Pranimet në universitet, formulari A3. AKP: 3150 fitues shpallen në 5 tetor

    365
    Mijëra kandidatë që nuk janë shpallur fitues në asnjë nga preferencat që kanë plotësuar në formularin A2, edhe në këtë raund të dytë do të vijojnë garën me ato preferenca që kanë listuar më parë. Maturantët kanë afat deri në datë 28 shtator për të garuar për 3152 kuotat e mbetura bosh. Këta kandidatë nuk do paguajnë më tarifë për aplikim, por mjafton që në portalin e maturës, matura.akp.gov.al të klikojnë se vijojnë garën me formularin A2. Ndërsa kandidatët që nuk e kanë plotësuar formularin A2, apo ata kandidatë që kanë marrë provimet e maturës në vjeshtë, duhet që të paguajnë një tarifë prej 2 mijë lekësh dhe të drejtohen në shkollë për të hedhur në sistem notën mesatare të viteve të gjimnazit dhe më pas të vijojnë me plotësimin e formularit A3 online, pasi në të kundërt nuk vijojnë dot garën për në universitet. Fituesit përfundimtarë do të shpallen në datë 5 tetor.

    Vijojnë garën me A2
    Të drejtë të aplikojnë për kuotat bosh kanë maturantët që nuk kanë fituar asnjë degë, por do vijojnë garën me 10 preferencat që kanë plotësuar në formularin A2. Ndërkohë që të drejtë kanë edhe ata kandidatë që janë shpallur fitues dhe kanë dorëzuar dokumentet në fakultetet përkatëse, por në aplikimin online në fazën e parë kanë zgjedhur që vijojnë për një preferencë më të lartë. Këta kandidatë mjafton që në linkun e maturës, www.matura.akp.gov.al të klikojnë se vijojnë garën me Formularin A2 dhe nëse do fitojnë një preferencë më të lartë, sistemi i çregjistron nga programi ku janë regjistruar dhe duhet të regjistrohen sërish në sekretaritë mësimore me dokumentet përkatëse në preferencën më të lartë. Ndërsa ata kandidatë që zgjedhin të vijojnë garën, por nuk fitojnë preferencë tjetër, vijojnë të jenë të regjistruar të degën e mëparshme.

    Fituesit
    Kandidatët fitues në këtë fazë përfundimtare do të shpallen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, AKP, në datë 5 tetor. Ndërkohë që kandidatët kanë afat deri në datë 28 shtator për të bërë aplikimin online për plotësimin e formularit A3. “Lista e kandidateve fitues publikohet në faqet elektronike zyrtare të MAS dhe AKP, më datë 05.10.2015. Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 5 tetor deri 9 tetor 2015 duhet të pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues”, përcaktohet në udhëzimin e MAS. Në total në këtë fazë të dytë do të shpallen 3152 kandidatë fitues, në 289 programe studimi. Kuotat që do të mbeten të paplotësuara nuk do të rishpërndahen, pasi gara me formularin A3 është dhe gara finale për në universitet. Regjistrimi në sekretaritë mësimore për 3152 kandidatët që do shpallën fitues në këtë fazë do të bëhet në datat 5-9 tetor 2015. Kandidatët paraqesin në sekretari dokumentacionin e mëposhtëm: dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve, 2 fotografi, mandatarkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekë, si dhe një deklaratë ku vërteton se nuk po ndjek një program tjetër studimi.
    Sigal