Po zona kodrinore-malore, ku është?

    572
    Sigal

    Me largimet brenda e jashtë vendit për një jetë më të mirë, çdo gjë u shkatërrua madje dhe ekonomia

    Kjo zonë nuk është e vogël, është 3/4 e sipërfaqes së vendit. Në të shkuarën mbante e ushqente afër 70 për qind të popullatës dhe i bënte banorët më punëtorë, më të regjur. Të mëdhenj e të vegjël, ishin të zënë me punë sepse vetëm kështu mund t’ i rrëmbehej terrenit e motit buka e gojës. Edhe sistemi komunist, me gjithë të këqijat që kishte, bëri gjithë atë punë me njerëz që u mungonte qumështi dhe dhalli. T’u qepemi kodrave e maleve, t’i bëjmë pjellore si edhe fushat.

    1) Si është katandisur?
    Parë me sytë e të moshuarve, të atyre që kanë jetuar e punuar në këtë zonë, keq e mos më keq, ndërrimi i sistemit shoqëror i çoroditi aq shumë banorët e këtyre anëve, sa kujt t’ i besonin. Njëri thoshte, “tani shpëtuam do bëhemi qytetarë, do vijë çeku i bardhë”. U shpikën firmat piramidale dhe paraja u bë si gjethet e lisit, fshatarët e shkretë shitën dhe ato pak berra, shitën lopën e i siguruan në firmat piramidale! Zunë qytetet, lanë pas vreshtat, kanalet vaditëse, tarracat, ku kishin derdhur djersë, shtyllat e elektrikut, pemëtoret dhe plasi mielli në rreth të Psarit, (shprehje kjo e goditur e zonës së Deshnicës në Përmet.) Këta e të tjerë që mbetën pas, u bënë vetëshkatërrues. Qarkulloi teoria, ta bëjmë zero dhe ekonomia u bë vërtet zero! E kështu u krijua perandoria dhe hyrja-byrjes, që po sundon edhe sot pas 23 vjetësh! Jetojnë të moshuar dhe pak familje në gjendje pune, që u doli për mbarë moslargimi nga fshati dhe këta krijuan perandorinë e dhive, të lopëve e bagëtive. Të dy perandoritë bashkëqeverisin me njëra -tjetrën në harmoni të plotë, se dora e pushtetit deri tani nuk ndihet fare!

     2) Keqqeverisja!
    Faji u bë qyrk dhe se veshi njëri! Gjelat e politikës edhe sot nuk pranojnë ta veshin qyrkun e fajit! Miletin, qoftë edhe një pjesë të madhe të intelektualëve i gjeti të papërgatitur kapërcyelli i sistemit.. Ishim mësuar të shanim e ta paraqesim si gogol kapitalizmin dhe s’ kishim haber për ekonominë e tregut. Me largimet e shumta brenda e jashtë vendit për një jetë më të mirë, çdo gjë u shkreh, u shkreh ekonomia dhe puna. Forca e re politike që mori pushtetin, nuk i bëri mirë hesapet, e mbërtheu euforia dhe i peshoi arrat pa shkundur, thoshte një plak i mençur. Masa kooperativiste, për të cilën e kemi fjalën në këtë shkrim, nuk u orientua drejt nga udhëheqja e re, të cilën e dehu pushteti dhe ja la spontanitetit. Lirinë e fituar pa gjakderdhje, me shpejtësi e shoqëroi rrëmuja, lëvizja e paorganizuar. Zapto tokë edhe në dy-tre vende shite një pjesë e kështu lulëzoi tregu i xhambazëve, prej të cilit treg, sot ndihen pasojat e rënda. Shumë njerëz të ndershëm dolën të humbur nga kjo gjullurdi. Po, një shtet i mençur ç’ mund të bënte? Mund të thërriste jo një herë, o njerëz, ish -kooperativistë! Bëjini mirë llogaritë e mos u ngutni, në Tiranë apo Durrës, kudo të shkoni, nuk do ta gjeni të shtruar sofrën. Shteti demokratik që vendoset, po mendon si do ta realizojë tranzicionin, çdo të bëhet me pronën e ligje të tjera të rëndësishme. Mos i shkatërroni fermat, as  kooperativat bujqësore, shndërrojini në ferma e Kooperativa kapitaliste. Në asnjë mënyrë  mos i shkatërroni vreshtat, ullishtet, pemëtoret, kanalet ujitëse, edhe fabrikat të vazhdojnë punën. Shteti u kthye në sehirxhi, madje nxori ligje e urdhëresa të pastudiuara, si  ligjin 7501 që i shkatërroi fare zonat kodrinore-malore. Tani në këto zona as mbillet e as korret. Më keq akoma, për shkak të terrenit të thyer janë krijuar përrenj dhe erozioni vazhdon të punojë. Dikur lidheshin edhe me makinë, sot janë pa doktor, pa infermier. Shteti vazhdon ta paguaj infermierin e fshatit tim për 7-8 vjet, paçka se ai e firmos borderonë në Gjirokastër dhe fshati nuk e njeh fare! Shteti paraardhës i shkretoi edhe më keq këto zona kur pyjet e kullotat ja dha në përdorim komunave dhe nuk kontrolloi abuzimet e shumta që u bënë e vazhdojnë ende. Paguante edhe agronom për arat, paguan edhe sot inxhinier pyjor komune, kur s’ ka mbetur lis në këmbë. Fshati im kishte një kullotë malore shumë të kërkuar. Filloi kalvari i kërkesave në Akkp rajonale Gjirokastër me dokumente të rregullta pronësie, të vitit 1946. Na sorollatën e na thanë, kërkojeni me rrugë gjyqësore. Bëmë 40 gjyqe, që i fituam me vendim të formës së prerë të apelit dhe më në fund do bënim akoma gjyqe për t’ ua kthyer AKKP-së dhe jo fshatit, por komunës. Komuna fërkonte duart të merrte të ardhurat, paçka se gjyqet dhe shpenzimet i hoqi fshati. Po përse u lodhët kaq shumë, mund të pyesë dikush? -Të siguronim të ardhura, të vetëfinancoheshim për ujin e pijshëm të munguar, që fshatarët të njomin gojën!

