Mjeku Sefer Shehu, 40 vjet “doktor i minatorëve” në Memaliaj

    624
    Sigal

    Intervista/ Mjeku Sefer Shehu i kërkon qeverisë të rihapi ambulancën e minierës

     Disa njerëz edhe pse e kanë të tejmbushur “biografinë” e punës dhe jetës së tyre, me kontribute të shumta e të vlerësueshme pozitivisht në shërbim të komunitetit e shkencës, kanë mbetur të “harruar”. Një njeri i tillë, me botë e zemër të madhe, me kontribute pozitive ndaj komunitetit, jeton e punon në qytetin Memaliaj. Është mjek. Quhet Sefer Shehu, pasardhës i një “dere” (familjeje) të madhe, me tradita patriotike e mikpritëse, që ka bërë “emër” në zonën Tepelenë-Vlorë, ku bëri luftë e histori dhe Selam Musa Salaria. Djalë i “zakonlliut” të njohur Xhaferr Shehu dhe vëllai i Abaz Shehut, njeriut që ka mbetur i nderuar në kujtesën e tepelenasve.

     -Sefer Shehu u bë dhe mbeti mjek e “djalë” i Memaliajt

    Mjekun Sefer Shehu, mund të mos e kisha bërë “personazh” në gazetën “Telegraf”, nëse disa kohë më parë, kur isha në Memaliaj, ndërsa pinim kafe në lokalin karakteristik të “Goxhajve” (djem punëtorë, të ndershëm e humanë), një ish-minator i vjetër i qytetit, më thotë: – “Ore i biri i Hasanit, ke shkruar për gjithë botën, “zografisi” nja dy fjalë edhe për doktorin tonë, për Seferin. Ka 40 vjet, që na shërben pa përtesë, e pa interes, ditën e natën dhe tani që nuk ka as minierë, as minatorë e as ambulancë….”.

    Mendova të rrëfejmë “diçka” në planin njerëzor për Sefer Shehun, ose “doktorin e minatorëve”. Mjeku Sefer Shehu, ka lindur në fshatin Salari të Tepelenës. Ka përfunduar 42 vite më parë, studimet e larta për mjekësi. E ka nisur punën si mjek, mes minatorëve e banorëve në qytetin Memaliaj. Aty ka nisur t’i thotë me bindje vetes “mjek”. Vit pas viti, dëshmoi kualitet të lartë profesional, duke qëndruar pranë mjekut të mirënjohur e të paharruar të Memaliajt, Arqile Çaçi, ose “doktorit” siç vazhdon ta quaj Sefer Shehu edhe sot pas 42 vjetësh, kur tashmë i thonë atij “doktor”. Përkushtimi për të fituar profesionin si mjek në terren mes njerëzve, ambicia për t’u bërë mjek i vërtetë, e i zoti dhe jo “shef” burokrat zyrash spitalore, i hapi rrugën që brenda pak vitesh, Sefer Shehu të fitonte të drejtën e merituar të kualifikimeve profesionale të nivelit të lartë shkencor, deri me rekomandime e mbështetje të emrave të profesorëve të mëdhenj të mjekësisë shqiptare. Puna dhe rezultatet si mjek pranë njerëzve e mjekëve me përvojë, bënë që emri dhe konsulenca e mjekut Sefer Shehu, të ishin pikë referimi dhe pjesë serioze e konferencave shkencore kombëtare, por dhe “linjë” përcaktuese, konkludive e vendimmarrëse në konsultat dhe komisionet mjekësore zonale si drejtues i tyre, duke guxuar edhe ndërhyrje mjekësore të kategorive të vështira. Në Memaliaj, Tepelenë, Gjirokastër, Skrapar, Përmet, Berat, Vlorë, Sarandë, Fier e madje deri në Lezhë, Mirditë, Kukës, Dibër e Shkodër, janë shumë jetë të shpëtuara, janë shumë njerëz të çdo moshe, të rehabilituar nga ana shëndetësore, që kanë “vulën” e kontributit të Sefer Shehut, “doktorit të minierës” së Memaliajt.

    Seferi ngriti në Memaliaj, të parën qendër shëndetësore të minatorëve

    Në Shqipëri, një ndër mjekët që ka fituar me meritë “viston” profesionale dhe etike për të zgjedhur vend dhe qytet për të ushtruar profesionin si “mjek i zoti”, ka qenë dhe Sefer Shehu, ose “doktori i minatorëve” të Memaliajt. Por ai, ende sot vazhdon jeton e kontribuon si mjek në Memaliaj, në qytetin që e priti “faqe pa dirsur”. Nuk u largua nga qyteti i minatorëve edhe pse këtë “largim”, shumë kolegë e të afërm ia nxitnin pa pushim në “rrëzë të veshit”. Sefer Shehun e mbajti “lidhur” në këtë qytet, objektivi për të ngritur të parën qendër shëndetësore të minatorëve në shkallë vendi. Dhe e realizoi me sukses, duke marrë vlerësim sipëror, për vënien në funksionim të të parit “model” të qendrave të specializuara shëndetësore të profesioneve të vështira. Me urdhër nga ish-qeveria e viteve ‘70, nën përvojën dhe konsulencën e “doktorit të minatorëve” të Memaliajt, ngritja e këtyre qendrave shëndetësore u realizua në shumë qytete të tjera minatorësh, naftëtarësh, metalurgësh, gjeologësh, sharrtarësh, tekstilistësh në Tiranë, Patos, Berat, Fushë-Arrëz, Bulqizë, Burrel, Elbasan, Selenicë, Mbroje-Drenovë, Kurbnesh, Rubik, etj. Pas kësaj prove, Seferi Shehu pati përsëri propozime për transferim “lartë”, por qëndroi në Memaliaj, ku për mbi 40 vjet vazhdon të kontribuoj. Që prej asaj kohe e deri sot, paçka se nuk ka minierë e minatorë, “remontatori” dhe shpëtuesi i shëndetit e jetës së minatorëve dhe banorëve të Memaliajt, mjeku veteran Sefer Shehu, vazhdon të jetë në në Memaliaj.

