kurbinit, Lezhës, Shkodrës, Malësisë së Madhe, Matit, Dibrës, Lumës etj., dhe mobilizuan vullnetarë me një forcë prej 7000 veta. Ngrihet Armata Kombëtare me komandant të përgjithshëm gjeneral Pren Geg Markun (Kaçorri), dhe zëvendëskomandant Isa Buletinin si dhe anëtarët e Shtabit të Mbrojtjes, Idriz Seferi, Hasan Prishtina, Mic Sokoli, Sulejman Vokshi,  Jup Ferri etj., të cilët udhëhiqnin e komandonin shtabin e mbrojtjes së Prizrenit.

    Koka e gjeneralit, në Stamboll, si e Ali Pashës

    Me 22 prill 1881 në betejën e Cernalevës, në fundin e luftës gjeneralin e goditën me një plumb në gjoks duke e lënë të vdekur në vend, pas tërheqjes së forcave shqiptare, Pashai me një grup oficerësh turq marrin kufomën dhe në shenjë rebelimi i presin kokën dhe e dërgojnë në Portën e Lartë në Stamboll duke i treguar Sulltanit  se tashmë Gjenerali Preng Geg Marku (Kaçorri) nuk jetonte më. Në ceremoninë e varrimit merr pjesë populli i mbarë Kosovës i Mirditës dhe krahinave të tjera të veriut të Shqipërisë. Në ceremoninë  mortore merr pjesë  një delegacion nga Vatikani me në krye Ipeshkvin e Romës, i cili ngriti meshën e lamtumirës, pas  ritualit ceremonial, trupi i pajetë varroset pa kokë në Kishën e Deçanit, Kosovë. Forcat Osmane të drejtuara nga komandanti i ushtrisë, Dervish Pasha, thyejnë rezistencën e shqiptarëve dhe dënoi me vdekje, burgime të rënda e internime popullin në masë. Këto përndjekje dhe vuajtje do të vazhdonin pa ndërprerje deri në kohën që Shqipëria u bë e lirë dhe e pavarur.