    3) Kështu do të vazhdojë ende?
    Ajo që u shkatërrua nuk vjen prapë. Të qajmë është humbje kohe. Është e vërtetë se Qeverisë re, i mungojnë të ardhurat financiare dhe nuk mund ta ndryshojë menjëherë këtë zonë, por disa masa duhet ti marrë. Unë ekonomist nuk jam, por nga batërdia që shoh e përjetoj, mund të jap ndonjë mendim, së pari duhet filluar nga prona. Pjesa më e madhe e këtyre fshatrave, ka pak tokë are e të pamundur për mekanizim të lartë. Ligji 7501, e ka ndarë tek pronarët e rinj, te cilët nuk e kanë punuar asnjëherë, për rrjedhim fatura financiare e shtetit do rëndohet. Dhënia e këtyre arave, kullotat, koriet e vogla, pronarëve legjitim, do t’u zgjidhte çështjen e pronës pa zot. Si kudo në Shqipëri, vepron ende një ligj që njeh vetëm 300 m katrorë truall e kopsht dhe janë krijuar brenda fshatit ngastra shtetërore të paqëna, fiktive, kur me dokumente dihen kufijtë e çdo fshatari pronar. Kur fshatari ka patur 600m., Zyra e Regjistrimit i thotë, për pjesën tjetër drejtohu AKKP-së, ose hap gjyq për ta fituar! Kjo është një nga çuditë ligjore që ka pjellë burokracia e re demokratike! Të blesh në këto zona kodrinore-malore truallin e trashëguar nga prindërit! Një pasuri e madhe fle në këtë zonë, bimët medicinale aq të kërkuara e vlerësuara sot., që edhe mund të përpunohen. Kjo zonë është burimi i pashtershëm i bimëve mjekësore, që mund të përkthehet në të ardhura financiare, në vende pune dhe pse jo, në ripopullim. Imediate është të shihen edhe ish rrugët e makinave e te riparohen, të fillojë lëvizja e njerëzve me mikrobuza, pasi jo të gjithë kanë vetura. Kështu, këto fshatra do të dalin nga izolimi i deri sotshëm. Do të lëvizin edhe turistë, që i dëshirojnë shumë këto vende të virgjëra. Të mos ndodhi si në Zagorien time, që dy mikrobuzë venë e vinë në Gjirokastër, por gjysmat e fshatrave nuk i mbulojnë, megjithëse, kanë rrugë të rregullta dhe në demokraci janë investuar miliona e miliona lekë. Kjo është keqqeverisja.

    Llukan SAQELLARI