Poezi nga Asdreni

    10331
    Sigal

    Asdreni (Aleksandër Stavro Drenova), u lind  më 11 prill 1872 në Drenovë në një familje të varfër fshatare. I mbetur jetim u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani1889.

    Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lot” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës. Është gjithashtu, autor i Himnit të Flamurit, një himn kombëtar për të gjithë shqiptarët.

    I Dashur Atdhe

    Me vite jam larguar,
    i dashur Atdhe,
    por nuk të kam harruar,
    se shumë i ëmbël je.

    Kjo zemra më këndon
    për ty, o Shqipëri,
    por prapë më lëngon,
    se je në varfëri.

    Të fala të dërgoj,
    këndej ku jam Atdhe,
    gjithnjë po të kujtoj,
    se birin tënd më ke.

    Asdreni – Lulekuqja

    Lulëkuqja e mjera
    Asgjëkund s’ka shtëpi
    E shkon jetën n’arrati
    Ajo s’është si të tjera
    S’ka stoli!

    Fushës, kodrës, del vetiu
    Verës ngrohet, dimrit ngrin
    Vetë shkunde, vetë mbin
    Dhe, kur skuqe, vjen veriu
    Dhe e përfshin

    Nëpër këmbë gjith’ e shkelin,
    Vend në kopshtet ajo s’ka
    Dorë ndihme kurrë s’pa;
    As e mbjellin, as e vjelin
    Shkoi u tha…

    Po veç ngjyra e saj si zjarri,
    Si një yll që xixëllon
    Tërë bota e imiton
    Është shenjë për së mbari
    Nga shikon

    Ajo ngjyrë kur zë shfaqet
    Mbreti frone shkon e le
    Njerëz robër fare s’sheh
    Vjen e drejta del ne faqet
    Si Zot je

    Ajo ngjyrë nd’ato fletë
    Është shpresa që tregon
    Një të ardhme q’ëndërron
    Është flamuri ynë vetë
    Që valon!

    Kthime

    Kur të pashë me s’të lashë,
    T’u afrova e s’tu ndashë
    Dhe me zë t’ëmbël të thashë:
    “Sa të dua o moj vashë!”

    edhe në gjunjë të rashë,
    T’u luta gjersa u vrashë

    Po nga zemëra psherëtita
    U treta, u lebetita,
    Se asnjë fjalë s’të qita,
    Gjersa shpresën far’ e ngrita
    Se m’u mërzit sa të prita,
    Aq sa u ngrys edhe dita.

    Vetëm pastaj unë u zgjova
    Dhe mendjen time ndërrova
    Kur zemërën ta kuptova
    Dhe ika e te harrova,
    Nga tërë mundimet shpëtova
    Si dhe shpirtin e qetova.

    Pastaj ti mbrëmanet herët
    Me vjen rrotull si një shqerrë
    Si një fytyrë në verë
    Dhe me lutesh aqë herë
    Po tashti shëko të tjerë
    S’e stë dua moj e mjerë.

    Një Orë Lumturie

    Hëna ndrinte porsi argjent
    Kur ndë kopshtije bashkë vinim
    Dhe me dorën mbi krahun tënd
    Të ndihnja mbi bar te rrinim.

    Ah, sa ëmbëlsirë ndjeva
    Kur dorën ma zgjate
    At’herë fare më s’ë msheva
    Mirëdashjen zemrës sate.

    Lulet na çonin një erë
    Shumë të ëmbël e të pëlqyer
    Edhe zefiret nga herë
    Na kujtonin pa kursyer.

    Rrezet që na përgëzonin
    Kur ishim të përqafuar
    Dashurinë na e shtonin
    Me një mall të pa rrëfyer.

    Sa fjal’ t’mbla më thoshe
    Kur përkëdheleshim të dy
    Dhe më syçkat bukuroshe
    Me benjë të mos ndahem nga ty.

    Po dyshimi nuk më linte
    të të besonj se ti më do
    Si hëna që rrezet mshifte
    Dhe i çonte ku desh ajo.

    Veç at’hëre kupëtova
    Se je zemër plot mëshirë
    Dhe veten time e ngrova
    Kur më puthe me dëshirë.

    Asdreni – Sa të dua O Shqipëri

    Sa të dua, o Shqipëri,
    sa me mall ndiej e sa dëshirë,
    për ty gaz e dashuri
    mu në zemër më ka mbirë!

    Se për mua, o Atdhe,
    je një lule aq e vyer,
    sa nuk gjendet përmbi dhe
    shpirtin tim për të ushqyer!

    I Dashur Atdhe

    Me vite jam larguar,
    i dashur Atdhe,
    por nuk të kam harruar,
    se shumë i ëmbël je.

    Kjo zemra më këndon
    për ty, o Shqipëri,
    por prapë më lëngon,
    se je në varfëri.

    Të fala të dërgoj,
    këndej ku jam Atdhe,
    gjithnjë po të kujtoj,
    se birin tënd më ke