Mjekët kasapë, 8400 euro për të vdekur në spitalin privat

    705
    Sigal

    Familjarët denoncojnë në polici Rektorin e Mjekësisë: E mori në spitalin privat, ku motra vdiq pas 15 orëve në sallë

    Skandali i radhës në Ministrinë e Beqjes. Mjekët e spitalit ‘Nënë Tereza’ i dërgojnë pacientët në klinika private, ku janë të dy apo shumë punësuar, duke u marrë atyre mijëra euro. Jo vetëm kaq, por dhe kur pacienti u vdes në dorë, ja mbajnë më shumë se 4000 euro. Përveçse një akt skandaloz moral dhe i turpshëm, ky është dhe rasti tipik i ngjarjeve skandaloze që ndodhin në Ministrinë e Ilir Beqos, teksa në shumicën e mediave po propagandohen ‘sukseset e shëndetësisë së Rilindjes në 300 ditë’. Ryshfeti, babëzia, e kthyen në sistem në shëndetësi, nuk përfill as jetën e njeriut, për të fituar miliona. Skandali i radhës i shënuar në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, ka për pasojë vdekjen e një pacienteje, Gj. H., 75 vjeç, të transferuar nga ky spital në spitalin privat Europian të Tiranës, nga i njëjti mjek i dy punësuar, përkatësisht rektor i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Ali Refatllari. Skandalin e sjell për gazetën “Telegraf” vëllai i viktimës, Tomorr Lenja, i cili ka bërë dhe denoncimin përkatës në policinë e Tiranës. Pas denoncimit të familjarëve (vëllai i viktimës), gazeta “Telegraf” disa herë rresht ka tentuar të kontaktojë me mjekun Refatllari, por ai nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk u mor dhe nga mesazhi identifikues që u dërgua në telefonin e tij. Duke qenë të hapur në përmbushje të misionit për informim të publikut, gazeta boton denoncimin  familjarëve, duke mirëpritur dhe reagimin e mjekut…

    DENONCIMI

    “Motra ime Gjinovefa banonte në Sarandë dhe kishte shfaqur probleme shëndetësore, ankohej nga dhimbja e këmbës. Familjarët e sjellin këtu në Tiranë për ta vizituar dhe e merr përsipër mjeku Ali Refatllari. I thanë që kishte trombozë në këmbë dhe e operuan. Pas operimit çdo gjë ishte në rregull dhe Gjinovefa e mori veten, por mjeku Aliu, i tha se, ‘ti tani ke probleme me valvulën e zemrës dhe se duhet të bësh një tjetër ndërhyrje, por jo në këtë spital pasi këtu nuk e disponojmë dhe nuk kemi kushtet, por do shkojmë ta bëjmë në spitalin privat Europian’. Në këtë spital privat, punonte vetë mjeku Refatllari. Mjeku na kërkoi 8400 euro në dorë për operimin. Para katër ditësh më datë 29 korrik, motra hyri në sallën e operimin në këtë spital, ku në orën 5 pasdite filloi operimin. Kemi ndenjur 15 orë pa marrë asnjë lajm për motrën. Mjeku nuk dilte të na jepte asnjë sqarim rreth gjendjes shëndetësore të saj, se si po ecte operacioni. Nuk e di se sa kohë kishte që kishte vdekur motra ime aty brenda dhe ai nuk merrte guximin të dilte e ta thoshte. Pas 15 orësh i nderuari Ali Refatllari del dhe na thotë se, ‘Gjinofefa mbaroi, kaq e pati. Bëmë ç’është e mundur, por pati shumë hemorragji dhe nuk mundëm ta ndalonim’. Nuk arrij të kuptoj ç’ndodhi aty brenda, për 15 orë rresht, ku ishte ky doktor që nuk jepte asnjë shpjegim, nga se vdiq motra ime, nga çfarë iu shkaktua kjo hemorragji? Ajo që nuk më lë të qetë është mënyra se si ata e futën në arkivol pa bërë as autopsi dhe pa dhënë asnjë shpjegim. Vetëm na thanë, ‘merreni dhe dërgojeni në Sarandë’. Në ato momente ishim të gjithë të hutuar dhe nuk kërkoi asnjëri autopsinë e saj. Dua të dalin përgjegjësit dhe të na thuhet e vërteta, nuk ngordhi një mizë, por vdiq një person. Nuk do ta lëmë me kaq pasi kemi bërë dhe denoncim në polici”,- deklaron Tomorr Lenja, vëllai i viktimës. I pyetur nga “Telegraf” nëse mjeku i’a ktheu paratë e operimit familjarëve, z. Tomorr u shpreh se: “Lekët e operacionit që na kërkoi Ali Refatllari, ia dhamë që para se të niste operimi, 8400 euro. Pasi na dha lajmin e vdekjes na ktheu vetëm 400 euro dhe 4400 të tjera i mbajti vet. Pra, kjo tregon se ai luan me jetën e të tjerëve, bën pazare që nuk kam as se çfarë emri mund t’i vendos. Motra ime nuk ishte në atë gjendje shëndetësore sa për të vdekur. Vajti tek ‘kasapi’ dhe doli e vdekur!”.

    PARADOKSI

    Rasti i mësipërm, përtej shqetësimit të njërës palë, palës së dëmtuar, kërkon një analizë të hollësishme lidhur me vërtetësinë e pretendimeve. Tashmë, kjo është në dorë të drejtësisë. Por përtej një fakti, duhet ri sjellë shqetësimi lidhur me gjendjen në spitalet tona, akuzat për korrupsion e ryshfet nga bluzat e bardha, që nga infermierët, deri tek kupola në ministri. Tashmë, me ndonjë përmirësim sipërfaqësor, askush nuk beson në premtimet e shtetarëve aktualë për ‘përmirësimin’ dhe ‘sukseset në fushën e shëndetësisë’. Mjekët punojnë në shtet, por i nisin pacientët në klinikat private ku punojnë vetë. Që të shkosh në spital për hallin më të vogël, duhet të blesh ilaçet, e duhet të paguash bluzat e bardha.

    PRECEDENTI  

    Më 13 Prill 2014 shefi i Kardiologjisë Ali Refatllari plagoset me thikë para studenteve të tij në ambientet e spitalit ‘Nënë Tereza’. Autori i kësaj ngjarjeje ka qenë Arben Strazimiri 35vjeç, i cili ka deklaruar për forcat blu se e ka goditur mjekun për të marrë hakun e dajës që sipas tij, mjeku e vrau në operacion.