    Emër dhe kontribut që do mbetet, profesion që po vazhdon tek i biri

    Prej mese 35 vitesh, shtëpia e mjekut Sefer Shehu është kthyer në “ambulancë” 24 orë e hapur. Veçse jo si ambulancë me “pagesë”, por si “shtëpi humanizmi”. Njerëzit shkojnë e trokasin për ndihmë në portën e banesës së tij, në çdo orë të ditës e natës. E ai nuk përton. Shërben sikur ta ketë detyrim. Shkon edhe vet në shtëpitë e tyre. Ndoshta i mbetur “instinkt” i punës prej shumë vitesh si “doktor i minatorëve”, Seferi vazhdon të mbajë nën kontroll ecurinë e shëndetit e të sëmundjeve të tyre profesionale. Kontakton me pacientët, evidenton ecurinë e sëmundjeve, u jep mjekimet dhe u rekomandon terapitë e duhura. Për Sefer Shehun, ndihmesë e madhe në punën dhe jetën plotë ngarkesë e përgjegjësi për ndihmë e shërbime mjekësore, rol lehtësues ka luajtur bashkëshortja e tij Leni, mbi 40 vjet mësuese në gjimnazin “Sali Nivica” të qytetit. Mësuese Lenin, ose “të bijën e Keno Hilës” (siç e quajnë në Memaliaj) e vlerësojnë si “gruaja e fortë dhe paqësore”, që me dashuri e humanizëm për njerëzit në nevojë, vazhdon të “tolerojë” e përballoj jetën gjithë “telashe” me “doktorin e minatorëve”, i cili në këto mbi 40 vite martesë, i ka “dhuruar” asaj vetëm superngarkesë detyrimesh familjare, jetë gjithë “alarme” e shërbime ditë-natë, por… të konvertuara këto, në vlerësim e nderim për bashkëshortin. Patjetër, që sipas ligjeve të natyrës e (urojmë) në “vaktin” e duhur moshor, një ditë… edhe “doktori i minatorëve” të Memaliajt, nuk do të jetë më mes njerëzve. Por rrugën e tij, ka nisur ta vazhdoj një tjetër “Sefer Shehu”, djali i tij Armandi, aktualisht mjek në Kombinat-Tiranë, i cili në këto pak vite si mjek po dëshmon bindshëm, se mund të arrijë të bëhet i zoti si babai, për të lenë emër dhe vepër të nderuar si ai…

    -Një kërkesë humane e doktor Seferit, drejtuar kryeministrit Edi Rama

    Edhe doktor Seferi, ashtu si shumë ish-minatorë e banorë të Memaliajt, ka afro 20 vite që vuan nga një “sëmundje” e veçantë, “shërimi” i të cilës mundësohet vetëm nga qeveria. I “dhëmb zemra” që ish-minatorët nuk kanë më ambulancën e tyre, trajtimin e tyre. Ajo është mbyllur që pas vitit 1992. Godina është e plotë dhe e fortë. Mjeku është vetë Seferi. Minatorët kanë nevojë të kenë qendrën e tyre ambulatore për vizita mjekësore e trajtime të tjera të ditës. Shumë herë në 15 vitet e fundit, Seferi i ka drejtuar kërkesa pushtetit lokal e qendror në zonë e në qeveri, për të rihapur këtë qendër mjekësore. Por nuk i kanë kthyer as përgjigje. Ai e do fortë profesionin e tij, si mjek i minatorëve. E njeh mirë trupin e çdo minatori të këtij qyteti. Ai njeh në detaje si një “skaner”, sëmundjet dhe ecurinë e tyre për secilin ish-minator. Ka mbi 40 vjet që u shërben, që u qëndron pranë. Ndërsa i thashë, se do të shkruaja diçka në gazetën “Telegraf” për jetën dhe punën e tij si “doktor i minatorëve”, Seferi më tha: – Lere shkrimin për mua. Ajo që dua unë, është një kërkesë për qeverinë, troç për kryeministrin Edi Rama. Dua, që të na ndihmojë për të rihapur ambulancën e minierës. Godina është e bollshme, duhen vetëm pak riparime fizike të ambienteve dhe disa pajisje të zakonshme shërbimesh ambulatore, që nuk kërkojnë shpenzime të mëdha. Në qytet dhe në krejt zonat e Tepelenës, janë shumë ish-minatorë, ndërtues, gjeologë të moshuar e të rinj në moshë, që vuajnë nga sëmundje të shumta profesionale. Ata kanë nevojë, që këtë shërbim ambulator ta kenë në qytet, mbasi për një ekzaminim, apo mjekim detyrohen të shkojnë deri në spitalin dhe klinikat rajonale në Gjirokastër e Tiranë! Kjo u kushton shumë rëndë financiarisht, mbasi minatorët dhe banorët e tjerë që janë me pensione qesharake dhe pa punë e pa pensione fare, janë kryefamiljarë në familjet më të varfra të qytetit Memaliaj e të zonës.

     Përparim HALILI